Telekomi reagon ndaj një shkrimi të botuar në media

Telekomi i Kosovës, ka reaguar për shkrimin me titull “Sot u vendos nga Murati në krye të inteligjencës financiare, por Rraci e kishte marrë një vendim që ende po e dëmton financiarisht Telekomin”. Insajderi kishte raportuar se Genc Rraci, drejtuesi i inteligjencës financiare të Kosovës i emëruar në këtë pozitë nga Ministria e Financave, kishte

dhjetor 27, 2024 - 19:00
 0  3
Telekomi reagon ndaj një shkrimi të botuar në media
telekomi-reagon-ndaj-nje-shkrimi-te-botuar-ne-media

telekomi-reagon-ndaj-nje-shkrimi-te-botuar-ne-media

Telekomi i Kosovës, ka reaguar për shkrimin me titull “Sot u vendos nga Murati në krye të inteligjencës financiare, por Rraci e kishte marrë një vendim që ende po e dëmton financiarisht Telekomin”.

Insajderi kishte raportuar se Genc Rraci, drejtuesi i inteligjencës financiare të Kosovës i emëruar në këtë pozitë nga Ministria e Financave, kishte marrë një vendim sa ishte kryetar i bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, të cilin e ka kontestuar në disa raste gjykata. Me ç’rast, organi gjykues po e detyron Telekomin edhe të shqiptojë gjoba për të.

Lidhur me këtë ka dal me reagim Telekomi:

Në lidhje me artikullin e publikuar në mediumin tuaj (Insajderi.org dhe Frontonline.net ), me titull: “Sot u vendos nga Murati në krye të inteligjencës financiare, por Rraci e kishte marrë një vendim që ende po e dëmton financiarisht Telekomin”, me datë 23.12.2024, dëshirojmë të sqarojmë disa çështje me interes për opinionin, qytetarët, përkatësisht lexuesit tuaj:

Me këtë reagim, fillimisht duam të gjykojmë tendencën që interpretimi i gabuar dhe paragjykimi i fajit nga autori, të paraqitet si e vërtetë e pakontestueshme, pa marrë mundimin që paraprakisht të verifikohen faktet edhe pse Telekomi i Kosovës është i hapur dhe bashkëpunues me mediat dhe bashkëpunimi me ne do t’i shërbente informimit të plotë dhe të saktë të lexuesve tuaj.

Në këtë rast, duke shkëputur një aktgjykim, të paidentifikueshëm për ne, duke cituar pjesërisht aktvendimin e Gjykatës, dhe duke interpretuar gabimisht të dhënat, i sugjerohet lexuesit ideja e gabuar se dy vendime të rëndësishme të Bordit të Drejtorëve paskan qenë të dëmshme për punëtorët dhe të jashtëligjshme. Kështu, nga mosdija apo nga mungesa e informatave, e kurrsesi nuk do të dëshironim të mendojmë se bëhen qëllimisht, me këtë shkrim korrigjimi i shkeljeve të dëshmuara paraqitet si krim, ndërsa veprimet për të mbrojtur dhe ruajtur në mënyrë të ligjshme kompaninë paraqiten si të gabuara. Më poshtë do të ju sqarojmë lidhur me këto vendime të domosdoshme, të ligjshme, dhe në fund të fundit, edhe të obligueshme për t’u ndërmarrë, të cilat ju i kontestoni: Lidhur me rikthimin në pozita dhe në grada të mëparshme për të anuluar shkeljet ligjore: Raporti kombëtar i auditimit për vitin kalendarik 2018/2019 si dhe raporti i auditorëve të brendshëm, kanë gjetur se ka pasur punësime në mënyrë të kundërligjshme dhe pa kritere të mbi 354 punonjës të rinj, ndërsa janë ripozicionuar mbi 671 punonjës të tjerë në pozita të ndryshme.

Raportet theksojnë se këta punonjës janë avancuar në pozita pa plotësuar asnjë kriter formal apo ligjor dhe pa ndjekur asnjë procedurë ligjore. Në përputhje me këto gjetje, Telekomi kishte detyrim të ndërmerrte masa për të adresuar shkeljet e evidentuara, duke i kthyer punonjësit në pozitat e tyre të mëparshme, sipas strukturës dhe kritereve ligjore të vlefshme. Ky veprim, përveç se ka qenë një detyrim për të përmbyllur gjetjet e auditimit, ka qenë gjithashtu i nevojshëm për të siguruar pajtueshmërinë me parimet e ligjshmërisë dhe menaxhimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes, dhe ka shërbyer si shkak për nxjerrjen e këtij vendimi të theksuar në shkrimin tuaj nga organi më i lartë i ndërmarrjes që është Bordi i Drejtorëve. Ju bëjmë me dije se rasti i kthimit të punonjësve në pozitat e tyre, ka qenë vendim i ligjshëm dhe i drejtë dhe kjo mbështetet tashmë edhe në praktikat gjyqësore ekzistuese, siç janë rasti i Aktgjykimit C.Nr. 6684/2021, datë 24.07.2024, si dhe Aktgjykimi C.Nr. 7258/2021, datë 18.04.2024, ku ky vendim nga gjykatat e rregullta është konsideruar dhe vlerësuar si vendim i ligjshëm dhe i drejtë.

