Ali Ahmeti i reagon Albin Kurtit për deklaratën në Politiko

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të bëra në intervistën e mbrëmshme ekskluzive në Kanal 10, duke thënë se ai është informuar gabim për real...

qershor 1, 2026 - 23:32
Ali Ahmeti i reagon Albin Kurtit për deklaratën në Politiko
ali-ahmeti-i-reagon-albin-kurtit-per-deklaraten-ne-politiko

ali-ahmeti-i-reagon-albin-kurtit-per-deklaraten-ne-politiko

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti të bëra në intervistën e mbrëmshme ekskluzive në Kanal 10, duke thënë se ai është informuar gabim për realitetin politik në Maqedoninë e Veriut.

Në një reagim publik, Ahmeti tha se shqetësimi i tij është kombëtar dhe jo partiak, duke theksuar se disa qëndrime po dëmtojnë arritjet historike të shqiptarëve.

“Të nderuar vëllezër e motra, sonte dua para jush të shpreh edhe një shqetësim, jo partiak, por kombëtar. Ca prej nesh në Shkup, por edhe në Prishtinë dhe Tiranë, me vetëdije ose jo, po ia bëjnë argatin të së keqës.”

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Kurtit, Ahmeti vlerësoi rëndësinë historike të Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën tha se ka qenë baza e avancimit të të drejtave të shqiptarëve dhe një nga themelet e proceseve që lidhen me shtetësinë e Kosovës.

“I dashur Albin, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është gurthemeli edhe i planit të Ahtisarit për pavarësinë e Kosovës. Për këtë marrëveshje, gjak derdhën edhe vëllezërit tanë nga Kosova dhe Shqipëria.”

Ahmeti theksoi se marrëveshja, ndonëse kompromis, ka sjellë përfitime të mëdha për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Me këtë marrëveshje, unë e lash këtë vend me gjuhë shqipe zyrtare, me flamur kombëtar zyrtar, me tre universitete në gjuhën shqipe, me mbi 25 mijë administratorë shqiptarë, me Kryeministër shqiptar, me Kryeparlamentar shqiptar dhe me pafund institucione shtetërore të drejtuara nga shqiptarë.”

Ai kujtoi gjithashtu bashkëpunimin institucional me Kosovën gjatë kohës sa ishte pjesë e qeverisë.

“Qeveria ime, Albin, të ftoi në Shkup për mbledhje të përbashkët ku fole shqip, edhe ti edhe ministrat e mi, nga fillimi gjer në fund.”

“Qeveria ime e la të gatshme rrugën Shkup–Bllacë, kufirin e përbashkët me Kosovën, kalimin e kufirit me letërnjoftim, ndërtoi Korridorin 8, realizoi projektin për rrugën Tetovë–Prizren dhe ta dha ty të gatshëm para pesë viteve, bashkë me 11 marrëveshje tjera bilaterale.”

Më tej, Ahmeti kundërshtoi deklaratat e Kurtit për respektimin e vullnetit të qytetarëve, duke thënë se koalicioni VLEN nuk përfaqëson shumicën e votuesve shqiptarë.

“Mbrëmë fole që duhet respektuar vullnetin e popullit. Pajtohem, por edhe këtu të kanë informuar gabim. VLEN nuk e ka vullnetin e popullit, nuk e ka legjitimitetin e votës sepse i humbi zgjedhjet dhe hyri në Qeveri si i preferuar i VMRO-së, e jo i shqiptarëve.”

Sipas Ahmetit, mungesa e legjitimitetit politik ka pasoja të drejtpërdrejta për shqiptarët.

“E kur nuk e ke vullnetin e popullit për ta përfaqësuar, bëhesh hyzmeçar. Nuk mundesh me e mbrojt gjuhën se ta heqin siç ta hoqën, flamurin ta nëpërkëmbin, administratorët t’i dëbojnë nga puna dhe institucionet t’i mbyllin dyert për shqiptarët.”

Në fund të reagimit, lideri i BDI-së ngriti shqetësime për ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut, duke kritikuar emërimin e Ivan Stoilkoviqit në postin e ministrit përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Dhe së fundmi, Serbia ka shkel me dy këmbë në Maqedoni, Albin. Ministër i Marrëveshjes së Ohrit është Ivan Stoilkoviqi, i cili sot është në Kinë, dje në Rusi, e çdo ditë në Beograd e Banja Llukë.”

“Ministër të gjakut të dëshmorëve shqiptarë nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria e kanë bërë argatin e Putinit e Vuçiqit”, deklaroi Ahmeti.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.