Tre vjet nga tragjedia e rëndë me autobus në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona nga Maqedonia e Veriut

Më 23 nëntor 2021 ndodhi një prej tragjedive më të mëdha në të cilën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin e autobusit duke u kthyer prej Stambollit. Mrekullisht shpëtuan 7 udhëtarë. Me 13 mars të këtij viti, në Gjykatën Penale të Shkupit u shpall aktgjykimi. Pronari i saj, Bekim Haxhiu u dënua me […]

Nëntor 23, 2024 - 13:00
 0  5
Tre vjet nga tragjedia e rëndë me autobus në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona nga Maqedonia e Veriut
Autobusi i aksidentuar në Bullgari, foto nga Mediapool.bg

Më 23 nëntor 2021 ndodhi një prej tragjedive më të mëdha në të cilën 45 udhëtarë nga Maqedonia e Veriut humbën jetën në aksidentin e autobusit duke u kthyer prej Stambollit. Mrekullisht shpëtuan 7 udhëtarë. Me 13 mars të këtij viti, në Gjykatën Penale të Shkupit u shpall aktgjykimi. Pronari i saj, Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burgim ndërkaq kompania u detyrua të japë 800.000 denarë dëmshpërblim, shkruan Portalb.mk.

Autobusi, sipas Prokurorisë ka dalë nga nga territori i RMV-së me certifikatë licence të falsifikuar dhe për këtë është përgjegjës kompania si subjekt juridik dhe pronari i saj Bekim Haxhiu.

Në sqarimin e aktgjykimit, gjykatësi Ivica Stefanovski tha se Haxhiu nga janari deri në nëntor të vitit 2021, 20 herë radhazi ka kaluar kufirin duke përdorur dokument të rrejshëm – Certifikatë nga licenca për kryerjen e transportit ndërkombëtar në komunikacionin ndërkombëtar.

Portalb.mk ju sjellë një kronologji të ngjarjes

  • 18 nëntor 2021 (e enjte) 

Katër autobusë të agjencisë “Besa Trans” prej Maqedonisë së Veriut janë nisur për ekskursion në Stamboll. Pas disa ditësh shëtitjesh, turistët në mbrëmjen e 22 nëntorit (e hënë) janë nisur për t’u kthyer në shtëpi. Autobusët, e kanë kaluar kufirin Turqi-Bullgari dhe kanë vazhduar rrugën për në Sofje.

  • 23 nëntor 2021 (e martë)

Rreth orës 1.30 kanë ndaluar për pauzë të shkurtër në një pompë benzine në autostradën “Struma” në afërsi të Pernikut (rreth 580 kilometra pasi kanë udhëtuar prej Stambollit dhe rreth 30-35 kilometra afër Sofjes).

Rreth orës 2 autobusët kanë vazhduar rrugën, derisa pas orës 2, vozitësi i autobusit me 52 udhëtarë, i cili ka qenë duke lëvizur i fundit (prej katër autobusët) e ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar duke goditur bankinën. Pas goditjes autobusi është bllokuar te bankinat dhe nuk kanë mundur të hapen dyert. Sipas dëshmitarëve fillimisht është dëgjuar shpërthim i fuqishëm prej pjesës së përparme të autobusit.

Autobusi i aksidentuar në Bullgari, foto nga Mediapool.bg
Autobusi i aksidentuar në Bullgari, foto nga Mediapool.bg

Pastaj, zjarri e ka kapluar pjesën tjetër të autobusit. Disa prej udhëtarëve kanë arritur që ta thyejnë dritaren e pasme dhe 7 prej tyre dalin prej autobusit. 45 të tjerë, fatkeqësisht kanë mbetur brenda, ndërkaq automjeti është djegur tërësisht për disa minuta.

Rreth orës 3, ambulancat, zjarrfikësit dhe Policia arrijnë në vendin e ngjarjes, ndërkaq 7 udhëtarët që kanë shpëtuar, janë dërguar menjëherë në spital.

Bashkë me policët, në vendngjarje kanë arritur edhe prokurorët dhe ekspertët e komunikacionit.

Rreth orës 3 e gjysmë, kryeministri Zoran Zaev e merr lajmin për fatkeqësinë pasi që i janë lajmëruar në telefon kryeministri Stefan Janev dhe presidenti Rumen Radev, transmeton Portalb.mk.

Rreth orës 4, autobusët 3 autobusët tjerë e kanë kaluar pikën kufitare Gjushevë-Deve Bair dhe janë kthyer në Maqedoninë e Veriut.

Rreth orës 6, familjarë të udhëtarëve në rrjetet sociale marrin vesh se ka ndodhur një aksident. Janë përpjekur që t’i marrin në telefon, por pa sukses. Atëherë kanë filluar t’i lajmërojnë agjencisë turistike, por as ata nuk janë përgjigjur.

