Taravari: Pres që zgjidhja për u.d kryetar komune të ketë mandat dy herë nga gjashtë muaj të mbështetet nga partitë e tjera
Koalicioni “VLEN” në qeverinë e re do të marrë dy poste zëvendëskryeministrash dhe pesë resore. Këtë e ka konfirmuar mbrëmë Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, pjesë e koalicionit “VLEN”, duke komentuar se negociatat me mandatarin tashmë kanë përfunduar, transmeton Portalb.mk. “Resorët janë ekologjia, ekonomia shëndetësore, politika sociale dhe integrimi evropian. Zëvendëskryeministri do të jetë […]
Koalicioni “VLEN” në qeverinë e re do të marrë dy poste zëvendëskryeministrash dhe pesë resore. Këtë e ka konfirmuar mbrëmë Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, pjesë e koalicionit “VLEN”, duke komentuar se negociatat me mandatarin tashmë kanë përfunduar, transmeton Portalb.mk.
“Resorët janë ekologjia, ekonomia shëndetësore, politika sociale dhe integrimi evropian. Zëvendëskryeministri do të jetë ai për qeverisje të mirë dhe transparencë, por këto ditë do të dimë ingerencat e sakta të atij pozicioni”, tha ai.
Taravari tashmë ka bërë të ditur se po largohet nga posti i kryetarit të Gostivarit, si dhe se po i rikthehet pozitës ministrore në Shëndetësi.
Sipas tij, në Ligjin aktual për Vetëqeverisjen Lokale tashmë janë dorëzuar amendamente, i cili parasheh që një u.d kryetar komune mund të emërohet vetëm në afat prej gjashtë muajve.
“Ne kemi propozuar ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, jo vetëm për komunën e Gostivarit, por edhe për Sarajin dhe disa komuna tjera në të cilat sipas këtij ligjit, zgjedhjet duhet të mbahen sërish në nëntor apo dhjetor të këtij viti. Besoj se zgjedhjet dy herë në vit është vetëm shpenzim dhe maltretim i qytetarëve. Nëse kryetari i një komune ka kaluar më shumë se gjysmën e tij, mandatari duhet të mundësojë ushtrimin e detyrës kryetar dy herë nga gjashtë muajsh”, tha ai.
Me këtë, sipas Taravarit, i njëjti u.d kryetar do të ketë një mandat dy herë për gjashtë muaj, zgjidhje që pritet të mbështetet nga partitë e tjera.
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti ka bërë të ditur se qeveria e re do të formohet pas festës së Bajramit, më 19 apo 20 qershor, duke theksuar se me gjasë do të jetë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i ekologjisë, ndërsa Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, ministër i Shëndetësisë.
“Unë dhe Taravari me siguri do të jemi në ekzekutiv. Unë do të mbaj postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekologjisë, ndërsa Taravari do të drejtojë sërish Departamentin e Shëndetësisë. Kasami do të kthehet sërish në Tetovë, për të përfunduar mandatin, të cilin e ka nisur me sukses. “VLEN” do të ketë dy zëvendëskryeministra shqiptarë në pushtetin e ri ekzekutiv. Arben Fetai nga Aleanca për Shqiptarët e Taravarit do të jetë kandidat serioz për postin e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë. Këto ditë do të merret vendimi për postin e zëvendëskryeministrit për Integrimet Evropiane, i cili duhet t’i takojë Alternativës. Besa në anën tjetër duhet të vendos për postet ministrore për ekonomi dhe politikë sociale”, tha Mexhiti.
Aktualisht po rrjedh afati njëzet ditor për formimin e qeverisë së re, pasi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova më 6 qershor ia dha mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, partia e të cilit fitoi 58 mandate në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 8 maj.
Mandatari Mickoski tha se pret që qeveria e re të formohet para afatit dhe pas festimit të përvjetorit të partisë më 17 qershor.
Kujtojmë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe “asnjë” abstenim rreth orës 02:30 të mëngjesit të 8 qershorit ka miratuar ndryshimet e propozuara të Ligjit për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore, me të cilat nga 16 do të bëhen 20 ministri. Këto propozime erdhën nga mandatari i qeverisë së ardhshme, kryetari i VMRO-DMPNE-së Hristijan Mickoski.
Përveç votave të deputetëve të shumicës (VMRO, VLEN, ZNAM) e cila pritet të formojë Qeverinë e re, votuan edhe deputetët e Frontit Evropian, të cilët përmes një njoftimi në orët e vona njoftuan se do përkrahin këtë ligj.