Telekomi nuk është ndalur me kaq, por ka paraqitur kallëzim penal ndaj personave kompetentë që kanë kryer këto shkelje. Kallëzimi penal ndaj zyrtarëve përgjegjës është dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke kërkuar hetim dhe ndjekje penale për veprat që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe punësimet dhe avancimet e kundërligjshme. Në këtë mënyrë, Telekomi synon të rikthejë transparencën dhe integritetin në procedurat e tij të menaxhimit dhe rekrutimit, duke siguruar që praktikat e paligjshme të mos përsëriten në të ardhmen. Vendimi për uljen e vlerës së koeficientit të gradave: Sa i përket vendimit tjetër, të përmendur gjithashtu në shkrimin tuaj, e që ka të bëjë me uljen e vlerës së koeficientëve të gradave për punonjësit e Telekomit, ju njoftojmë gjithashtu se ky vendim është i drejtë dhe i ligjshëm. Për më tepër, edhe lidhur me ketë vendim tashmë kemi praktika gjyqësore të qëndrueshme, si Aktgjykimin C.Nr. 5022/2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Aktgjykimin C.Nr. 2726/18, i vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit Ac.Nr. 2802/2022. Në këto aktgjykime, përkatësisht praktika gjyqësore, paditë e tilla mbi këtë bazë, edhe pse jo të unifikuara, janë duke u refuzuar si të pabazuara, duke u mbështetur në faktin se veprimet e ndërmarra nga e paditura (Telekomi i Kosovës) kanë qenë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe kontratën e punës ndërmjet palëve. Gjykatat janë duke vlerësuar se raporti mes palëve është rregulluar në bazë të një kontrate pune të vlefshme, ku grada e definuar në kontratën e punës nuk ka ndryshuar. Kështu, meqenëse punonjësit e Telekomit të Kosovës kanë në kontratat e tyre të punës të definuar gradën dhe jo vlerën e pagës, grada ka mbetur e pandryshueshme. Për të ruajtur likuiditetin, kjo ulje e vlerës së koeficientit është marrë në mënyrë lineare, pa ndonjë diskriminim për të gjithë punonjësit e ndërmarrjes publike, duke përfshirë menaxhmentin dhe punonjësit e tjerë të Telekomit dhe është vendim që bie në domenin e Bordit të Drejtorëve. Pra, mbetet shqetësim i Telekomit të Kosovës, që për arsye të panjohura për ne, duke interpretuar raste që vështirë se kanë të bëjnë fare me vendimet në fjalë, duke i keqpërdorur këto vendime të ligjshme për të hedhur dyshim mbi një personalitet të emëruar nga Ministri Murati, po tentohet të krijohet ideja se këto vendime janë të dëmshme dhe janë marrë në kundërshtim me ligjin, çka në të vërtetë nuk qëndron aspak dhe kjo vërtetohet përpos argumentimit juridik edhe me rastet kur gjykatat kompetente po e konfirmojnë këtë.

Sqarim shtesë: Ju njoftojmë se këto masa (vendime), por edhe masa të tjera, janë marrë kur Telekomi i Kosovës ka kaluar një periudhë të vështirë financiare, ku borxhet ishin rritur nga 30.5 milionë euro në vitin 2015 në 71.9 milionë euro deri në vitin 2019, ndërsa pjesëmarrja e pagave në të hyrat kishte arritur 55%. Kjo ka vënë në rrezik aftësinë e kompanisë për të përmbushur detyrimet afatshkurtra dhe për të vazhduar operimin e saj. Për të shmangur falimentimin, janë ndërmarrë disa masa drastike për të stabilizuar buxhetin dhe për të rritur likuiditetin, duke e bërë të mundur që kompania të ruante funksionimin dhe të shmangte pasojat katastrofike që mund të vinin për punëtorët dhe klientët.

Ky vendim ka sjellë efekte pozitive dhe të prekshme që janë reflektuar në vitin 2020, ku humbjet janë ulur nga 26.8 milionë euro në vitin 2019, në 16.5 milionë euro, ndërsa është ndalur rritja e borxheve.

Masat e ndërmarra kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit financiar të Telekomit, duke mundësuar shmangien e kolapsit dhe duke hapur rrugën për një periudhë të re rritjeje. Ky propozim, i miratuar nga Bordi i Drejtorëve, ka qenë i domosdoshëm dhe pa alternativë, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në procesin e rregullimit dhe stabilizimit të kompanisë.

Pas këtyre hapave të vendosur, Telekomi ka filluar të rikthehet fuqishëm dhe është në rrugën e duhur për një rimëkëmbje të plotë. Po punojmë pa pushim për të realizuar një proces të suksesshëm rivitalizimi dhe për të rikthyer Telekomin në një gjigand ekonomik, siç ka qenë dikur. Angazhimi ynë është të sigurojmë një të ardhme të qëndrueshme, me rritje të vazhdueshme dhe sukses për kompaninë dhe për të gjithë punonjësit e saj, duke i ofruar një vizion të ri dhe një perspektivë të jashtëzakonshme zhvillimi.