Mandati i Xhaçkës/ Debate në konferencën e kryetarëve! Bardhi: Injoruat Gjykatën Kushtetuese! Peleshi: Duhet qartësim

Çështja e mandatit të deputetes Olta Xhaçka është bërë “mollë sherri” edhe në Konferencën e Kryetarëve mes opozitës dhe mazhorancës. Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi ka akuzuar socialistët se kanë injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke abstenuar në seancën e së enjtes. Ndonëse Kuvendi i është drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë një […]

shtator 17, 2024 - 14:00
 0  7
Mandati i Xhaçkës/ Debate në konferencën e kryetarëve! Bardhi: Injoruat Gjykatën Kushtetuese! Peleshi: Duhet qartësim

Çështja e mandatit të deputetes Olta Xhaçka është bërë “mollë sherri” edhe në Konferencën e Kryetarëve mes opozitës dhe mazhorancës.

Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi ka akuzuar socialistët se kanë injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke abstenuar në seancën e së enjtes.

Ndonëse Kuvendi i është drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë një mendim për çështjen “Xhaçka”, Bardhi thotë se kjo kërkesë synon vetëm që të shpëtojë mandatin e deputetes socialiste me procedurë.

“Zonja Kryetare, ju personalisht kishit vendosur të injoronit vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyrë edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkes. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shumë mirë se ai nuk ka efekt detyrimor. Kjo sjellje e juaj rrëzon gjithë propagandën tuaj se gjasme jeni konstruktiv dhe jeni të hapur. Kjo është propaganda pasi veprimet e juaja po na pamundësojnë detyrën. Nuk ka ndodhur kurrë qe Kuvendi të mos zbatoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ju kërkoi që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohë në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedurë. Këtu nuk ka të bëjë me individin pasi për në ikën një Xhaçkë dhe vjen një tjetër, këtu ka të bëjë me parimet kushtetuese. Votimin  e kishit orientuar, mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve. E dinim tri orë para se si do silleshit, ca abstenim e ca kundër. Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese. Po e përsëris po minoni bashkëjetesën me opozitën. Opozita i është drejtuar drejtësisë, ju nuk pyesni për vendimet”-tha Bardhi.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar i PS Niko Peleshi tha në mbledhjen me dyer të mbyllura se PS sipas tij, ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese  dhe se mendimi i “Venecias” është i nevojshëm edhe për të qartësuar situatat e ngjashme që mund të vijnë në të ardhmen.

“Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin; nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen. Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.  Kjo qartësi do të na vlejë neve, dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve”,-tha Peleshi.