Aleanca Franceze me Festën e Muzikës gjallëruan Tetovën (Video)

Përmes aktiviteteve të ndryshme, Aleanca Franceze sot në Parkun e Bletëve në Tetovë shënoi Festën e Muzikës, shkruan Portalb.mk. Programi filloi që në ora 14:00 me muzikë, më pas vijoi me karaoke, pikturë, lojë shahu dhe vijoi më pas me shfaqjen e madhe të Festës së Muzikës. Drejtoresha e Aleancës Franceze në Tetovë, Mimoza Ceka […]

qershor 21, 2024 - 21:01
 0  9
Aleanca Franceze me Festën e Muzikës gjallëruan Tetovën (Video)
Festa e Muzikës në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përmes aktiviteteve të ndryshme, Aleanca Franceze sot në Parkun e Bletëve në Tetovë shënoi Festën e Muzikës, shkruan Portalb.mk.

Programi filloi që në ora 14:00 me muzikë, më pas vijoi me karaoke, pikturë, lojë shahu dhe vijoi më pas me shfaqjen e madhe të Festës së Muzikës.

Drejtoresha e Aleancës Franceze në Tetovë, Mimoza Ceka për Portalb.mk u shpreh s kjo festë në Tetovë festohet gati 20 vite, dy dekada përmes Aleancës Franceze, kuptohet me partnerë të tjerë.

“Përveç muzikës kemi dashur që të vendojmë në pah edhe pjesët tjera të artit, disa vajza që janë talent në vizatim kanë mundësi të pikturojnë, anën tjetër kemi këndin e shahut, tre vendet e para do të pajisen me certifikata“, tha Mimoza Ceka.

Ajo tha se interesimi ishte i lartë për këtë ngjarje, por theksoi se mundet të jetë edhe më mirë.

“Kjo është qëllimi që t’i nxisim mos të thonë se nuk ka aktivitete në Tetovë, ja rreth lumit në këtë fllad. E bukura e së sotshmes është se i mbledh bashkë të gjitha nacionalitetet, kemi valle shqiptare, turke por edhe maqedonase dhe do këndohet në të gjitha gjuhët”, tha Mimoza Ceka.

Të rinjtë dhe qytetarët patën mundësinë gjithashtu që të regjistrohen dhe të bëhen anëtarë të Aleancës Franceze.

Përndryshe, Fête de la musique, e njohur edhe si Dita e Muzikës është festë vjetore e muzikës që zhvillohet më 21 qershor. Këtë ditë qytetarët nxiten të luajnë muzikë jashtë në lagjet e tyre ose në hapësira publike dhe parqe, organizohen gjithashtu edhe koncerte falas ku muzikantët luajnë për argëtim dhe jo për pagesë.

Festa e parë muzikore gjithë ditore u krijua nga Jack Lang, Ministri i Kulturës i Francës, si dhe nga Maurice Fleuret, u festua në Paris më 1982.

Dita e Muzikës më vonë u festua në 120 shtete të botës.