Akademia Shqiptare duhet të themelohet dhe pikë

Shkruan: Fitim Nuhiu 02.08.2024 Kohët e fundit politika maqedonase (në pushtet) po përballet me disa ‘turbulenca’ të papritura nga shqiptarët, nga disa kërkesa e nisma që i ka zënë në befasi, kësaj radhe nga koalicioni VLEN, duke u përballur dhe duke mos pranuar nismën e kësaj të fundit për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë […]

gusht 2, 2024 - 19:30
 0  5
Akademia Shqiptare duhet të themelohet dhe pikë

Shkruan: Fitim Nuhiu

02.08.2024

Kohët e fundit politika maqedonase (në pushtet) po përballet me disa ‘turbulenca’ të papritura nga shqiptarët, nga disa kërkesa e nisma që i ka zënë në befasi, kësaj radhe nga koalicioni VLEN, duke u përballur dhe duke mos pranuar nismën e kësaj të fundit për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut.

Kjo nismë sa fisnike aq edhe demokratike dhe e drejtë elementare e një pupulli dhe etnie, duhet të procedohet dhe të merr formë, sepse bota e civilizuar dhe e emancipuar ka disa të tilla në të njëjtin vend, në shumë shtete të saj brenda BE-së (në Belgjikë, Spanjë, në Mbretërinë e Bashkuar, etj). P.sh. Belgjika ka disa akademi të shkencës dhe artit. Më e spikatura është Akademia Mbretërore e Shkencave, Letrave dhe Arteve të Bukura e Belgjikës, e cila përbëhet nga disa seksione të dedikuara për fusha të ndryshme, duke përfshirë shkencat, artet dhe shkencat humane. Përveç kësaj, ka akademi të ndryshme rajonale dhe lokale në të gjithë vendin, në qytete të ndryshme. Në total, ka shumë akademi, por numri i saktë mund të ndryshojë në bazë të mënyrës se si ato janë kategorizuar.

* * *

Koalicioni VLEN me të drejtë thekson se Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoni të Veriut, (citoj) “nuk duhet të shihet si një kundërvënie ose paralelizëm ndaj Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve. Përkundrazi, këtë iniciativë e sheh si një mundësi për bashkëpunim dhe sinergji mes dy akademive, duke promovuar shkëmbimin e ideve dhe përvojave dhe duke kontribuar në përparimin e shkencës dhe artit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”. Mes tjerash thotë se “ky institucion ka për qëllim që të shërbejë si një qendër akademike dhe kulturore, që synon të promovojë dhe zhvillojë dijen dhe krijimtarinë në gjuhën dhe traditën shqiptare, duke kontribuar njëkohësisht edhe në pasurimin e mozaikut multikulturor.”

Nuk do ta quaja institucion paralel sepse kjo tingëllon në kuptim pezhorativ dhe aposteriori frikësues për palën tjetër, porse të dyja këto Akademi brenda Maqedonisë së Veriut do të jenë institucione komplementare sepse plotësojnë veçantinë etnike por edhe mozaikun e diversitetit etnik në këtë shtet multietnik, ku shqiptarët kanë potencial të madh në kuadro shkencore me tituj të ndryshëm kudo në botën e prosperuar, që në fund të fundit mund të kontribuojnë në mendimin dhe kërkimin shkencor edhe në shtetin ku jetojnë. Mirëpo një gjë duhet pasur parasysh se kjo Akademi, duhet pranuar vetëm kuadro të verifikuara, që merren me hulumtime e studime në vazhdimësi që përkojnë me realitetin dhe strandardet e tregut të botës së civilizuar, e të mos bëjë gabime sikur Akademitë tjera, që kanë rehabilituar figura të kompensuara e pensionistë, që s’janë aspak të përditësuar me rrjedhat e zhvillimit të shkencës dhe artit.

Interesante është që zakonisht shqiptarëve iu bien në mend nisma të tilla dinjitoze dhe përmbajtësore vetëm atëherë kur dalin nga pozitat udhëheqëse (pra në opozitë, kur s’i pyet askush), por ndryshe është me këtë nismë aktuale, e për këtë gjë e përgëzoj këtë nismë (edhe pse partiake).

