Analisti Arjan Curri: Vendimi i SHBA-së, paralajmërim direkt për Ali Ahmetin
Analisti i njohur nga Shqipëria, Arjan Curri, ka komentuar përfshirjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në listën e zezë të SHBA-së, duke theksuar se ky është një mesazh i qartë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. “Që në korrik, ambasadorja amerikane e paralajmëroi Ali Ahmetin për nevojën e largimit të Grubit nga strukturat e partisë. Ky […]
Analisti i njohur nga Shqipëria, Arjan Curri, ka komentuar përfshirjen e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi në listën e zezë të SHBA-së, duke theksuar se ky është një mesazh i qartë për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
“Që në korrik, ambasadorja amerikane e paralajmëroi Ali Ahmetin për nevojën e largimit të Grubit nga strukturat e partisë. Ky paralajmërim nuk ishte vetëm për Grubin, por për një listë të tërë individësh brenda partisë që janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme, lojëra fati, trafiqe dhe bashkëpunime me struktura të dyshimta,” deklaroi Curri.
Sipas tij, Ahmeti ka dështuar të veprojë ndaj këtyre shqetësimeve, duke neglizhuar mesazhet e përsëritura nga faktori ndërkombëtar. Curri shtoi se SHBA-ja ka pasur një respekt të veçantë për Ahmetin si përfaqësues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por durimi i tyre ka kufij.
“Ky vendim tregon shqetësimin amerikan për ndikimet proruse në rajon, ku shqiptarë të afërt me BDI-në dhe struktura të tjera punojnë më shumë për interesat maqedonase dhe ruse sesa për shqiptarët. Një nga planet e tyre duket se është përgatitja e terrenit për rikthimin e Nikolla Gruevskit në politikën e Maqedonisë së Veriut,” përfundoi Curri.
Ai gjithashtu nënvizoi se veprimet e ardhshme të Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut do të jenë vendimtare për zbardhjen e lidhjeve korruptive dhe ndikimeve të paligjshme në këtë rast.