Rreth orës 8 të mëngjesit, kryeministri Zoran Zaev në rrjetet sociale e kumtoi lajmin se ka ndodhur aksidenti, ndërkaq në mesin e viktimave ka të rinj dhe fëmijë. Ai bashkë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe vetëm se kanë arritur në Bullgari për t’i vizituar të mbijetuarit.

Rreth orës 9, një ekip ekspertësh nga Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë nisur për të shkuar në vendin e ngjarjes.

Rreth orës 11, dyert e agjencisë “Besa Trans” janë të mbyllura.

Kompania "Besa Trans-Shkup", foto: Portalb.mk
Kompania “Besa Trans-Shkup”, foto: Portalb.mk

Përpara objektin qëndrojnë forcat policore, derisa familjarët kërkonin informata për familjarët e tyre.

Rreth orës 13 Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpalli 3 ditë zie, për shkak aksidentit. Nga një ditë zie shpallën edhe Qeveria e Bullgarisë dhe e Kosovës.

Rreth orës 14.30 kryeprokurori Lubomir Joveski dha deklaratë përpara Spitalit “Pirogov” në Sofje, ku janë të hospitalizuar të mbijetuarit. Ai tha se janë të mundshëm dy faktorë për aksidentin, faktori njeri ose parregullsia teknike e automjetit.

Rreth orës 15, trupat e viktimave ende vazhdojnë të tërhiqen nga autobusi. Autopsia do të kryhet në Bullgari, ndërkaq gjurmët biologjike të familjarëve të viktimave do të merren në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe menjëherë do të dorëzohen në Bullgari.

Rreth orës 16:30 kompania “Besa Trans – Shkup”, publikoi një komunikatë në të cilën shprehën ngushëllime dhe njoftuan thotë se janë në kontakt me autoritetet e RMV-së dhe Bullgarisë.

Rreth orës 18, Ministria e Punëve të Jashtme mori informatë zyrtare nga institucionet e Republikës së Bullgarisë për emrat e të mbijetuarve dhe i publikoi.

Rreth orës 19, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, kumtoi se autobusi i cili është djegur në Bullgari, nuk ka pasur licencë për transport të udhëtarëve dhe nuk ka qenë i lajmëruar në sistem.

Rreth orës 22 autobusi i aksidentuar është larguar nga rruga, prokuroria e Bullgarisë.

– Nxënësit e ShF “Ismail Qemali” zhvilluan marsh për nderë 5 nxënësve që humbën jetën në aksidentin në Bullgari.

– Ministria e Transportit dhe Lidhjeve njoftoi se kompanisë “Besa Trans – Shkup” i merret licenca për punë, përkatësisht i ndalohet kryerja e veprimtarisë, transmeton Portalb.mk.

– Gjashtë hetues bullgarë dhe tre prokurorë i nisën hetimet për tragjedinë.

– Drejtoria Doganore informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Dy doganierë janë suspenduar për shkak veprimit të paligjshëm.

– Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup ka përfunduar procedurën për marrjen e materialeve biologjike nga familjarët, me qëllim që të ndihmohet në identifikim e viktimave në aksidentin tragjik në Bullgari.

– Prokuroria bullgare njoftoi se janë gjetur 44 trupa, nuk dihet ku ndodhet një udhëtar nga autobusi i djegur.

– Zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov njoftoi se autopsitë tregojnë se të gjithë kanë vdekur nga asfiksia, kanë thithur tym, që do të thotë se kanë qenë të gjallë dhe kanë vdekur si pasojë e zjarrit, nuk ka pasur shpërthim, ka pasur vetëm djegie intensive.

  • 26 nëntor 2021

– Prokuroria e Bullgarisë njoftoi se gjatë kontrollit shtesë të autobusit, është gjetur edhe një trup i pajetë, kështu që numri i viktimave në aksidentin tragjik u konfirmua se është 45, ndërkaq i të mbijetuarve 7.

– Inspektorët e Transportit kanë realizuar kontrolle në zyrat e “Besa Trans – Shkup” dhe më pas i kanë mbyllur dyert e objektit dhe kanë vendosur letrat ngjitëse të Inspektoratit.

  • 27 nëntor 2021

– Prokurori publik Lubomir Joveski njoftoi se materialet për hetimin e aksidentit të autobusit u janë dorëzuar autoriteteve bullgare.

– Në Qendrën Urgjente të Shkupit kanë arritur dy te mbijetuar nga tragjedia.

  • 29 nëntor 2021

– Edhe tre të tjerë nga shtatë të mbijetuarit e aksidentit të autobusit në Bullgari arritën në RMV.

