Ahmeti: Jo të gjithë mund të marrin mandat për të vendosur se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët në qeverinë e re në RMV
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot gjatë manifestimit të 22 vjetorit të krijimit të kësaj partie, porositi oponentët politik në Maqedoninë e Veriut të përgaditen për zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm. Në vazhdim ai përmendi arritjet e kësaj partie gjatë mandatëve qeverisëse, si dhe tregoi gatishmëri për inicimin e proceseve hetuese ndaj […]
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot gjatë manifestimit të 22 vjetorit të krijimit të kësaj partie, porositi oponentët politik në Maqedoninë e Veriut të përgaditen për zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm. Në vazhdim ai përmendi arritjet e kësaj partie gjatë mandatëve qeverisëse, si dhe tregoi gatishmëri për inicimin e proceseve hetuese ndaj ish-funksionarët e BDI-së, shkruan Portalb.mk.
“Kundërshtarët tanë politikë le të përgatiten për sfidën e re që pason vitin e ardhshëm në zgjedhjet lokale”, tha Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në fjalimin e tij manifestimin e 22 vjetorit të themelimit të kësaj partie politike, dedikuar trazirave aktuale në bllokun shqiptar pas zgjedhjeve parlamentare.
“Mandatin për formimin e qeverisë mund ta marrë kushdo, por jo të gjithë mund ta marrin mandatin për të vendosur se kush do t’i përfaqësojë shqiptarët në atë qeveri”, tha Ahmeti, duke aluduar në VMRO-DPMNE dhe koalicionin VLEN të cilët kanë paralajmëruar formimin e Qeverisë së re.
Ali Ahmeti para bashkëpartiakëve në Banjicë të Poshtme të Gostivarit, pjesën e parë të fjalimit ia kushtoi arritjeve të kësaj partie politike mbi dy dekada. Ai ka renditur pothuajse të gjitha ciklet zgjedhore në të cilat, siç ka theksuar, kanë fituar.
Nga proceset shoqërore në të cilat patën ndikim, përskaj ndryshimeve kushtetuese, anëtarësimi në NATO, nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, përdorimi i gjuhës shqipe në institucione dhe në jetën publike, pjesëmarrja e shqiptarëve në vendimmarrje në Autoritetet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore u theksuan si më të rëndësishme.
Sipas Ahmetit, BDI ka arritur të afirmohet dhe të marrë poste të rëndësishme ministrore dhe, siç tha ai, kryeministër i parë shqiptar, ai ka folur edhe për situatën aktuale, duke iu referuar thirrjeve të liderëve të caktuar partiakë për përgjegjësi dhe përfshirje në korrupsion të stafit të BDI-së dhe publikisht kërkoi që institucionet përkatëse të nisin procedurat.
“Shtatë vjet po mundohen të na shpifin dhe të merren me BDI-në. I bëj thirrje autoriteteve që të nisin hetimet për të gjithë ata që kanë qenë në pozita drejtuese, duke filluar nga unë”, tha Ahmeti.
Me 2 qershor 2024 Fronti Evropian bëri publike deklaratën e tyre politike të dedikuar të gjitha institucioneve vendore si dhe ndërkombëtare evropiane dhe botërore, në lidhje me situatën politike në vend.
Sipas tyre, ky është hapi i parë i veprimit të këtij koalicionit për të treguar se në çfarë drejtimi rrezikohet “Marrëveshja e Ohrit”, dhe se me hapat që do të ndërmarrin më tej do të luftojnë majorizimin që po e bën partia maqedonase VMRO-DPMNE si formuese e qeverisë së ardhshme në Maqedoninë e Veriut, duke marrë në këtë qeveri koalicionin VLEN.
“Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve. Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht”, thuhet mes tjerash në deklaratë.
VLEN-VMRO finalizojnë marrëveshjen qeveritare
Rikujojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë.
Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.
Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.
Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.
Çfarë është majorizimi?
Majorizimi politik është një term që përdoret për të përshkruar një situatë në të cilën një grup politik apo parti e caktuar përdor shumicën numerike të saj për të dominuar dhe vendosur politika, shpesh duke injoruar apo shtypur zërat e minoriteteve ose grupet e tjera më të vogla. Ky koncept lidhet ngushtë me proceset dhe strukturat demokratike, ku shpesh shumica merr vendimet kryesore, por ku ekziston edhe rreziku i abuzimit me pushtetin nga ana e shumicës.
Çfarë është parlamenti dydhomësh?
Dydhomësia është një lloj legjislativi, i ndarë në dy kuvende, dhoma ose shtëpi të veçanta, i njohur si një legjislaturë dydhomësh. Dydhomësia dallohet nga njëdhomësia, në të cilën të gjithë anëtarët diskutojnë dhe votojnë si një grup i vetëm. Në 2015, rreth 40% e legjislaturave kombëtare në botë janë dydhomësh dhe rreth 60% janë njëdhomësh.
Shpesh, anëtarët e dy dhomave zgjidhen me metoda të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga juridiksioni në juridiksion. Kjo shpesh mund të çojë që dy dhomat të kenë përbërje shumë të ndryshme anëtarësh.
Miratimi i legjislacionit parësor shpesh kërkon një shumicë të njëkohshme – miratimin e shumicës së anëtarëve në secilën nga dhomat e legjislaturës. Kur është kështu, legjislatura mund të quhet shembull i dydhomëshit të përsosur. Megjithatë, në shumë sisteme parlamentare dhe gjysmë-presidenciale, shtëpia ndaj së cilës është përgjegjës ekzekutivi (p.sh Dhoma e Komunave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kuvendi Kombëtar i Francës) mund të rrëzojnë dhomën tjetër (p.sh Dhoma e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Senati i Francës) dhe mund të konsiderohet si një shembull i dydhomëshit të papërsosur. Disa legjislatura qëndrojnë në mes të këtyre dy pozicioneve, me një dhomë në gjendje të rrëzojë tjetrën vetëm në rrethana të caktuara.