U shua zjarri në Bezisten në Strugë, shkaqet dhe dëmet do të përcaktohen në periudhën e ardhshme

Është shuar plotësisht zjarri i cili ka rënë mëngjesin e sotëm në konstruksionin e kulmit të Bezistenit në Strugë, ka konfirmuar për MIA-në komandanti i Njësitit Territorial të Zjarrfikësve (NjTZ) Strugë, Feti Mazari, ndërsa shkaqet që shkaktuan zjarrin dhe dëmi material ende nuk është përcaktuar, transmeton Portalb.mk. Nga Sektori për Punë të Brendshme të Ohrit […]

Nëntor 6, 2024 - 20:00
 0  6
U shua zjarri në Bezisten në Strugë, shkaqet dhe dëmet do të përcaktohen në periudhën e ardhshme
Flakë në Bezisten në Strugë. Foto printscreen nga video-live e Nikola Kukunes në Facebook

Është shuar plotësisht zjarri i cili ka rënë mëngjesin e sotëm në konstruksionin e kulmit të Bezistenit në Strugë, ka konfirmuar për MIA-në komandanti i Njësitit Territorial të Zjarrfikësve (NjTZ) Strugë, Feti Mazari, ndërsa shkaqet që shkaktuan zjarrin dhe dëmi material ende nuk është përcaktuar, transmeton Portalb.mk.

Nga Sektori për Punë të Brendshme të Ohrit kanë thënë për “360 Gradë” se nga zjarri nuk ka viktima apo persona të lënduar dhe se zjarri ka përfshirë njërin nga dyqanet në objekt.

Sipas komandantit të zjarrfikësve në Strugë, për shkak të kompaktësisë së objekteve në bërthamën e vjetër të qytetit, ekzistonte rreziku që zjarri të përhapej edhe në objekte të tjera, por ndërhyrja e shpejtë e tyre nuk lejoi që zjarri të shkaktojë më shumë dëme.

“Kishte rrezik që të prekeshin edhe objekte të tjera, por për fat erdhëm shpejt dhe e shuam. Në flakë u përfshi kulmi i Bezisten, mund të ishte zgjeruar, pro për fat të mirë zjarrfikësit mbërritën në kohë. E fikëm dhe shpëtuam godinat përreth”, tha Mazari.

Zjarri në NjTZ Strugë është raportuar rreth orës 09:30, pas së cilës në vendngjarje kanë ndërhyrë 11 zjarrfikës me tre makina zjarrfikëse.

Nga videot e publikuara në rrjetet sociale, shihej tym i dendur i zi që dilte nga Bezisteni, i cili funksionon si qendër tregtare.

Pronarët e dyqaneve, prej të cilave janë 315 në Bezisten të Strugës dhe që funksionojnë si hoteleri, butikë dhe biznese të tjera, thonë se janë të shqetësuar për zjarrin që ka rënë.

“Çdo qytetar i thjeshtë është i shqetësuar, e jo më ne që kemi biznese këtu që jetojmë dhe varemi nga ky objekt. Kjo është paksa e frikshme. Më vjen keq për ata që kanë pësuar më shumë dëme, e më poshtë në disa shitore do të kemi dëme të ujit”, tha për MIA-n Belki Aziba, pronar i një dyqani.

Sipas tij, kujdesi për Bezistenin duhet të jetë pronarët e dyqaneve, ndërsa komuna dhe shteti duhet të kontrollojnë dhe të marrin masa për respektimin e rregullave të mbrojtjes nga zjarri.

Inspektimi i institucioneve kompetente duhet të përcaktojë shkaqet e zjarrit dhe sasinë e dëmit material të shkaktuar.