Presidenti gjerman thirrje për rikthimin e detyrimit ushtarak
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, deklaroi se Evropa nuk ndodhet më përballë një “kërcënimi për luftë”, por është në mes të një lufte të vërtetë, duke akuzuar Rusinë se me agresionin e saj në Ukrainë ka “shkatërruar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”. Në intervistën vjetore për televizionin publik ZDF, kreu i shtetit gjerman […]

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, deklaroi se Evropa nuk ndodhet më përballë një “kërcënimi për luftë”, por është në mes të një lufte të vërtetë, duke akuzuar Rusinë se me agresionin e saj në Ukrainë ka “shkatërruar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Evropë”.
Në intervistën vjetore për televizionin publik ZDF, kreu i shtetit gjerman theksoi nevojën që vendi të nxjerrë mësime nga situata aktuale dhe të rihapë debatin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
“Evropa dhe Gjermania duhet të mbrohen më mirë. Kjo përfshin edhe një rritje të kapaciteteve njerëzore të ushtrisë gjermane (Bundeswehr), e cila nuk mund të arrihet vetëm me rekrutim vullnetar,” u shpreh Steinmeier.
Ai theksoi se është përkrahës i rikthimit të detyrimit ushtarak, duke vlerësuar se në rrethanat aktuale të sigurisë, Gjermania ka nevojë për një ushtri më të madhe dhe më të përgatitur.
Kritika për SHBA-në dhe apeli për Gazën
Presidenti gjerman komentoi edhe mbi përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke kritikuar SHBA-në, konkretisht administratën e mëparshme të Donald Trump, për braktisjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Sipas tij, kjo ka çuar në zhvillimin e mëtejshëm të programit bërthamor iranian dhe ka ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit.
“Pas një procesi të gjatë negociatash, në vitin 2015 u arrit një marrëveshje historike për të kufizuar programin bërthamor të Iranit. Ajo marrëveshje u prish nga qeveria Trump dhe që atëherë Irani ka avancuar me kapacitetet e veta bërthamore,” tha Steinmeier.
Në lidhje me situatën humanitare në Rripin e Gazës, ai bëri thirrje për presion diplomatik ndaj Izraelit nga ana e Gjermanisë, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi që Berlini duhet ta marrë përsipër, për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Izraelin.
Bashkëpunimi me NATO-n dhe mesazh për paqe
Steinmeier vlerësoi si të suksesshëm samitin e fundit të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët evropianë dhe transatlantikë. “Nuk përgatitemi për të bërë luftë, por për ta parandaluar atë,” tha ai.
