VMRO-VLEN reaguan për nismën e Frontit Evropian: Njëra premtoi ruajtje të gjuhës, tjetra akuzoi BDI-në se mundohet të fshehë krimet e veta dhe të LSDM-së

Për nismën e BDI-së “Roja për Gjuhën” kanë reaguar dy partnerët e koalicionit në pushtet, VMRO-DPMNE dhe VLEN. Nga VMRO-ja thonë se BDI bën dramë para Gjykatës Kushtetuese dhe synimi kryesor i tyre është të fshehin krimet e tyre dhe të partnerit të tyre nga LSDM. Nga ana tjetër, VLEN, thotë se nuk do të […]

dhjetor 9, 2024 - 17:00
 0  5
VMRO-VLEN reaguan për nismën e Frontit Evropian: Njëra premtoi ruajtje të gjuhës, tjetra akuzoi BDI-në se mundohet të fshehë krimet e veta dhe të LSDM-së
Konferenca për shtyp e BDI-së para Gjykatës Kushtetuese. Foto: Printscreen nga BDI

Për nismën e BDI-së “Roja për Gjuhën” kanë reaguar dy partnerët e koalicionit në pushtet, VMRO-DPMNE dhe VLEN. Nga VMRO-ja thonë se BDI bën dramë para Gjykatës Kushtetuese dhe synimi kryesor i tyre është të fshehin krimet e tyre dhe të partnerit të tyre nga LSDM. Nga ana tjetër, VLEN, thotë se nuk do të ketë asnjë dëmtim të gjendjes së avancuar të gjuhës shqipe, dhe se opozita manipulon opinionin me skenare të Nikolla Gruevskit, transmeton Portalb.mk.

“BDI me dramën që po bën para Gjykatës Kushtetuese kërkon t’ua fshehë krimet e veta dhe të partnerit LSDM dhe për këtë po proteston. Drama e BDI-së para Gjykatës Kushtetuese është drejtuar së bashku me LSDM-në dhe me sa duket është organizuar nga politikanë të përfshirë në aktivitete kriminale. BDI dhe LSDM kanë frikë se do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha krimet dhe tradhtitë që kanë bërë, ndaj organizojnë protestë para Gjykatës Kushtetuese, që të mos përfundojnë në gjykatë tjetër. BDI dhe LSDM duke e ditur se asgjë nuk do të ndodhë të mërkurën, po fshihen dhe po bëjnë mjegull përmes protestës. Nga BDI-ja dhe LSDM-ja duhet vetëm të dëgjojnë deklaratën e kryeministrit Mickoski, gjithçka do të jetë e qartë për ta”, thuhet në reagimin e VMRO-së.

Koalicioni VLEN në një deklaratë për media, kanë njoftuar se Trupi koordinues ka mbajtur mbledhje, ku, sipas tyre, është diskutuar mbi ngjarjet e fundit dhe retorikën përçarëse të opozitës, e cila, kinse në emër të mbrojtjes së gjuhës shqipe, mundohet të manipulojë opinionin publik, madje edhe me skenare të kopjuara nga Nikolla Gruevski të para 8 viteve me tenda para KSHZ-së.

“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq. Korrupsioni mbi 20-vjeçar ka faturën e vet! Ai të zhvesh nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të bën të papërshtatshëm për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Prandaj, nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të rëndësishme sa është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individë në lista të zeza ndërkombëtare të pretendojë se mbron kauzën shqiptare! Njëra me tjetrën nuk shkon! Të nderuar Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar. Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe. Koalicioni VLEN ka muaj që punon për heqjen e grackave dhe korrigjimin e gabimeve të regjimit të BDI-së”, kanë deklaruar nga VLEN.

Kujtojmë se dje, përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” ku do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese ditë dhe natë, me shatorë e karrige. Kjo vjen si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese e cila më 11 dhjetor pritet të vendosë për disa dispozita të Ligjit të Gjuhëve.

Lënda e Ligjit për Gjuhët u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua këtë vjeshtë, pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të.

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.