30-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në KiE,Spiropali:Falë arritjeve dolëm nga…
Shqipëria ka shënuar sot 30-vjetorin e anëtarësimit në Këshillin e Europës. Lidhur me këtë, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shpërndarë një mesazh, ku ka vlerësuar këtë moment historik si një hap thelbësor në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut në vendin tonë. Ajo nënvizoi se gjatë […]

Shqipëria ka shënuar sot 30-vjetorin e anëtarësimit në Këshillin e Europës.
Lidhur me këtë, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka shpërndarë një mesazh, ku ka vlerësuar këtë moment historik si një hap thelbësor në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut në vendin tonë.
Ajo nënvizoi se gjatë kësaj legjislature, si rezultat i reformave në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të institucioneve demokratike, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës më 21 prill 2024.
Po ashtu, Spiropali shprehu gjithashtu mirënjohjen për punën dhe kontributin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për angazhimin në të gjitha çështjet kyçe ndër vite.
Mesazhi i Spiropalit:
“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.
Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.
Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.
Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.
Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”
