Transparencë dhe mbikëqyrje më e madhe e reklamimit të paguar politik në mediat online në RMV

Është e nevojshme të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është premisa bazë nga e cila filloi zbatimi i projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, të cilin e implementon Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) së bashku me Fondacionin Metamorfozis. Si kulminacion […]

Mars 5, 2025 - 14:00
 0  5
Transparencë dhe mbikëqyrje më e madhe e reklamimit të paguar politik në mediat online në RMV
Foto: Meta.mk

Është e nevojshme të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është premisa bazë nga e cila filloi zbatimi i projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, të cilin e implementon Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) së bashku me Fondacionin Metamorfozis. Si kulminacion i këtij projekti, sot filloi konferenca dyditore me të njëjtën temë, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Metamorfozis, Bardhyl Jashari, qëllimi kryesor gjatë zbatimit ishte identifikimi i zbrazëtirave dhe dobësive kritike në lidhje me mediat online në Maqedoninë e Veriut dhe financimin e partive politike dhe integritetin zgjedhor.

Në kuadër të projektit u krye edhe monitorimi i disa mediave online gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

“Gjatë monitorimit u fokusuam në mediat online sepse ato luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në fushatat mediatike”, theksoi Jashari.

Ai përkujtoi se në zgjedhjet e fundit parlamentare, në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) u regjistruan madje 251 portale në internet për të ofruar reklama me pagesë.

“Sipas raportimeve, 150 prej këtyre mediave (60%) kanë publikuar reklama me pagesë”. Gjithsej, vlerësohet se gjatë zgjedhjeve parlamentare, portalet kanë marrë 811,013 euro fonde publike. Këto gjetje e nxjerrin në pah rolin ndikues të partive dhe portaleve në internet në formësimin e perceptimeve të publikut për fushatën zgjedhore dhe kandidatët”, shtoi ai.

Në fjalën e saj hyrëse, Joanna Kozma, drejtoreshë e Zyrës së IFES-it në Maqedoninë e Veriut, theksoi se qëllimi i kësaj ngjarjeje është të lehtësojë shkëmbimin e praktikave të mira ndërkombëtare dhe rregulloreve për mbikëqyrjen e fushatave politike dhe të mediave online gjatë zgjedhjeve, si dhe të shihet nëse disa nga ato praktika mund të inkorporohen në praktikën kombëtare dhe në kornizën ligjore.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

Në kuadër të sesionit me titull “Numërimi mbrapsht deri në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Si të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politike gjatë fushatës mediatike, duke përfshirë edhe në portalet në internet”, u diskutua mbi mënyrat e mundshme për të përmirësuar mbikëqyrjen, raportimin dhe transparencën e portaleve në internet gjatë zgjedhjeve – me theks në sfidat aktuale rregullatore, etike dhe praktike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme?

Maksim Acevski, kryerevizor shtetëror në Entin Shtetëror të Revizionit, theksoi se institucioni shpenzon burime të vlefshme njerëzore dhe para për monitorimin e procesit zgjedhor, të cilin vazhdimisht e monitoron një sektor i tërë i përbërë nga revizorë të certifikuar.

“Me vite kemi thënë se ka nevojë për ndryshim të Kodit Zgjedhor, të cilin e miratojnë aktorët politikë pa u konsultuar me ne”, theksoi Acevski. Sipas tij, kjo fushë duhet të rregullohet, veçanërisht në pjesën e portaleve në internet, duhet të përcaktohen kritere për shpërndarjen e mjeteve, si dhe të rregullohet më tej politika ndëshkuese.

Drejtori i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Zoran Trajçevski, në prezantimin e tij përsëriti se ASHAAM-i konsideron se nuk duhet të ketë reklamim të paguar politik nga buxheti i shtetit.

Ai foli edhe për tendencën për të ridrejtuar fushatat zgjedhore në rrjetet sociale. Ai tha se gjatë zgjedhjeve presidenciale është vërejtur se bartësit e funksioneve publike dhe kandidatët kanë përdorur profilet e tyre në Facebook për kryer fushatë të hapur, me transmetime të drejtpërdrejta, fjalime, fotografi dhe video të takimeve të tyre me qytetarët.

“Kështu ata mobilizuan një numër më të madh mbështetësish dhe fituan më shumë shikues. Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale në vendin tonë nuk është fare i rregulluar”, shtoi Trajçevski.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në këtë ngjarje theksoi se kjo ministri ka marrë njërën nga kompetencat që ka të bëjë me politikat në fushën mediatike.

“Portalet janë në numër shumë më të madh në krahasim me mediat tradicionale, edhe pse shumë prej tyre janë fantazmë. Përgatitja e Ligjit për Mediat është në fazë të avancuar, dhe pres që së shpejti ai të gjendet në seancë të qeverisë, dhe më pas në Kuvend”, tha ministri.

Zoran Bogoevski, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përkujtoi se sipas nenit 74 të Kodit Zgjedhor, në vendin tonë paratë për reklamim politik sigurohen nga buxheti i shtetit dhe paguhen përmes KSHZ-së.

“Vetëm për portalet janë dhënë 1,3 milionë euro, që është shumë serioze dhe duhet të jemi të sigurt që këto para të mos keqpërdoren. Është shumë e thjeshtë për t’u krijuar një portal në internet, çdokush mund të blejë një domen, pa asnjë garanci për besueshmërinë dhe cilësinë e tij. Mund të fitojë para, pa mbikëqyrje, për propagandë që bazohet në interesa, e jo në fakte. Ndodh që një person hap portale të shumta për të fituar sa më shumë para gjatë periudhës zgjedhore. Ligjet nuk i mbulojnë portalet në të njëjtën mënyrë si mediat tradicionale, kurse pikërisht ato luajnë një rol kyç në fushatat zgjedhore. Nevojitet një regjistër i mediave online dhe nevojitet kontroll për të përmirësuar statusin socio-ekonomik të gazetarëve”, theksoi Bogoevski.

Projekti “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut” mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.