Toshkovski për aksionin e djeshëm: Katër persona janë arrestuar, ka të dhëna për krim epik me shuma milionëshe
Katër persona janë arrestuar në aksionin e djeshëm në kompani dhe shtëpi në Strumicë, Shkup dhe Gostivar, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski gjatë vizitës së sotme në Ohër, transmeton Portalb.mk. “Aksioni i djeshëm ishte mjaft i gjerë dhe në më shumë se dhjetëra lokacione në territorin e Maqedonisë. Kemi vepruar në koordinim […]
Katër persona janë arrestuar në aksionin e djeshëm në kompani dhe shtëpi në Strumicë, Shkup dhe Gostivar, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski gjatë vizitës së sotme në Ohër, transmeton Portalb.mk.
“Aksioni i djeshëm ishte mjaft i gjerë dhe në më shumë se dhjetëra lokacione në territorin e Maqedonisë. Kemi vepruar në koordinim me Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar me urdhër të gjyqtarit në procedurë paraprake, si dhe me institucione të tjera shtetërore si DAP, Ministria e Financave dhe Doganat. Ky është një nga rastet që lirisht mund të them se ka dyshime të bazuara se ky është një krim epik që fatkeqësisht edhe një herë është në kurriz të buxhetit të Maqedonisë, gjegjësisht parave të popullit”, tha Toshkovski.
Ai shtoi se informacionet fillestare janë se bëhet fjalë për shuma milionëshe që janë rezultat i disa krimeve, evazion fiskal, mashtrim tatimor dhe pastrim parash.
Prokuroria për krimin e organizuar dhe korrupsionin njoftoi dje se ka lëshuar urdhër për kontrollin e një banese dhe ambientesh të tjera në disa lokacione në disa qytete. Janë sekuestruar dokumente të shumta dhe të dhëna elektronike, të cilat do të analizohen.
Prokuroria njoftoi se në aksion kanë marrë pjesë DAP, policia dhe hetuesit e saj, ndërsa ministrja e Financave Gordana Dimitrievska Koçoska në Facebook u mburr se ka marrë pjesë personalisht në aksionin në Strumicë, i cili lidhet me persona që dyshohet se janë të afërt me ish-kryeministri Zoran Zaev.