Zyrtari i NATO-s: Maqedonia e Veriut hyri në Aleancë me emrin e ri kushtetues
Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s me emrin kushtetues dhe ky është emri me të cilin prezantohet, tha një zyrtar i Aleancës Veriatlantike për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA në lidhje me përdorimin e emrit Maqedoni nga presidentja Siljanovska Davkova. Zyrtari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, për ANA-MPA tha se RMV është […]
Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s me emrin kushtetues dhe ky është emri me të cilin prezantohet, tha një zyrtar i Aleancës Veriatlantike për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA në lidhje me përdorimin e emrit Maqedoni nga presidentja Siljanovska Davkova.
Zyrtari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, për ANA-MPA tha se RMV është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe “kontribuon ndjeshëm në sigurinë tonë kolektive”.
Si shembull, ai përmendi ushtarët e dislokuar në misionin e KFOR-it në Kosovë, misionet në Irak, si dhe grupet luftarake shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani.
“Marrëveshja e Prespës hapi rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe kontribuoi në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë të rëndësishme për t’u mbajtur ndërmjet aleatëve. Maqedonia e Veriut hyri në Aleancë me emrin e saj kushtetues dhe me atë emër prezantohet në NATO”, tha zyrtari.