33 vjet burg për 13 banorë të Velesit për përdhunim të një të mitureje, aktgjykim për betejën e gjeneratave të ardhshme

Dënimi më i lartë që u shqiptua sot në Gjykatën Penale në Shkup është 5 vjet e 6 muaj burg, ndërsa më i ulëti me kusht. Të 13 të rinjtë nga mosha 22 deri në 32 vjeç u shpallën fajtorë nga gjykata për abuzim seksual me të miturën, filmimin e saj dhe shpërndarjen e incizimeve, […]

Nëntor 21, 2024 - 13:00
 0  6
33 vjet burg për 13 banorë të Velesit për përdhunim të një të mitureje, aktgjykim për betejën e gjeneratave të ardhshme
Gjykata Themelore Penale e Shkupit. Foto: Suad Bajrami

Dënimi më i lartë që u shqiptua sot në Gjykatën Penale në Shkup është 5 vjet e 6 muaj burg, ndërsa më i ulëti me kusht. Të 13 të rinjtë nga mosha 22 deri në 32 vjeç u shpallën fajtorë nga gjykata për abuzim seksual me të miturën, filmimin e saj dhe shpërndarjen e incizimeve, transmeton Portalb.mk.

“Kjo nuk është një betejë e burrave kundër grave, por një betejë e gjeneratave të ardhshme”, tha gjyqtarja Daniela Dimovska, duke e shpallur aktgjykimin në rastin e keqpërdorimit seksual të një të mitur në Veles nga 13 të rinj nga Velesi.

Ajo tha se ky aktgjykim është leksion për mbarë shoqërinë, e cila duhet të pyesë se çfarë po ndodh me të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Ajo ka nxjerrë një detaj të vogël të gjithë procedurës, duke zbuluar se ngjarjet për të cilat akuzohen të dënuarit kanë ndodhur nën ndikimin e drogës.

“Në vend të ngjyrës portokalli, e cila duhet të jetë simbol i dashurisë dhe mirëkuptimit, në këtë rast është ngjyra e pjatës portokalli plot me sasi të pakufizuara të kokainës që ndodhej në tavolinë para të rinjve. Duhet të pyetemi nëse ata kanë kontroll, a e dimë ne se ku shkojnë të miturit, a është kokaina e vetmja gjë që i bën të lumtur ata, a e dinë prindërit se çfarë ndodh me fëmijët e tyre dhe a mund të ndërtojnë ata marrëdhënie të shëndetshme që do të ndërtojnë familjet të shëndosha? Janë këto pyetje për të gjithë shoqërinë”, tha Dimovska.

Përndryshe, nga të dënuarit për këtë vepër më i riu është 22 vjet, ndërsa më i madhi 32 vjet, ndërkohë që veprën e kanë kryer para tri vitesh kur kanë qenë për tre vjet më të rinj.

Dënimet që u shqiptuan ishin si vijon: pesë vjet e gjysmë për të akuzuarin e parë, nga katër vjet e gjysmë për dy nga të akuzuarit dhe për dy të tjerë nga katër vjet burg. Pesë u dënuan me nga një vit e gjysmë burg, ndërsa i akuzuari i fundit me dy vjet burg me kusht, i cili do të ekzekutohet vetëm nëse personi në fjalë kryen një vepër penale në pesë vitet e ardhshme.

Gjykimi filloi më 19 shtator të vitit 2023 ndaj 13 të pandehurve, me ç’rast njëri prej tyre e pranoi fajësinë që në fillim të gjykimit. Disa prej tyre u akuzuan për trafikim të fëmijëve, disa për sulm seksual dhe përdhunim, ndërsa vetëm një prej tyre për prodhim dhe shpërndarje të materialeve pornografike me fëmijëve.

Në fillim të gjykimit gjykatësi i cili atëkohë e udhëhiqte rastin, Osman Shabani, me kërkesë të prokurores publike Milica Gavrillova, vendosi që gjykimi të zhvillohet pas dyerve të mbyllura për të mos i shkaktuar dëm edhe më të madh vajzës së dëmtuar.

Atëkohë u tha se do të prezantohen detaje nga jeta private e të akuzuarve, si dhe rrethana personale dhe intime.

Përveç shpalljes së aktgjykimit, arsyetimi i tij edhe sot ishte i mbyllur për publikun. Paraprakisht të akuzuarit tentuan që t’i evitojnë ekipet e gazetarëve që të mos filmohen në sallën e gjyqit, edhe pse gjykatësja Dimovska u tha se të gjitha ekipet kanë leje për regjistrim nga Gjykata Supreme.

Avokatët e tyre nuk janë të kënaqur me aktgjykimin.

“Ne do ta ankimojmë aktgjykimin, vendimi për të është marrë pa dëshmi dhe bazohet vetëm në deklaratat e viktimës. Hulumtoni dhe interesohuni për të kaluarën e saj dhe do të shihni se personaliteti i saj nuk është pikërisht ashtu siç paraqitet këtu në gjykatë”, tha Valentin Zafirov, avokat.

Të gjithë ishin të lënë të mbrohen në liri,  pavarësisht se Gjykata Penale fillimisht u caktoi masën e paraburgimit, ndërsa vetëm njërit prej tyre arrest shtëpiak.

Mirëpo, gjatë gjykimit Gjykata e Apelit i pranoi garancitë e dhëna me pasurinë e prindërve të tyre dhe i la ata të lirë.

