‘Procesi i Berlinit’, ministri Hoxha: Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ndodhet në Gjermani, ku ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm të Procesit të Berlinit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha ka ndarë pamje nga mbledhja me homologët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së të përfshira në këtë platformë. Në reagim ministri shkruan se takimi u […]

shtator 17, 2024 - 20:00
 0  11
‘Procesi i Berlinit’, ministri Hoxha:  Të shkëmbejmë në kohë reale të dhënat mbi flukset migratore

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ndodhet në Gjermani, ku ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm të Procesit të Berlinit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha ka ndarë pamje nga mbledhja me homologët e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së të përfshira në këtë platformë.

Në reagim ministri shkruan se takimi u fokusua në dy çështje kryesore si, migracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar.

Postimi i plotë i ministrit Hoxha:

Me Ministrat e Brendshëm të Procesit të Berlinit, bashkë me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE-së të përfshira në këtë platformë. Në këtë takim, që u zhvillua në Berlin, aty ku ky proces nisi 10 vite më parë nga Kancelarja Merkel, u diskutua mbi migracionin e paligjshëm dhe krimin e organizuar.

Falënderova për angazhimin dhe përkushtimin që ka në këtë iniciativë të rëndësishme dhe rikonfirmova qëndrimin e Shqipërisë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin rajonal në kuadër të këtij Procesi.

Informova se janë ndërmarrë një sërë iniciativash, që kanë rritur jo vetëm koordinimin me vendet e rajonit dhe të BE-së, por edhe angazhime të përkthyera në objektiva kombëtare bazuar në sfidat aktuale të sigurisë. Për mbetet shumë i rëndësishëm forcimi i mekanizmit kombëtar të riintegrimit.

Propozova krijimin e një kuadri të përbashkët për shkëmbimin në kohë reale të të dhënave dhe analizave mbi flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit drejt BE-së.

Referuar bashkëpunimit operacional kundër krimit të organizuar, theksova se janë ndërmarrë 77 operacione në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, gjysma e të cilave në fushën e narkotikëve dhe trafikimit.

Gjatë këtij forumi, pata takime të veçanta me Zv.drejtorin e Përgjithshëm të DG Home Oliver Onidi, si dhe me ministren e Shtetit për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, në Mbretërinë e Bashkuar, Angela Eagle.

Komisioneri Onidi vlerësoi progresin e Shqipërisë, që sipas tij, ka treguar përkushtim në avancimin e zbatimit të Planit të Veprimit, kundër migracionit të parregullt dhe luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor. Ai nënvizoi rolin e Shqipërisë si një ndër partnerët më të vyer në luftën kundër dukurive të paligjshme, si dhe për hapat kyç që ka ndërmarrë për sigurinë e kufijve të saj, e respektivisht, edhe sigurinë e vendeve të BE-së.

Për procesin e integrimit Komisioneri shtoi faktin se, procesi screening është i përmbyllur dhe se tashmë ka ardhur koha për të kaluar tek negociatat.

Në takimin me ministren britanike, e falënderova për mbështetjen dhe veçova rezultatet e arritura, falë bashkëpunimit mes dy vendeve ku po funksionon Task Forca e përbashkët, në uljen drastike të numrit të migrantëve drejt Anglisë.

Diskutuam gjithashtu për organizimin e një dialogu të përbashkët, mbi luftën kundër krimit të organizuar, si një tjetër hap për të thelluar bashkëpunimin.