ZKPSh: Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë kërcënohet pas deklarimeve për rrahjen në një diskotekë në Pejë
Zyrtari i Lartë për Komunikim me Publikun në Prokurorinë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka pranuar kërcënime pas deklarimeve të tij në lidhje me rastin e rrahjes ditë më parë në një diskotekë në Pejë. Këtë e ka konfirmuar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), e cila e ka dënuar këtë kërcënim. ZKPSh-ja thotë se […]
Zyrtari i Lartë për Komunikim me Publikun në Prokurorinë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka pranuar kërcënime pas deklarimeve të tij në lidhje me rastin e rrahjes ditë më parë në një diskotekë në Pejë.
Këtë e ka konfirmuar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), e cila e ka dënuar këtë kërcënim.
ZKPSh-ja thotë se kërcënimi ndaj tij erdhi “si rrjedhojë prononcimeve të punës së tij zyrtare lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e rrahjes në një diskotekë në Pejë, ku ishin të përfshirë shtetas të Republikës së Shqipërisë”.
“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese dhe autoritetet shqiptare do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe do ta trajtojnë me seriozitet të lartë këtë çështje, në mënyrë që kërcënuesi të përgjigjet sa më parë para drejtësisë”, ka thënë ZKPSh-ja.
Dy persona dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga grupi i reperit Noizy.
Ngjarja ka ndodhur në një klub të natës në Pejë, në orët e para të së mërkurës së javës që lamë pas.
Si pasojë, viktimat ishin dërguar në spitalin rajonal ku edhe kanë marrë trajtim.
Një ndër viktimat ka qenë tiktokeri Medi Hiseni.
Ky i fundit madje ka inkriminuar edhe reperin tjetër nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur me nofkën Stresi.
Policia e Kosovës i ka shpallur në kërkim të dy këta të dyshuar, dhe ka lëshuar fletarreste për ta, sikurse edhe për DJ-in e Noizyt, Crax.
Ditën e djeshme, Noizy është arrestuar nga policia në Shqipëri pasi ajo e Kosovës e shpalli në kërkim për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Sipas njoftimit nga policia shqiptare, pos Noizyt është arrestuar edhe DJ-i i tij, i njohur me nofkën Crax, njofton Klankosova.tv.