Pothuajse asnjë nga të akuzuarit nuk ka pasuri, ose janë të papunë ose kanë shumë pak pasuri, u lexua nga gjykatësja që është kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Gjatë shqiptimit të aktgjykimit prokurorja përsëri kërkoi masën e paraburgimit për të gjithë të akuzuarit , me përjashtim të atij që është dënuar me kusht. Gjykata u caktoi masën e arrestit shtëpiak për pesë të akuzuarit e parë.

Gjykim i mbyllur për publikun, çfarë thuhej në aktakuzë?

Sipas njoftimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që u  publikua në janar të vitit 2023, i akuzuari i parë, një njëzet e pesë vjeçar nga Velesi, përmes aplikacionit “Instagram” ka filluar të komunikojë me vajzën e cila atëkohë ende nuk i kishte mbushur 14 vjet.

Ai i ka premtuar se do të fillonin një lidhje dashurie, por që në takimin e parë ai e ka filmuar me telefonin e tij.

“Në takimin e parë është bërë material pornografik, të cilin i akuzuari i parë e ka përdorur si kërcënim për ta detyruar vajzën që të vijë në takime të tjera, duke e kërcënuar atë se nëse nuk do pranonte një gjë të tillë, ai do i publikonte dhe shpërndante materialet me përmbajtje intime në rrjetet sociale, gjë që do ta dëmtonte nderin dhe reputacionin e saj”, thuhet në njoftim.

Pas kësaj, në periudhën nga fundi i dhjetorit të vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022 duke përdorur kërcënime ndaj fëmijës dhe duke i përdorur filmimet që i ka pasur në posedim ai u ka mundësuar të akuzuarve të tjerë dhe personave të tjerë të panjohur të kryejnë akte seksuale , me çka ajo është bërë viktimë e trafikimit me njerëz, nëpërmjet aktiviteteve seksuale, shfrytëzimit seksual dhe pornografisë.

Sipas prokurorisë festat janë bërë në banesa të cilat janë marrë me qira enkas për ato në disa lokacione në Veles. Në takime kanë marrë pjesë më shumë persona të cilët fillimisht kanë konsumuar drogë dhe pije alkoolike dhe në një gjendje të tillë kanë kryer akte seksuale ndaj fëmijës.

Akuza u ngritën për 15 persona, por dy persona nga Tetova bënë ujdi me prokurorinë dhe morën dënime me kusht. Në fillim të gjykimit njëri prej të pandehurve u deklarua fajtor dhe u dënua me tre vjet burg.

Burime nga prokuroria për Radion Evropa e Lirë konfirmojnë se i gjithë rasti u zbulua si rezultat i një hetimi tjetër që ishte në lidhje me shitjen e drogave nga dy qytetarët e Tetovës. Në telefonat e tyre u gjetën materiale pornografike, pas çka filluan hetimet për këtë rast.

I akuzuari ka dhënë dëshmi të rreme

Një nga të dënuarit në këtë rast gjatë mbrojtjes së tij ka dhënë dëshmi të rreme.  Për këtë ka dyshime nga prokuroria, e cila tashmë po zhvillon një proces paralel ndaj tij.

Nga PThP NKOK për Radion Evropa e Lirë thanë se gjatë procedurës hetimore prokurorja ka konstatuar se të dyshuarin e ka ndihmuar avokati i tij, pronari i një hoteli dhe një ndërmjetës.

“I dyshuari, mbrojtja e tij dhe një person tjetër kanë kryer vepra penale duke paraqitur dëshmi të rreme me qëllim të paraqitjes së rreme të fakteve në rastin që po zhvillohej. Si rezultat i kësaj prokurori i lëndës ka zhvilluar një procedurë para hetimore, në të cilën janë përfshirë katër persona.

Njëri nga të akuzuarit gjatë procedurës e ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me masë alternative  – dënim me kusht, ndërsa për të tjerët është dorëzuar propozim akuzë”, thuhet në përgjigjen e prokurorit për REL.

Përndryshe, i akuzuari gjatë mbrojtjes së tij ka deklaruar se ka qenë në një hotel në Veles në kohën kur ka ndodhur festa në të cilën vajza është dhunuar dhe se nuk ka qenë i pranishëm në të. Ai si dëshmi e ka prezantuar librin e klientëve të hotelit, por prokuroria dyshoi në vërtetësinë e dëshmive.

Ka dorëzuar propozim akuzë dhe që të katërt akuzohen se kanë kryer vepër penale Falsifikim ose shkatërrim të dokumenteve afariste, Pengim të drejtësisë dhe vepër penale, Paraqitje të dëshmive të rreme. Pronari i hotelit e ka pranuar fajin, ndërsa për të tjerët po vijon procedura gjyqësore.

Aktgjykim i sjellë në Ditën Botërore të Fëmijëve

E përderisa në Gjykatën Penale në Shkup u shqiptua aktgjykimi Qeveria e Maqedonisë së Veriut shënoi Ditën Botërore të Fëmijëve me mbajtjen e një seancë qeveritare nën moton “Dëgjoni të ardhmen”. Kombet e Bashkuara 18 Nëntorin e kanë shpallur si ditë kushtuar parandalimit të abuzimit seksual të fëmijëve.

Sipas OKB-së 18 Nëntori nuk është një ditë që duhet kremtuar, por që duhet të shërbejë si një përkujtim se viktimat e dhunës duhet të dëgjohen që ta dinë se nuk janë vetëm.

Sipas hulumtimeve të fundit në mbarë botën viktimat më të shpeshta të dhunës seksuale janë vajzat. Vlerësohet se gjatë vitit të kaluar rreth 120 milionë gra nën moshën 20 vjeçare kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës seksuale.