* * *
Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve ka reaguar në lidhje me këtë nismë. Ata thonë (citoj) “se në përbërjen e këtij institucioni në dekadën e fundit ka pasur anëtarë shqiptarë, ndërsa thonë se vendin tonë nuk mund ta përfaqësojë asnjë institucion tjetër në asociacionet akademike ndërkombëtare”.

Ndër të tjerash thonë:

“Nga themelimi e deri më sot, anëtarë të Akademisë kanë qenë pjesëtarë të popullit maqedonas, por edhe të të gjitha bashkësive etnike. Në dekadën e fundit në përbërjen e ASHAM-it ka pasur katër anëtarë të bashkësisë etnike shqiptare (nga të cilët, në tre përbërjet e njëpasnjëshme, njëri ishte sekretar akademik, dhe dy nënkryetarë të Akademisë, prej të cilëve njëri është në udhëheqësinë aktuale), si dhe tre anëtarë jashtë formacionit të punës. Në fund, theksojmë se në Maqedoni, si dhe në vendet e rajonit dhe kudo në botë, ekziston vetëm një akademi kombëtare që përfaqëson shtetin në asociacionet evropiane dhe të tjera ndërkombëtare të akademive.”

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministrit Hristijan Mickoski kundër idesë së partnerëve të koalicionit për Akademinë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut.

“Institucioni i vetëm që e grumbullon mendimin shkencor dhe shkencëtarët e bashkësive të ndryshme etnike në Maqedoni është Akademia Maqedonase e Shkencës dhe Arteve dhe këtu fillon dhe përfundon gjithçka. Çfarëdo tjetër është folklor dhe ndoshta manovrim politik. Unë mendoj se duhet të vazhdojmë të funksionojmë me institucione ku gjenerohet dituri. Ku shkenca është para së gjithash. Nuk ekzistojnë institucione etnike shkencore, nuk ka një shembull të tillë në botë.”

Ndër të tjera ai thumbon dhe ironizon BDI-në, duke deklaruar:

“Na gëzon fakti që partitë shqiptare në Qeveri kërkojnë vend për shqiptarët në shkencë. Ne e mirëpresim dhe kjo tregon një ndryshim nga ajo që bënte BDI, të cilët kërkonin vende vetëm në tenderë dhe kështu u bënë, një parti e gjelbër”.

Nga ana tjetër, opozita shqiptare, konkretisht nga partia BDI, reagimi i tyre ishte i nivelit shumë të ulët, duke e quajtur këtë nismë ‘akademi mëhallash’, për shkak se fillimisht (proceduralisht) mendohet të financohet nga buxheti i komunave shqiptare, e më pas nga buxheti shtetëror. BDI një gjë nuk e kanë kuptuar, se kjo nismë edhe pse partiake, realisht është për t’i përfaqësuar shqiptarët dinjitetshëm në shkencë e art, gjë që ata kanë dështuar jo vetëm në këtë pikë, por sidoqoftë, ia lëmë kohës, sepse vetëm ajo është gjykatësja më e mirë. Asaj i mbetet vetëm të bëjë opozitën konstruktive e asgjë më shumë, por edhe këtë si duket nuk mund mund ta bëj, duke ia ditur hallin e saj përsa kohë që ishte në pozitë.

* * *
Megjithatë, koalicioni VLEN kërkon mbështetjen dhe fton që të gjithë partitë, grupet e interesit, artistë, etj, që kjo nismë të gjejë mbështetje dhe të krijohen kushte për dialog konstruktiv. Ftesën e dërgon edhe në adresën e “Frontit Evropian”, që kryetarët e komunave nga ky koalicion ta mbështesin idenë për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut.

