Taravari: Shpresoj që pas vitit të ri të ketë stacion të ri kompresori për sallat kirurgjikale, por edhe të vjetrin do ta mbajmë rezervë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se përveç ndërtimit të stacionit të ri të kompresorit për sallat e kirurgjisë së Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, planifikohet që në të ardhmen të mbahet si rezervë ai ekzistues në rast të ndonjë defekti, transmeton Portalb.mk. Sallat e kirurgjisë në klinikat e Shkupit janë mbyllur që nga […]

shtator 16, 2024 - 21:00
 0  6
Taravari: Shpresoj që pas vitit të ri të ketë stacion të ri kompresori për sallat kirurgjikale, por edhe të vjetrin do ta mbajmë rezervë
Arben Taravari. Foto nga profili i tij në Facebook

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se përveç ndërtimit të stacionit të ri të kompresorit për sallat e kirurgjisë së Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, planifikohet që në të ardhmen të mbahet si rezervë ai ekzistues në rast të ndonjë defekti, transmeton Portalb.mk.

Sallat e kirurgjisë në klinikat e Shkupit janë mbyllur që nga 22 maji për shkak të erës së keqe. Asnjë kompani e vetme nuk aplikoi për shpalljen e parë për stacion të ri kompresor në qershor dhe më 12 shtator Ministria e Shëndetësisë njoftoi se kishte ardhur një ofertë për shpalljen e dytë.

“Ju njoftojmë se ka ardhur një ofertë, për të cilën në periudhën në vijim, brenda afateve ligjore, do të bëhet një vlerësim nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe ekspertët e jashtëm të angazhuar, pas së cilës nëse plotëson kushtet e dokumentacionit tenderues, do të merret Vendimi për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme dhe do të lidhet Marrëveshja e Prokurimit Publik”, bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

Taravari, pas vizitës së sotme në Klinikën për sëmundje të syrit, tha se sot do të njoftohet për ofertën dhe se shpreson që procedura të fillojë së shpejti.

“Që para disa ditësh kemi diskutuar që të mbajmë kompresorët e jashtëm ekzistues, të servisohen rregullisht dhe të jenë rezervë nëse në të ardhmen ndodh ndonjë defekt. Ne do të diskutojmë me kompaninë që iu përgjigj thirrjes se si mund të bëhet kjo. Kolegët nga sallat e operacionit më bëjnë me dije se era e keqe nuk ndihet më dhe po funksionojnë mirë. Shpresoj që në fillim të Vitit të Ri të kemi një stacion të ri kompresor”, tha Taravari.

Tashmë në korrik, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Ilir Demiri njoftoi se mostrat e kompresorëve janë dërguar në Gjermani, por raporti nuk është publikuar deri më sot.

Kujtojmë se sallat e operimit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, ndaluan së punuari për shkak të një ere të pakëndshme që u përhap përmes sistemit të ventilimit dhe problemi i furnizimit me oksigjen. Prokuroria Themelore Publike është zotuar se do të hetojë rastin, në rast se ka vepër penale.

Më 29 korrik, ministri Arben Taravari theksoi se në sistemin klinik për furnizimin me oksigjen është gjetur formaledih, e cila shkakton irritim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, syve dhe hundës dhe mund të shkaktojë alergji dhe inflamacione, ndërsa gjatë një ekspozimi afatgjatë mund të jetë edhe kancerogjen.