U shty afati për qarkoren e Tetovës: Faza e parë pritet të përfundojë në tetor, u miratua faza e dytë
Është shtyrë afati i përfundimit të fazës së parë për qarkoren e Tetovës në nyjën në fshatin Trebosh që del në fshatin Neproshten. Kjo fazë duhej në përfundonte në maj 2025, ndërkaq është shtyrë për në tetor 2025. Në ndërkohë është miratuar vendimi për fazën e dytë të ndërtimit të qarkores, shkruan Portalb.mk. Edhe pse […]


Është shtyrë afati i përfundimit të fazës së parë për qarkoren e Tetovës në nyjën në fshatin Trebosh që del në fshatin Neproshten. Kjo fazë duhej në përfundonte në maj 2025, ndërkaq është shtyrë për në tetor 2025. Në ndërkohë është miratuar vendimi për fazën e dytë të ndërtimit të qarkores, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse para një viti u promovua me shumë vrull nga funksionarët qeveritarë dhe partiakë, punimet në terren për këtë projekt nuk ecën në të njëjtën formë.
Afati i punimeve aso kohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që në maj 2025 të lëshohej në përdorim.
Megjithatë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb bëjnë të ditur se do të ketë vonesë.
“Faza e parë duhej të përfundonte në maj të vitit 2025, por afati është shtyrë deri më 31.10.2025”, thanë nga Qeveria e RMV-së.
Të njëjtën e konfirmuan edhe nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH).
“Faza e parë e dokumentacionit të projektit është në ndërtim e sipër. Për shkak të rrethanave të paparashikuara, ndërtimi është planifikuar të përfundojë deri në fund të tetorit 2025”, thanë nga NPRRSH.
Në ndërkohë më 26 mars Qeveria miratoi vendim me të cilin dha pëlqim për programin vjetor për ndryshimin dhe plotësimin e planit vjetor për ndërtim, rikonstruksion dhe përmirësimin e rrugëve shtetërore për vitin 2025.
Në kuadër të këtij programi është planifikuar ndërtimi i fazës së dytë të qarkores së Tetovës, nga nyja Trebosh deri në Neproshten.
“Faza e dytë është në projektim. Kur të përfundojë projektimi, shpallet tenderi dhe afatet për ndërtim”, thanë nga Qeveria për Portalbin.
Nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore sqaruan se faza e dytë e dokumentacionit të Projektit është duke u hartuar dhe në Ministrinë e Transportit ku po zhvillohen procedura për plan urbanistik për Drejtori për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, (ZZHTI) dhe projekt urbanistik për nyjen.
“Faza e dytë (nyja Trebosh) do të fillojë të ndërtohet pasi të miratohen procedurat e sipërpërmendura nga Ministria e Transportit, dhe pasi të ketë përfunduar dokumentacioni i projektit në nivelin bazë të projektimit dhe të merret miratimi i ndërtimit”, thanë nga NPRRSH.
Ata theksuan se seksioni rrugor do të vihet në shërbim kur të përfundojë ndërtimi i Bypass-it dhe të krijohen kushtet për vënien e tij në shërbim, pa mos përmendur afat konkret.
Kujtojmë se premtimet për fillimin e punëve për këtë qarkore janë shkelur disa herë.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.
Rruga pritet të jetë e gjatë 5.4 kilometra me gjerësi 6.6 metra. Gjithashtu është e planifikuar për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës të ketë rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunovcë të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.
Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunovcë dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.