Aksioni në ndërtim zbulon shkelje në Kosovë: mbyllen 50 kantiera, dhjetëra kompani drejt gjykatës

Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar shifrat e radhës nga aksioni i madh i inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që nisi pas shtimit të rasteve të vdekjeve në vendin e punës. Aksioni i gjerë i Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, po vazhdon me ritëm të shtuar në sektorin

Prill 23, 2026 - 10:30
Aksioni në ndërtim zbulon shkelje në Kosovë: mbyllen 50 kantiera, dhjetëra kompani drejt gjykatës
aksioni-ne-ndertim-zbulon-shkelje-ne-kosove:-mbyllen-50-kantiera,-dhjetera-kompani-drejt-gjykates

aksioni-ne-ndertim-zbulon-shkelje-ne-kosove:-mbyllen-50-kantiera,-dhjetera-kompani-drejt-gjykates

Inspektorati Qendror i Punës ka publikuar shifrat e radhës nga aksioni i madh i inspektimeve në sektorët me rrezikshmëri të lartë, që nisi pas shtimit të rasteve të vdekjeve në vendin e punës.

Aksioni i gjerë i Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Punës, po vazhdon me ritëm të shtuar në sektorin e ndërtimtarisë, pas rritjes së rasteve të aksidenteve dhe vdekjeve në vendin e punës.

Vetëm gjatë 48 orëve të para të raportimit, rezultatet e publikuara tregojnë për një gjendje shqetësuese në shumë punishte ndërtimore në Kosovë.

Sipas të dhënave zyrtare, janë inspektuar gjithsej 110 vendpunishte, ndërsa në 50 prej tyre është marrë vendim për ndalim të menjëhershëm të punimeve për shkak të shkeljeve të konstatuara në aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 33 vërejtje ndaj subjekteve të ndryshme.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se aksioni po fokusohet në sektorët me rrezikshmëri të lartë, ndërsa në këtë fazë vëmendja kryesore është përqendruar te ndërtimtaria, sektor i cili konsiderohet ndër më problematikët sa i përket kushteve të punës dhe numrit të aksidenteve fatale.

Në raportin e fundit thuhet se vetëm në ditën e gjashtë të aksionit janë realizuar 41 inspektime të reja, të gjitha në sektorin e ndërtimtarisë. Nga këto kontrolle, 16 raste kanë përfunduar me vendim për ndalim të punimeve.

Sipas ndarjes rajonale, dy ndalime janë shqiptuar në Pejë, 11 në Prizren dhe tri në Prishtinë.

Në të njëjtën ditë, inspektorët kanë shqiptuar edhe 13 vërejtje ndaj kompanive ku janë gjetur parregullsi që kërkojnë përmirësim të menjëhershëm, ndërsa në 13 raste të tjera nuk është konstatuar nevoja për ndonjë masë ndëshkuese.

Ndërkohë, në tetë raste është lejuar vazhdimi i punimeve, pasi kushtet janë vlerësuar të pranueshme, ndërsa në 12 raste subjektet kanë eliminuar parregullsitë e evidentuara gjatë kontrollit dhe kanë përmirësuar kushtet e sigurisë.

Inspektorati ka sqaruar se kolona ku figuron numri i ndalimeve të punimeve nënkupton automatikisht edhe numrin e kërkesave për kundërvajtje që do të procedohen ndaj kompanive përkatëse.

Në njoftim bëhet e ditur se në përfundim të aksionit, të gjitha subjektet që kanë rezultuar me ndalim të punimeve do të procedohen automatikisht në Gjykata për kundërvajtje, në përputhje me shkeljet e konstatuara gjatë inspektimeve.

Po ashtu, është paralajmëruar edhe faza e riinspektimeve, e cila do të zhvillohet gjatë ditëve në vijim sipas afateve të përcaktuara nga inspektorët përgjegjës.

“Procesi i Riinspektimeve do të kryhet në ditët në vijim të aksionit sipas afateve kohore të përcaktuara nga Inspektorët për eliminim të parregullësive. Eleminim të parregullësive nënkupton procesin kur subjekti inspektuar ka ndërmarrë veprime në përmirësim të gjendjes së Sshp-së.”, thuhet në njoftim.

Sipas sqarimit të Inspektoratit, eliminimi i parregullsive nënkupton rastet kur subjekti i inspektuar ka ndërmarrë veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sa i përket shpërndarjes së inspektimeve në komunat kryesore të vendit, raporti tregon se në Prishtinë janë inspektuar 12 vendpunishte, në Fushë Kosovë 10, në Ferizaj 13, në Gjilan 12, në Mitrovicë 13, në Lipjan 12, në Podujevë 11, në Drenas 11 dhe në Gjakovë 16.

Për gjendjen në këtë sektor ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili ka vlerësuar se mungesa e vigjilencës dhe pakujdesia e pronarëve të kompanive ndërtimore mbeten ndër arsyet kryesore të vdekjeve në vendin e punës.

Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me mungesën e kushteve teknike, por edhe me dënimet e buta që shqiptohen ndaj kompanive që shkelin rregullat e sigurisë.

Azemi ka deklaruar se edhe dënimet nga gjykatat dhe nga inspektorët janë shumë të lehta dhe nuk krijojnë efekt parandalues.

Ai ka theksuar se kur një punëtor humb jetën në vendin e punës, shpeshherë pronari apo menaxheri i kompanisë ndalohet vetëm për 48 orë dhe më pas lirohet, gjë që sipas tij nuk përkon me seriozitetin e pasojave.

“Edhe dënimet e gjykatave edhe të inspektorëve janë aq të buta sa që s’mund të marrësh me mend. Kur e shohim që një punëtor vdes në vendin e punës, një pronar ose menaxher i kompanisë mund të mbahet për 48 orë në stacionin e policisë dhe pastaj është i lirë. Mendoj që Inspektorati Qendror i Punës duhet të pajiset më shume me inspektorë të punës, inspektorë që dinë të zbatojnë Ligjin mbi Sigurinë dhe Shëndetin në rend të parë. Në rend të dytë, të jenë më vigjilent dhe rastet që i shohin se janë me rrezikshmëri duhet t’i mbyllin deri në një kohë të caktuar”, theksoi Azemi.

Kreu sindikal ka kërkuar që Inspektorati Qendror i Punës të pajiset me më shumë inspektorë profesionalë, të trajnuar për zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Po ashtu, ai ka kërkuar që rastet me rrezikshmëri të lartë të mbyllen menjëherë deri në eliminimin e plotë të rreziqeve.

Sipas Azemit, rreth 70 për qind e rasteve të vdekjeve në vendin e punës në Kosovë vijnë pikërisht nga sektori i ndërtimtarisë, ndërsa mosha mesatare e viktimave është vetëm 38 vjeç.

Sipas tij, nëse respektohet Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, shumë prej këtyre rasteve tragjike mund të shmangen dhe numri i aksidenteve do të binte ndjeshëm.

Aksioni i nisur në fillim të kësaj jave do të zgjasë gjithsej 15 ditë dhe do të shtrihet në shtatë rajone të Kosovës, me synim identifikimin e shkeljeve, përmirësimin e kushteve të punës dhe parandalimin e rasteve të reja fatale në vendpunishte.