Tetova u bë me Shtëpi të Evropës, aktivitetet filluan nga mjedisi jetësor
Përmes aktiviteteve të ndryshme, sot në Tetovë u hap Shtëpia e Evropës (Europe House), transmeton Portalb.mk. Të rinjtë në Tetovë do të kenë më afër Evropën, pasi nga sot e tutje ato do të kenë një hapësirë të re. Shtëpia e Evropës është vend dedikuar gjeneratave të reja, kështu tha ambasadori i BE-së David Geer […]
Përmes aktiviteteve të ndryshme, sot në Tetovë u hap Shtëpia e Evropës (Europe House), transmeton Portalb.mk.
Të rinjtë në Tetovë do të kenë më afër Evropën, pasi nga sot e tutje ato do të kenë një hapësirë të re.
Shtëpia e Evropës është vend dedikuar gjeneratave të reja, kështu tha ambasadori i BE-së David Geer në hapje.
“Vende ku të rinjtë mund të mblidhen dhe të flasin së bashku për tema të rëndësishme, të jenë inovativ, kreativ, e gjithë kjo në korniza të Bashkimit Evropian…Besoj se kjo Europe House do të mbledh të energjinë e këtyre të rinjve që t’i drejtojë ata drejt BE-së dhe të përmirësojë kualitetin e jetës këtu në Tetovë dhe në rajon”, tha Geer.
Aktiviteti i parë i Europe House Tetovë ishte debati “Tetova për një gjeneratë të re, më të gjelbër” me studentët e qytetit, ndërsa u drejtua nga aktivistja e mjedisit Elmedina Abdulahi e cila ishte e nominuar për gruan evropiane të vitit 2024.
Programi më pas do të vijojë para Pallatit të Kulturës me koncert të artistes Zarina Prvasevda, i cili do të jetë i hapur për publikun. Ndërsa më pas do të ketë set nga DJ REDI si dhe pikturim nga Rita Nuredini dhe Azra Tairi.
Kujtojmë që Shtëpia e Evropës javën e kaluar u hap edhe në Strugë.
Ndërkaq, Shtëpi të Evropës ka edhe në Shkup, Kriva Pallankë, Veles, Manastir, dhe Strumicë. Sipas euroambasadorit Geer vitin e kaluar në këtë rrjet janë realizuar mbi 900 aktivitete me mbi 36 mijë njerëz.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve sot gjatë ditës Qendrës LOJA iu dorëzua biblioteka mobile “Read on Wheels”.