VLEN: Inspektorati Shtetëror i Administratës do të sanksionojë shkeljet e Ligjit të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Inspektorati Shtetëror i Administratës
“Projektligji parasheh kompetenca shtesë për Agjencinë e Administratës, duke e bërë atë përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e këtij parimi në institucionet shtetërore. Ai gjithashtu parasheh forcimin e rolit të Inspektoratit Shtetëror të Administratës, duke parashikuar sanksione për institucionet dhe subjektet juridike që nuk respektojnë dispozitat e ligjit. Këto masa duhet të garantojnë një zbatim më të plotë dhe efektiv të tij”. Këtë e zbuluan nga koalicioni VLEN për Portalb.mk, e që ka të bëjë me Ligjin e ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili pritet të zëvendësojë instrumentin e shfuqizuar ‘Balancues’ gjatë punësimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të adresojë mangësitë e identifikuara në legjislacionin ekzistues dhe do të sigurojë një përfaqësim më të drejtë dhe proporcional të komuniteteve në sektorin publik, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë”, zotohen nga koalicioni VLEN.
Nga ana tjetër, nga Fronti Europian janë shprehur të gatshëm për ta ndihmuar koalicionin VLEN në përpilimin e draftit për ligjin.
Deputeti Sali Murat thotë se kanë argumente shumë të forta për sjelljen e një ligji të tillë, por janë në pritje të koalicionit qeveritar, që të përgatisin draft verzionin e tyre.
“Edhe në kohën kur u paralajmërua ne kishim dyshime se një ligj të tillë, sepse disa herë pjesëtarët e Qeverisë thanë se duhet presim, por nga ana tjetër, gjersa presim padrejtësia po u bëhet qytetarëve për përfaqësim të drejtë, veçanërisht, pas anulimit të “Balancuesit”. Ne jemi gati nëse gjendet gjuhë e përbashkët që ta ndihmojmë Qeverinë në këtë sferë, për ligj më të mirë”, deklaroi Murat.
Se sa do të jetë i hapur VLEN për të pranuar propozimet e opozitës, në këtë rast, Frontit Europian, nga VLEN thonë se për 22 vitet që ishte në pushtet, BDI pati mundësinë të kontribuojë në këtë drejtim, por nuk e bëri.
“Ashtu siç nuk realizoi shumë kërkesa të shqiptarëve, sepse ishte e zënë me çështje të tjera, të cilat tani po i kushtojnë me përfshirjen e saj në Listën e Zezë Amerikane. Përkundrazi, BDI keqpërdori mekanizmin e Balancuesit dhe, në fund, propozoi heqjen e tij pa ofruar ndonjë zgjidhje alternative. Tani, si opozitë, BDI ka mundësinë të propozojë amendamente në ligjin e VLEN-it dhe të japë kontribut në miratimin e tij”, thanë nga VLEN për Portalb.mk.
Kujtojmë se, gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.
Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.