Ymeri: Kurti të tregojë pse ka kaq shumë nevojë për të shkuar në zgjedhje
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, konsideron se partitë opozitare nuk kanë qëndrim të njëjtë për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje. Ai thotë se PDK-ja e LVV-ja janë më të përafërta rreth kërkesës për të shkuar në zgjedhje. Ymeri i cili udhëheq me institutin “Mousine Kokolari”, thekson se partitë tjera opozitare, LDK e AAK po […]
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, konsideron se partitë opozitare nuk kanë qëndrim të njëjtë për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje.
Ai thotë se PDK-ja e LVV-ja janë më të përafërta rreth kërkesës për të shkuar në zgjedhje.
Ymeri i cili udhëheq me institutin “Mousine Kokolari”, thekson se partitë tjera opozitare, LDK e AAK po kërkojnë që në zgjedhje të shkojnë përmes dorëheqjes ose shkarkimit të kryeministrit.
Këtë qëndrim të tyre e sheh më të drejtë.
“Tash qartazi nuk ka opozitë të bashkuar edhe nuk mund të flasim për opozitë, ne duhet të flasim për partitë politike të opozitës. Secila prej tyre ka qëndrimin e vet dhe natyrisht që kanë të drejtë të kenë qëndrimin e vet por opozitë të bashkuar aktualisht nuk kemi, gjykuar nga deklarimet publike që i dëgjojmë. Pra ka parti politike siç e dëgjuam PDK-në e cila thotë se po shkojmë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, dakord ky është qëndrimi i PDK-së dhe kanë të drejtë me pas qëndrimin e vet. Dy partitë tjera po thonë që dorëheqja ose shkarkimi i kryeministrit është rruga drejtë zgjedhjeve dhe këtu kjo ka një përplasje”, u shpreh Ymeri.
Ish-kreu i LVV-së, thotë se interesimi i kryeministrit Albin Kurti që të shkohet në zgjedhje është përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Këtë qëndrim, Ymeri nuk e sheh fortë të sinqertë pasi thotë se e kishte shumicën për ta realizuar planin legjislativ.
“Tashmë kryeministri Kurti aktualisht është më i interesuar që të shkojë në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, që është më e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë qëndrim. A do të kishte pranuar kryeministri Kurti që të shkohet në zgjedhje përmes dorëheqjes, unë mendoj që jo, por sidoqoftë mendoj që kjo kishte me qenë një pozicion jashtëzakonisht legjitim i opozitës. Meqë kryeministri Kurti e shfaqi menjëherë një nevojë të jashtëzakonshme për të shkuar në zgjedhje, atëherë duhet të na tregojë së pari pse paska kaq nevojë, pra çka është ajo që mbeti e pabërë nga kryeministri dhe Qeveria të cilët e kanë shumicën në Kuvend dhe nëse ti mua më thua që si kryeministër nuk munde t’i realizojë disa qëllime tua me 50 për qind të votave, sa vota të duhen ty që me mujt me realizua diçka, apo do të bëhesh i sinqertë dhe me dal me thënë kështu: ‘unë këto kam menduar që mund t’i realizojë, nuk kam mundur t’i bëjë e tash e tutje më nuk do të flasë fjalë të cilat janë të pazbatueshme si kryeministër’, por këtë nuk e bën kryeministri sepse nuk do të jetë i sinqertë me elektoratin e vet dhe unë mendoj që opozita duhet me insistua që ai me dal e me tregu të vërtetën”, thotë Ymeri për Ekonomia Online.