Zgjerimi i unionit, prioritet kryesor i KE-së
Në fillim të Qershorit 2024, votuesit në 27 shtetet anëtare të BE-së zgjodhën 720 ligjvënës në Parlamentin Evropian për pesë vitet e ardhshme, raporton Klan. Shumë prej anëtarëve që shërbejnë në Parlamentin Evropian 2019-2024, të cilët janë bërë “fytyrat e njohura” në Ballkanin Perëndimor ruajtën vendet e tyre, ndërsa disa nuk u rizgjodhën. Partia Popullore […]
Në fillim të Qershorit 2024, votuesit në 27 shtetet anëtare të BE-së zgjodhën 720 ligjvënës në Parlamentin Evropian për pesë vitet e ardhshme, raporton Klan. Shumë prej anëtarëve që shërbejnë në Parlamentin Evropian 2019-2024, të cilët janë bërë “fytyrat e njohura” në Ballkanin Perëndimor ruajtën vendet e tyre, ndërsa disa nuk u rizgjodhën. Partia Popullore Evropiane (EPP) ruajti pozitën udhëheqëse në PE pas zgjedhjeve.
Në fund të Nëntorit, shumica e anëtarëve të Parlamentit Evropian votuan në favor të Komisionit të dytë Evropian të kryesuar nga Ursula von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Evropian filloi më 1 Dhjetor, në të njëjtën ditë kur Presidenti i ri i Këshillit Evropian António Costa filloi mandatin e tij.
Marta Kos, Komisionerja e re për Zgjerim, theksoi se zgjerimi do të mbetet i bazuar në merita dhe se disa vende kandidate mund të përfundojnë procesin e anëtarësimit në pesë vitet e ardhshme. Po kështu, Kaja Kallas, Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, tha se “zgjerimi është një investim gjeostrategjik që është në interes të BE-së dhe në pesë vitet e ardhshme na duhen rezultate të qarta”.
Në fillim të Nëntorit, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës votuan në zgjedhjet presidenciale që rezultuan me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Politika ndaj Ballkanit Perëndimor nuk u shfaq në fushatë, por disa analistë pohuan se rizgjedhja e tij mund të nënkuptojë “ringjalljen” e qasjeve që çuan në marrëveshjen e Uashingtonit të pazbatuar për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës nënshkruar në vjeshtën e vitit 2020.
“Duhet ta mbrojmë procesin e anëtarësimit në BE nga bilateralizimi i mëtejshëm, sepse ai po bëhet problem edhe për vetë Bashkimin Evropian”, deklaroi më 28 dhjetor ministri për Çështje Evropiane në Maqedoninë e Veriut, Orhan Murtezani.
Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive. 750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
- LEXO: Murtezani: Duhet ta mbrojmë procesin nga bilateralizimi i mëtejshëm, pasi ai po bëhet problem edhe për vetë Bashkimin Evropian
- LEXO: Ditët e këtij viti numërohen në gishta, RMV-ja ende s’i ka realizuar reformat që kushtëzojnë marrjen e 17 milionë eurove nga Brukseli
- LEXO: Agjenda reformuese e RMV-së identifikon një sërë sfidash, BE-ja do ta monitorojë zbatimin dhe do të vendosë për parat
- LEXO: Brukseli pret që me Agjendën reformuese RMV-ja të miratojë Kod të ri Penal dhe ligj për Prokurorinë
- LEXO: Mickoski dhe Murtezani prezantuan “Agjendën e reformave 2024-2027”, e cila pritet të miratohet nga KE