* * *
Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, me ligj të veçantë është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në vitin 1967, si institucion shkencor me rëndësi të veçantë për shtetin, zhvillimin dhe afirmimin e popullit maqedonas. Për 50 vjet me radhë kjo Akademi nuk i ka hapur dyert për shqiptarët vendës, të cilët kanë kontribuar vazhdimisht për financimin e kësaj Akademie nga buxheti i shtetit. Vlen theksuar se për herë të parë pas 35 vjet ekzistence, kjo Akademi ia hapi dyert një shqiptari, shkrimtarit dhe studiuesit Luan Starova, profesor i filologjisë romane, në vitin 2003. Pas kësaj periudhe, anëtarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, nga radhët e shqiptarëve, janë pranuar edhe prof. dr. Aliu Aliu (nga fusha e letërsisë), prof. dr. Alajdin Abazi (nga fusha e shkencave teknike), prof. dr. Abdilmenaf Bexheti (nga fusha e ekonomisë dhe prof. dr. Izet Zeqiri (nga fusha e ekonomisë). Madje duhet theksuar edhe këtë detaj që akademiku i ndjerë Luan Starova u pranua si shkrimtar maqedonas, Alajdin Abazi, edhe pse flet shqip, u pranua si turk dhe vetëm Abdulmenaf Bexeti u pranua si akademik shqiptar.

Nuk duhet harruar fakti që institucioni në fjalë ka prodhuar “dokumente” dhe “enciklopedi” (2009) që fyejnë dhe shtrembërojnë historinë e shqiptarëve, që me taksat e tyre paguajnë ata të ashtuquajtur akademikë, me ide raciste e fashiste. Enciklopedia e së njëjtës Akademi ishte një nga më tendenciozet, e cila jo vetëm që nuk respektonte identitetin e popullit shqiptar, por e trilloi atë, duke ngjallur një sërë reagimesh nga komuniteti shqiptar në vend, Shqipëria, Kosova, por edhe shtete te tjera ndërkombëtare.

Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, qysh nga emërtimi nënkupton se kujt i përket dhe i shërben, e nuk quhet Akademi e Maqedonisë së Veriut, që t’i përket të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve brenda shtetit, pa dallime të përkatësisë etnike, etj… prandaj dihet botërisht edhe fyerjet në mënyrë sistematike që i ka adresuar kundrejt komunitetit shqiptar, gjë që i hap dyert që doemos të themelohet Akademia Shqiptare, jo si kundërpërgjigje, por si e drejtë themelore etnike, e përqindjes shumicë shtetformuese e popullatës së Maqedonisë së Veriut.

Mendoj, se realisht jemi vonuar që nuk e kemi themeluar me kohë një gjë të tillë. Tashmë fatmirësisht rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë drastike dhe shqiptarët kanë krijuar kapacitete dhe kuadro profesionale të specializuara e të dëshmuara në botë dhe është e udhës që doemos të kurorëzohet me një Akademi që të jetë një ombrellë institucionale, si institucion më i lartë kombëtar e shtetëror, që të kujdeset dhe të zhvillojë platformën dhe strategjitë për trungun dhe identitetit kombëtar shqiptar, për veçantinë e historisë së kombit shqiptar që jeton në Maqedoninë e Veriut. Kur jemi në këtë pikë, duhet patur parasysh që Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Tiranë), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (Prishtinë) dhe Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (Shkup), nuk kanë realizuar deri më sot asnjë projekt shkencor serioz për historinë, gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Andaj është dinjitoze të shkruhet dhe të flitet për këtë veçanti etnike kulturore, pra kush supozohet se do të duhet ta plotësojë këtë boshllëk? E këtë më së miri e bën vetëm Akademia Shqiptare e Maqedonisë së Veriut.

Akademia Shqiptare do të jetë një mekanizëm shtesë institucional zhvillimor që i kontribuon shtetit dhe mirëqenies së qytetarëve të vet. Mekanizëm tjetër shqiptar që vlen përmendur është Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, kur Mickoski është ulur me ta njëjtë të bisedoj për zhvillimin ekonomik të shtetit. Nesër i njëjti do të ulet edhe me akademikët, për të biseduar për zhvillimin shkencor e kulturor të po të njëjtit shtet.

Maqedonasit duhet të kuptojnë realitetin e ri tashmë, madje duhet t’i vijë turp kur dikur kanë penguar dhe kundërshtuar nisma të tilla të arsimit sipëror, fjala vie për hapjen e Universitetit të Tetovës, megjithatë, dihet fati i tij, prandaj ata duhet ndërruar qasje urgjentisht, se më shumë turpërojnë veten e tyre me këtë qasje primitive dhe etno-centrike.

Mos humbisni kohë, filloni procedurat ligjore për Akademinë Shqiptare të Shkencës dhe Artit, ajo duhet të themelohet dhe pikë, sepse ndryshe s’bën…!