Analiza e DAP-it: Shitjet në zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në RMV pothuajse u përgjysmuan gjatë bojkotit
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) doli me një analizë të qarkullimit në marketet e mëdhenj zinxhiror. Ajo tregoi se dje, ditën kur qytetarët bojkotuan marketet, shitjet thuajse u përgjysmuan. Siç bën të ditur DAP, në tetë marketet më të mëdha, dje është shënuar një rënie e qarkullimit total me 46,59 përqind krahasuar me të […]
Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) doli me një analizë të qarkullimit në marketet e mëdhenj zinxhiror. Ajo tregoi se dje, ditën kur qytetarët bojkotuan marketet, shitjet thuajse u përgjysmuan. Siç bën të ditur DAP, në tetë marketet më të mëdha, dje është shënuar një rënie e qarkullimit total me 46,59 përqind krahasuar me të premten e kaluar, transmeton Portalb.mk.
Sipas një krahasimi tjetër, një rënie prej 46.29 përqind është shënuar dje në totalin e qarkullimit të tetë marketeve më të mëdha krahasuar me një ditë më parë.
“Të dhënat nga sistemi i regjistrimit të transaksioneve (GPRS), pra qarkullimit të regjistruar në tetë zinxhirët më të mëdhenj të marketeve në të gjithë vendin për ditët 24, 30 dhe 31 janar 2025 tregojnë se ditën e djeshme 31.01.2025 deri në mesnatë, në sistemin GPRS të DAP-it ka regjistruar qarkullim të përgjithshëm në vlerë prej 114.293.367 denarë. Të enjten më 30.01.2025 deri në mesnatë në sistemin GPRS të DAP-it është regjistruar qarkullim i përgjithshëm në vlerë prej 212.782.151 denarë, ndërsa të premten 24.01.2025 deri në mesnatë është regjistruar qarkullim i përgjithshëm në sistemin GPRS të DAP-it në vlerë prej 213.985.705 denarë”, thonë nga DAP.
DAP njoftoi se do të vazhdojë me monitorime dhe analiza të tilla dhe do të shpallë të gjitha të dhënat e rëndësishme që do të kenë ndikim në ekonomi.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për çmimet e larta në markete për të cilat ankohen qytetarët, tha se të gjitha institucionet janë në terren pothuajse në të gjitha marketet kryesore, por edhe se qeveria po përpiqet të vendosë një ekuilibër mes standardit të qytetarët dhe ekonominë e tregut.
“Po, të gjitha institucionet dolën në terren. Më shumë informacione do të kisha nga e hëna, por mund të them që jemi pothuajse në të gjitha supermarketet kryesore dhe po bëhet një analizë e detajuar. Nga e hëna do të mund të ndaj më shumë informacion me publikun. Por mund të them se pjesa e asaj që na shqetësonte, pra frika jonë po bëhet e vërtetë dhe realitet, kështu që ne po veprojmë dhe do të vazhdojmë të veprojmë”, tha Mickoski.
Kjo deklaratë e Mickoskit, si dhe analiza e DAP-it, vijnë një ditë pas bojkotit të organizuar të marketeve të mëdha, i shkaktuar nga ankesat e qytetarëve se çmimet, madje edhe të produkteve ushqimore bazë, po rriten çdo ditë.
Një numër i madh qytetarësh mbështetën dje bojkotin dhe të anashkaluan marketet e mëdha zinxhirore, si reagim ndaj çmimeve të larta të produkteve.
Bojkot të marketeve ka pasur edhe në vendet e rajonit. Në Kroaci, më 24 janar, u mbajt bojkot i dyqaneve, rrjeteve të marketeve dhe pikave të benzinës për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Thirrjet për bojkot të dyqaneve, pikave të karburantit, kafeneve dhe restoranteve u përhapen në mediat sociale një javë më parë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe arritën edhe në Maqedoninë e Veriut.