  • 30 nëntor 2021

– Për herë të parë, pronari i “Besa Transit”, Bekim Haxhiu është paraqitur në një intervistë për BNT-në bullgare. Ai tha se autobusi para se të nisej nga Turqia ka kaluar serviset dhe gjithçka ishte në rregull.

Pronari i "Besa Trans - Shkup" Bekim Haxhiu, foto: Printscreen nga video e BNT
Pronari i “Besa Trans – Shkup” Bekim Haxhiu, foto: Printscreen nga video e BNT
  • 2 dhjetor 2021

– Përfundoi identifikimi i trupave të 45 viktimave të aksidentit të autobusit në Bullgari.

  • 3 dhjetor 2021

Me dy avionë ushtarak, trupat e viktimave prej Bullgarisë arritën në Aeroportin e Shkupit. RMV organizoi pritje me nderime më të larta shtetërore. Në pritjen tek Aeroporti morën pjesë i gjithë kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut në krye me presidentin Stevo Pendarovski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe kryeministrin Zoran Zaev, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentaren e Shqipërisë, Liindita Nikolla, por edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Bullgaria, bashkë me familjarë, përfaqësues fetarë dhe botës së politikës.

Paraprakisht u njoftua se do të ketë kortezh mortor që parashihej të kalonte përgjatë bulevardit “Goce Dellçev”, megjithatë, pas reagimit të familjarëve ajo u anulua.

Trupat e pajetë të viktimave u varrosën, sipas riteve fetare, Portalb.mk mori pjesë në disa prej ceremonive mortore.

Trupat e viktimave të aksidentit u dorëzuan familjarëve, të cilët më pas i varrosën
Trupat e viktimave të aksidentit u dorëzuan familjarëve, të cilët më pas i varrosën
  • 25 janar 2022

– Shefi i shërbimit hetimor të prokurorisë bullgare, Borislav Sarafov deklaroi se hetimi për aksidentin tragjik ka përfunduar. Arsyeja për tragjedinë, sipas Serafov, është se shoferi ka humbur kontrollin e autobusit i cili nuk ka lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar, por me shpejtësi të papërshtatshme të rrugës. Konkluzioni nga hetimi është se arsyeja e vetme është gabimi njerëzor i shoferitSipas tyre janë kontrolluar të gjithë supozimet për prezencë të lëndëve djegëse në autobus dhe siç thonë ata, qartë është konfirmuar se gjëra të tilla nuk ka pasur. Me këtë rasti mbyllet.

  • 5 shtator 2022

– Prokuroria e Shkupit ngriti aktakuzë kundër pronarit të autobusit të “Besa Trans – Shkup”, Bekim Haxhiu për falsifikim të licencës për transport ndërkombëtar.

  • 15 nëntor, 2022

Bekim Haxhiu në daljen e tij para gjykatës tha se e kupton akuzën, por nuk ndihet fajtor.

  • 18 janar, 2023

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit (KSHPK) vendosi të parashtrojë nismë në Qeveri për konstatimin e përgjegjësisë të ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski lidhur me mosnënshkrimin në kohë të ndalesës për kryerje të kontrollit teknik të personit juridik “Via Komerc”, stacion në të cilin pas konstatimit të parregullsive, kontrolli teknik ishte kryer edhe për transportuesin “Besa Trans”.

  • 18, shkurt 2023

Hetuesit që punonin në procedurat parahetimore kundër stacionit për kontroll teknik të kompanisë “Via Komerc Xhemal”, në të cilin ishte regjistruar autobusi i “Besa Transit”, por edhe në paraqitjen kundër ministrit të Brendshëm, Oiver Spasovski, në lidhje me mosnënshkrimin e ndalesës për punë të “Besa Transit”, janë larguar nga Qendra e Hetimeve të Prokurorisë për Krim të Organizuar.

  • 18, prill 2023

Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut konfirmoi për Portalb.mk, se dy doganierët e suspenduar, një ditë pas aksidentit të autobusit të “Besa Trans” në Bullgari, pasi që e kanë lëshuar autobusin të kalojë kufirin pa u evidentuar, janë ndëshkuar, gjegjësisht njëri është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Vazhdon gjykimi në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar.

Procesi gjyqësor për këtë lëndë është në fazën e nxjerrjes së provave, pas çka pritet që Prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve të japin fjalët përfundimtare dhe më pas gjykata të shpall aktgjykimin e shkallës së parë.

Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Portalb.mk e ka ndjekur çdo seancë të këtij gjykimi dhea raportuar vazhdimisht për të njëjtat.

Raportimi i Portalbit për ngjarjen: Tragjedi në Bullgari, 45 udhëtarë të vdekur në aksidentin e autobusit me targa të Maqedonisë