Dita e dytë në Shkup pa transport publik, nuk mund te shkohet në punë apo shkollë

Edhe sot në mëngjes në rrugët e Shkupit nuk ka autobusë të transportit publik. Nafta për autobusët nuk ka mbërritur mbrëmë e as mëngjesin e sotëm, kështu që autobusët kanë mbetur të parkuar në bazat në Avtokomandë dhe Gjorçe Petrov. Qytetarët presin autobusë në stacionet e autobusëve, pasi nuk kanë rrugë tjetër për të shkuar […]

Nëntor 21, 2024 - 13:00
 0  6
Dita e dytë në Shkup pa transport publik, nuk mund te shkohet në punë apo shkollë
Pritjet për autobusë të NTP-së. Foto e marr nga profili i @Mircev në Twitter (X)

Edhe sot në mëngjes në rrugët e Shkupit nuk ka autobusë të transportit publik. Nafta për autobusët nuk ka mbërritur mbrëmë e as mëngjesin e sotëm, kështu që autobusët kanë mbetur të parkuar në bazat në Avtokomandë dhe Gjorçe Petrov. Qytetarët presin autobusë në stacionet e autobusëve, pasi nuk kanë rrugë tjetër për të shkuar në punë. Por nuk ka autobusë, transmeton Portalb.mk.

Autobusët e NTP-së kanë ndërprerë qarkullimin që prej pasdites së djeshme pasi nuk kishin ku të mbusheshin me naftë. Punonjësit thonë se “Pucko Petrol” nuk u sjell derivatet sepse NTP Shkup ka borxh ndaj kompanisë.

Vetëm 25 nga 33 autobusët me gaz të MAN-it, të cilët janë blerë në mandatin e kryetarit të komunës Petre Shilegov, qarkullojnë. Ata mbushen me metan në pikat e karburantit të Makpetrol.

Këshilli do të mbajë mbledhje urgjente

Këshilli i Qytetit të Shkupit për sot në ora 18:00 do të mbajë seancë urgjente për shkak të situatës me transportin publik të qytetit, e cila kulmoi pasi autobusët e NTP-së prej dje pasdite funksionojnë me numër drastikisht të reduktuar për shkak të mungesës së karbuarntit. Seancën e thirri kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski.

“Mosfunksionimi i ndërmarrjeve publike nën autoritetin e Qytetit të Shkupit, të cilat kanë për detyrë të ofrojnë shërbime jetike për qytetarët, ka arritur kulmin. Më 21 nëntor, Këshilli i Qytetit të Shkupit do të mbajë seancë urgjente me fillim nga ora 18:00. Në kuadër të kompetencave të veta, Këshilli është i gatshëm që përmes një diskutimi konstruktiv të miratojë konkluzionet me të cilat do të kërkojë nga autoritetet, para së gjithash nga kryetarja Arsovska dhe drejtorët që urgjentisht të normalizojnë transportin publik në Shkup dhe të ngrisin nivelin e higjienës”, tha kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, përmes rrjeteve sociale.

Për shkak të krizës me shërbimet publike me të cilën po ballafaqohet kryeqyteti, lideri i Lidhjes Socialdemokrate, Venko Filipçe, dje pasdite ka njoftuar se ka kërkuar nga këshilltarët e LSDM-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit që të iniciojnë seancë urgjente. Në seancën e Këshillit, siç tha ai, grupi i këshilltarëve të LSDM-së do të propozojë masa konkrete, për të cilat ai tha se pret që të gjithë këshilltarët t’i mbështesin për të plotësuar nevojat e qytetarëve.

Për sot në ora 10:30 është paralajmëruar konferencë për media e grupit të këshilltarëve të LSDM-së.

Prej pasdites së djeshme, vetëm një pjesë e vogël e autobusëve të NTP-së – ata që qarkullojnë me gaz, kanë lëvizur, një pjesë e madhe e qytetarëve organizohen dhe grupohen mëngjesin e sotëm për të shkuar në vendet e tyre të punës.

Sindikatat e NTP “Shkupi” dje kanë njoftuar se në kryeqytet qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa pjesa tjetër janë të parkuar në depot e autobusëve në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së derivateve. Shkak për mungesën e naftës për autobusët është një borxh i papaguar ndaj furnitorit “Pucko Petrol”.

Qyteti i Shkupit ia kalon përgjegjësinë për krizën VMRO-DPMNE-së në pushtet, duke theksuar se “është një skenar i menduar për kolapsin e ndërmarrjes”.

VMRO-DPMNE ka shumicën në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Nesër në orën 13:30 është paralajmëruar protestë para zyrës së Arsovskës nga banorët e Shuto Orizarit, të cilët prej kohësh nuk kanë transport publik dhe mbi 25.000 banorë janë shkëputur plotësisht nga qyteti.

Zyra e kryetares Danela Arsovska dje njoftoi se VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski janë fajtorë për faktin se Shkupi është pa transport publik.

Prej se Arsovska është kryetare, transporti publik në Shkup është kolaps dhe nuk funksionon. Nuk ka autobusë të rregullt, duhet të presësh një orë në stacione, dhe kur vjen autobusi është plot me pasagjerë.

Danela Arsovska u bë kryetare e Shkupit si kandidate e VMRO-DPMNE-së me premtimin për transport falas për të gjithë qytetarët dhe blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë.