A lejohet përdorimi i celularëve në shkolla? Qëndrime nga Haraçina, Kumanova, Kërçova, Likova dhe Saraji

Komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular për nxënësit në shkolla. Ndërkaq, përderisa një pjesë e drejtuesve të shkollave thonë se kanë vendosur rregull për ndalimin e telefonave, disa të tjerë nuk kanë marrë vendim të tillë sepse thonë se ndalesa duhet të bëhet me ligj. Megjithatë, […]

Mars 30, 2025 - 12:00
 0  5
A lejohet përdorimi i celularëve në shkolla? Qëndrime nga Haraçina, Kumanova, Kërçova, Likova dhe Saraji
Shkolla e mesme e gjimnazit "Sami Frashëri" Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular për nxënësit në shkolla. Ndërkaq, përderisa një pjesë e drejtuesve të shkollave thonë se kanë vendosur rregull për ndalimin e telefonave, disa të tjerë nuk kanë marrë vendim të tillë sepse thonë se ndalesa duhet të bëhet me ligj. Megjithatë, të gjithë janë të mendimit se përdorimi i tepërt i telefonave celular i dëmton nxënësit, dhe se ata nuk janë të koncentruar në procesin mësimor. Madje, kujtojmë se nga sfidat e ndryshme në rrjetet sociale janë regjistruar disa raste ku pësojnë të rinjtë, shkruan Portalb.mk.

Të rinjtë sot shpenzojnë po aq kohë në celularët e tyre sa një punonjës me kohë të plotë, tregon hulumtimi i ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”. Qëndrimi i tepruar në rrjetet sociale, lojëra të dhunshme dhe uebsajte të pakontrolluara, shpie deri te rezultati i dobët në shkolla, por edhe në dëme më të mëdha, posaçërisht ndaj mirëqenies fizike dhe mentale të rinjve.

Debati për atë se a duhet lejuar celulari nëpër shkolla bëhet sa herë aktual pas ndodhive tragjike siç kemi parë raste të dhunshme si në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e Serbi ku influencat e ndryshme nga rrjetet sociale shpallen fajtore për sjelljet devijante të të rinjve.

Në shkurt të këtij viti, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska deklaroi se ishte dakord që nxënësit të mos kenë celularë, dhe se ata do të fokusohen më shumë në njohuri. Ajo kujtoi se shkollat ​​janë nën juridiksionin e komunave dhe komunat së bashku me drejtuesit e shkollave do ta marrin atë vendim. Komunat me shumicë maqedonase, Komuna e Aerodromit dhe Komuna e Qendrës vendosën të ndalojnë përdorimit të telefonit celular nga fillimi deri në fund të orëve të mësimit.

Portalb.mk kontrolloi si qëndron situata në komunat me shumicë shqiptare në RMV. A kanë vendim dhe rregullore në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollave për ndalimin e përdorimit të telefonave celular për nxënësit.

Në këtë seri tekstesh, kemi pyetur Komunën e Haraçinës, Komunën e Kumanovës, Komunën e Kërçovës, Komunën e Likovës, dhe Komunën e Sarajit.

Qëndrimi i komunave

Nga Komuna e Haraçinës theksojnë se është në proces vendimi për ndalimin e përdorimit të telefonave nëpër shkolla fillore.

“Ne si komunë pasi të kemi marrë këto vendime nga shkolla do t’i procedojmë deri tek këshilli komunal për të sjellë si vendim. Ne si komunë në parim jemi kundër mbajtjes së telefonave në shkollë nga ana e nxënësve edhe pse nga informacionet që kemi nga udhëheqësit e shkollave për momentin praktikohet ndalesa për telefona”, thanë nga Komuna e Haraçinës.

Ndërsa nga Komuna e Kumanovës theksuan se ky vendim mbetet në dorën e drejtuesve të shkollave nëse do të zbatohet apo jo.

“Në një takim me të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme me udhëheqësin e sektorit dhe sekretarin e Komunës së Kumanovës u shqyrtun dhe u diskutuan disa çështje, mes së cilave edhe përdorimi dhe keqpërdorimi i telefonave mobilë nga ana e nxënësit gjatë orëve të mësimit. Drejtorët shprehen qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre mbi mënyrat e mundshme për të tejkaluar këtë problem. Megjithatë vendimi nëse do të pranohet dhe si do të zbatohet mbetet në dorën e secilës shkollë”, thanë nga Komuna Kumanovës.

“Kjo çështje është në fokus të vëmendjes sonë dhe po i japim rëndësinë e duhur. Në ditët në vijim, kryetari i komunës së bashku me udhëheqësin e sektorit të arsimit do të organizojnë takime me drejtorët e shkollave. Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet gjerësisht për këtë çështje dhe do të shqyrtohen të gjitha aspektet e mundshme të një vendimi të tillë”, thanë nga Komuna e Kërçovës.

Nga Komuna e Sarajit thonë se duhet ndaluar telefonat për nxënësit nëpër shkolla.

”Pasi konsiderojmë se paraqet pengesë në procesin edukativo arsimor dhe në masë të madhe shpërqendrojmë koncentrimin e nxënësve me atë edhe ulin suksesin. Në kontinuitet e diskutojmë këtë problematikë me drejtoritë e shkollave dhe gjithë e pranojnë si masë të nevojshme largimin e celularëve”, thanë nga Komuna e Sarajit.

Çfarë thonë udhëheqësit e shkollave?

Në lidhje me këtë çështje Portalb.mk bisedoi me Xhavit Imerin drejtorin e shkollës fillore “Gjergj Kastriot Skenderbeu” në Komunën e Haraçinës. Ai thotë se duhet patjetër të ndalohet përdorimi i telefonave nëpër shkolla.

“Kemi mbajtur mbledhje me këshillin e prindërve dhe të gjithë ishin dakord për ndalimin e telefonave në shkollë. Ne si shkollë kemi informuar prindërit, dhe bëjmë kontrolle të vazhdueshme për parandalimin e tyre, që të ketë ndikim pozitiv dhe nxënësit do të jenë më të koncentruar në mësim. Plani jonë është që në fillim të ndalohen pastaj do të shikojmë edhe suksesin e nxënësve sa do të jetë dhe se a kanë qenë pengesë telefonat”, deklaroi Imeri.

Gjithashtu biseduam edhe me Refik Xhemaili drejtorin e shkollës fillore komunale“Abdyl Frashëri” në Haraçinë. Ai tha se vendimi nuk mund të zbatohet menjëherë por gradualisht, duke i angazhuar nxënësit me aktivitete të tjera të ndryshme.

“Kjo dukuri negative duhet të eliminohet në bashkëpunim dhe koordinim me prindërit. Ne si shkollë kemi bashkëpunim me prindërit sidomos kujdestarët e klasave, dhe duke i motivuar fëmijët me projekte të ndryshme si: gara sportive, lexim, hulumtime si dhe aktivitete të tjera jashtë kohës së mësimit. Komunikimi me prindërit ka qenë i suksesshme edhe kur nuk kanë ekzistuar telefonat mobilë, prandaj komunikimin me prindërit për çfarëdo rasti mund të realizoj në forma të ndryshme”, tha Xhemaili.

Në Komunën e Kumanovës e pyetëm Adelina Behlulin drejtoreshën e shkollës së mesme të mjekësisë “Nace Bugjoni”. Ajo thotë se është e pajtimit që të ndaloj përdorimin e telefonave për nxënësit, edhe pse ende nuk ka ndonjë ligj për këtë.

“Ne si staf udhëheqës i shkollës jemi plotësisht të mendimit që telefonat të ndalohen gjatë procesit mësimor, meqë përdorimi i tyre shpesh sjellë pasoja si për mësimdhënësit, ashtu edhe për nxënësit. Edhe pse nuk kemi ende ndonjë ligj në fuqi që është adresuar në shkollë, këtë e kemi diskutuar dhe aplikuar pjesërisht. Mendoj që aspak nuk ndikon në komunikimin me prindërit edhe në raste urgjente, sepse zakonisht lajme të tilla emergjente rrallë herë u komunikohen fëmijëve drejtpërdrejt me anë të celularëve. Por, edhe në raste të tilla ekzistojnë pushimet mes orëve kur nxënësit mund të kontrollojnë për thirrjet apo mesazhet eventuale”, tha Behluli. 

Pamje nga oborri i shkollës SHMTK "Nace Bugjoni" në Kumanovë, vend për mbajtjen e lëndës së sportit mbrapa shkollës. Foto nga Portalb.mk
Pamje nga oborri i shkollës SHMTK “Nace Bugjoni” në Kumanovë, vend për mbajtjen e lëndës së sportit mbrapa shkollës. Foto nga Portalb.mk

Biseduam edhe me Muhamet Zeqirin drejtorin e shkollës fillore komunale “Naim Frashëri” në Kumanovë. Ai tha se ka tre vite që e ka sjell vendimin për ndalimin e tefolonave celular për nxënësit.

“Ndikimi është më se evident sa i përket disiplinës dhe cilësisë në procesin edukativo arsimor. Për nxënësit të cilët kanë nevojë për të komunikuar me prindërit e tyre kemi para parë protokolle ku në çdo moment nxënësve t’u dalim në ndihmë që të komunikojnë me prindërit e tyre. Vazhdimisht të përcjellën nxënësit që të respektohen protokollet e para parë”, tha Zeqiri.

Pamje nga shkolla fillore “Naim Frashëri” Kumanovë. Foto Portalb.mk
Pamje nga shkolla fillore “Naim Frashëri” Kumanovë. Foto Portalb.mk

Shkelqime Bekteshi drejtoresha e shkollës fillore komunale “Gjergj Kastrioti Skëndërbeu” në Komunën e Kërçovës. Ajo tregoi se kanë biseduar me prindërit e nxënësve dhe se shumica janë të mendimit që të ndalohet telefoni në shkollë.

“Mendoj se duhet të ndalohet përdorimi i telefonit në shkollë sidomos gjatë orarit mësimor, kemi mbajtur dhe një takim me prindërit dhe shumica janë të mendimit se duhet të ndalohet telefoni në shkollë. Bashkërisht me kujdestarët e klasave kemi njoftuar prindërit dhe nxënësit dhe u është bërë me dije se nuk guxojnë të përdorin telefonin në orët mësimit sepse keqpërdoret nga ana e nxënësve dhe do te ketë masa për thyerjen e rregullores”, tha Bekteshi.

Për Portalb.mk u shpreh edhe Festim Ahmedi drejtori i shkollës të mesme komunale “Drita” në Kërçovë. Ai thotë se nëse nxënësit kapen me telefon në dorë gjatë orës mësimore menjëherë i merret telefoni dhe i dorëzohet në shërbimin pedagogjik.

“Përveç se prindi ose tutori mund ta rimarrë telefonin, ne nde nuk kemi ndërmarrë asgjë më serioze se sa kjo që sapo ua theksova. Nëse vjen që kjo të marrë një formë më konkrete të ndalimit rigoroz të telefonave në shkollë atëherë do të mendojmë edhe për vende të posaçme të ruajtjes së tyre, siç mund të jenë kasaforta edhe pse për momentin nuk kemi kushte për realizimin e të njëjtave”, tha Ahmedi.

Shkolla mesme komunale “Drita” në Kërçovë. Foto e marrë nga rrjeti social facebook.
Shkolla mesme komunale “Drita” në Kërçovë. Foto e marrë nga rrjeti social facebook.

Biseduam edhe me Lutfi Sherifin drejtorin e shkollës fillore komunale “Faik Konica” në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës. Ai tregoi se janë duket përgatitur një rregullore për miratimin e këtij vendimi.

“Mendoj se telefonat celular duhet të ndalohen nëpër shkolla, gjithashtu jemi konsultuar dhe kanë qenë dakord edhe këshilli i prindërve. Po ashtu jemi në përpunim për të përgatitur rregullore me miratim të këshillit të shkollës por akoma nuk është në fuqi ky vendim”, tha Sherifi.

Kurse Isni Aliji drejtori i shkollës së mesme komunale “Ismet Jashari” në fshatin Likovë tregoi se janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular së bashku me këshillin e prindërve.
“Ne si shkollë mendojmë se duhet të ndalohen telefonat për nxënësit gjatë mësimit. Kemi mbajtur mbledhje me këshillin e prindërve ku edhe ata janë dakord që telefonat mos të përdoren në shkollë. Pasi që vetëm kemi filluar ta zbatojmë këtë janë vërejtur ndikime pozitive si në mbarëvajtjen e procesit mësimor, disiplinë, koncentrimi i madh i nxënësve dhe kjo ka ndihmuar në sukses më të lartë. Shkolla ua siguron nxënësve në raste emergjence për të komunikuar me prindërit”, tha Aliji.

Fatime Fetai drejtoresha e shkollës fillore komunale “Diturianë Komunën e Sarajit tha se kanë vendosur rregulla të reja për përdorimit e telefonave për nxënësit.

“Shkolla jonë e konsideron të rëndësishëm të ndalohet përdorimi i telefonave gjatë orëve mësimore. Kjo është një masë për të ndihmuar në ruajtjen e fokusit dhe përmirësimin e disiplinës në klasë. Jemi konsultuar edhe me prindërit për këtë çështje, duke i informuar ata për arsyet dhe qëllimet e këtij vendimi përmes takimeve dhe komunikimeve të ndryshme. Ne presim që ky vendim do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e disiplinës dhe cilësisë së mësimdhënies, pasi do të minimizojë shpërqendrimin e nxënësve dhe do të mundësojë një mjedis më të fokusuar për të mësuar”, tha Fetai.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut së fundmi në dhjetor 2024 u ngrit alarmi për rrjetin TikTok nga lëndimet që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”. Por, ministria e Digjitalizimit tha se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut. Një nismë e ngjashme në RMV u propozua edhe në vitin 2023, por nuk u bë asgjë konkrete. Nga sfida të ndryshme online në RMV janë regjistruar disa raste ku kanë pësuar të rinjtë. Portalb.mk ka trajtuar disa herë temën e përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend.

Në krahasim me RMV, Qeveria e Shqipërisë vendosi të mbyllë rrjetin social TikTok pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.

Në tekstin e radhës do të kemi komunën e Strugës, Studeniçanit, Tearcës, Tetovës, Vrapçishtit, dhe Zhelinës.

Në tekstin e kaluar mund të lexoni për qëndrimet nga Bogovina, Bërvenica, Çairi, Dibra dhe Gostivari