A do të mund diplomati i ri danez ta përmbyllë dialogun Kosovë-Serbi?

Emër i ri me mision të vjetër. Diplomati danez Peter Sorensen, tashmë është caktuar që të jetë Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili do ta zëvendësoj Miroslav Lajçakun, diplomatin sllovak. Emër i ri ky emërimi i diplomatit danez, por misioni është i vjetër. Do të merret kryesisht me dialogun Kosovë-Serbi, temë

Jan 24, 2025 - 19:00
 0  5
A do të mund diplomati i ri danez ta përmbyllë dialogun Kosovë-Serbi?
a-do-te-mund-diplomati-i-ri-danez-ta-permbylle-dialogun-kosove-serbi?

a-do-te-mund-diplomati-i-ri-danez-ta-permbylle-dialogun-kosove-serbi?

Emër i ri me mision të vjetër. Diplomati danez Peter Sorensen, tashmë është caktuar që të jetë Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili do ta zëvendësoj Miroslav Lajçakun, diplomatin sllovak.

Emër i ri ky emërimi i diplomatit danez, por misioni është i vjetër. Do të merret kryesisht me dialogun Kosovë-Serbi, temë kjo e shtruar në tavolinën e BE-së tash e disa vite, por pa pasur epilog kjo çështje.

Sorensen i cili detyrën e fillon në fillim të shkurtit, pak ditë para se në Kosovë të mbahen zgjedhjet parlamentare, do të ballafaqohet me dy vende, për një synim: arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe prej emisarit Miroslav Lajçak, i cili në SHBA e kishte një administratë të butë, atë të Biden, emisari danez në SHBA, do ta ketë një administratë shumë më të rreptë, e cila mund të afektojë edhe në detyrën e tij prej përfaqësuesi special.

 

Ish-kryenegociatori Arifi:  Sorensen e njeh mirë Kosovën, por shtytja e dialogut nuk varet nga ai, por nga palët

Ish-kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, për FrontOnline e ka vlerësuar si pozitive  zgjedhjen e Peter Sorensen si përfaqësues të Bashkimit Evropian për dialogun, duke theksuar përvojën e tij të gjatë diplomatike.

“Peter Sorensen është një diplomat me përvojë të gjatë, ku një pjesë e madhe e saj është arritur duke shërbyer në Kosovë dhe rajon” tha ai.

Arifi ka theksuar gjithashtu se Sorensen ka një njohuri të thellë të situatës në Kosovë, duke theksuar se e njeh mirë Kosovën dhe pothuajse të gjithë protagonistët dhe thelbin e problemeve.

‘’ E njeh mirë Kosovën dhe pothuajse të gjithë protagonistët dhe thelbin e problemeve’’ shtoi ai.

Megjithatë, Arifi ka theksuar se shtytja e dialogut nuk varet vetëm nga përfaqësuesi i BE-së, por varet nga palët në bisedime.

‘’Shtytja e dialogut nuk varet vetëm prej tij, por varet nga palët në bisedime e mbi të gjitha me seriozitetin që BE ka në këtë çështje’’ përfundoi ai.

 

 

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj: Peter Sorensen, përpjekje e BE për të zgjidhur tensionet në dialogun Kosovë-Serbi

Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj për FrontOnline, ka komentuar emërimin e diplomatit danez Peter Sorensen si Përfaqësues të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, duke e cilësuar këtë si një përpjekje të BE-së për të dhënë fund tensioneve dhe për të pasur një rezultat konkret në dialogun e stërgjatur mes dy vendeve.

“Emërimi i diplomatit me përvojë, danezit Peter Sorensen, si Përfaqësues i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, është edhe një përpjekje e BE për t’i dhënë fund tensioneve dhe dialogut tashmë të stërgjatur ndërmjet dy vendeve tona fqinje.” tha ai.

Ai ka kritikuar edhe qasjen e liderëve të Kosovës dhe Serbisë në këtë proces.

“Fatkeqësisht, as Vuçiqi dhe as Kurti nuk e kishin marrë këtë temë seriozisht, por më shumë e shndërruan si agjendë elektorale për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tyre.” potencoi ish-ambasadori.

Dedaj gjithashtu ka vlerësuar përvojën e Sorensens, duke theksuar se ai ka përvojë edhe në institucionet e OKB dhe njëkohësisht ka qenë edhe përfaqësues në Bosnje dhe Hercegovinë, pra është i njohur me temat e nxehta të Ballkanit Perëndimor, si dhe të Kosovës e Serbisë.

‘’ Diplomati Petersen ka përvojë edhe në institucionet e OKB dhe njëkohësisht ka qenë edhe përfaqësues në Bosnje dhe Hercegovinë,pra është i njohur me temat e nxehta të Ballkanit Perendimor si dhe të Kosovës,’’ tha Dedaj.

Ish-ambasadori ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale.

“Në njëren ane e kemi putinistin Vuçiq i cili nuk ka treguar gatishmëri për të njohur realitetin e ri dhe pavarësinë e Kosovës, duke manipuluar me kartat e perendimit dhe te lindjes. Nga ana tjeter diplomacia e Kosovës për këto pesë vite të qeverisjes së VV ishte tëresisht e kotë dhe e dështuar në politikat e jashtme dhe raportet me partnerët euroatlantik dhe vendet fqinje,duke përfshirë edhe vetë Serbinë’’ deklaroi Dedaj.

Dedaj ka bërë thirrje që diplomati Sorensen dhe Qeveria e re e Kosovës pas 9 shkurtit të koordinohen ngushtësisht me Administratën e SHBA të Presidentit Trump, nëse synojnë një zgjidhje përfundimtare, njohje të ndërsjellta, stabilitet dhe progres në Kosovë dhe rajon.

‘’Diplomati Soren Petersen por edhe Qeveria e re e Kosovës,pas 9 shkurtit, duhet të bashkëveprojnë dhe të koordinohen më ngushtë me Administratën e SHBA të Presidentit Trump,nese synojnë zgjidhje përfundimtare,njohje të ndersjellta,stabilitet dhe progres ne Kosovë dhe rajon!’’ përfundoi Dedaj.

 

Ish-ambasadorja Lama: Emërimi i Sorensen nuk do të vonojë, vonesat vijnë nga zgjedhjet në Kosovë

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, për FrontOnline, ka komentuar emërimin e diplomatit danez Peter Sorensen si Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se nuk beson që ky emërim do të shkaktojë vonesa në proces.

 “Jo, nuk mendoj se emërimi i z. Sorensen do të vonojë. Në fakt, vonesat do të shkaktohen nga zgjedhjet në Kosovë që mbahen më 9 shkurt.”, tha ajo.

Lama ka theksuar gjithashtu rëndësinë e formimit të Qeverisë së re pas zgjedhjeve, duke shtuar se pa formimin e qeverisë së re, nuk do të ketë ndonjë hap në këtë proces.

‘’Dhe pa formimin e Qeverise se re, nuk do te kete ndonje hap ne kete proces’’ deklaroi ajo.