Andonovski: Do të ndërtohen qendra të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, të cilat pres të funksionojnë në vitin 2025
Si shtet kemi qenë prej kohësh shënjestër e sulmeve kibernetike, të cilat qytetarët e kanë ndjerë pjesërisht. Këto janë kërcënimet me bomba që kanë ardhur në mënyrë hibride në shkollat fillore dhe të mesme, e më pas në qendrat tregtare, dhe sulme të ngjashme kanë ndodhur edhe në institucionet shtetërore. Prandaj, si qeveri, me ngritjen […]
Si shtet kemi qenë prej kohësh shënjestër e sulmeve kibernetike, të cilat qytetarët e kanë ndjerë pjesërisht. Këto janë kërcënimet me bomba që kanë ardhur në mënyrë hibride në shkollat fillore dhe të mesme, e më pas në qendrat tregtare, dhe sulme të ngjashme kanë ndodhur edhe në institucionet shtetërore. Prandaj, si qeveri, me ngritjen e Ministrisë së Transformimit Digjital, jemi fokusuar shumë seriozisht dhe me përkushtim në ndërtimin institucional të strukturave që do të parandalojnë, që do të informojnë për kërcënimet e mundshme kibernetike dhe më pas, në rast të një -sulmi, do të mund të reagojnë edhe ata, theksoi ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski në intervistën për Zërin e Amerikës.
Ministri sqaroi se po fokusohen në ndërtimin e strukturave që do të parandalojnë dhe informojnë për kërcënimet e mundshme kibernetike dhe në rast të një sulmi kibernetik do të mund të reagojnë. Bëhet fjalë për qendra të reagimit ndaj incidenteve kompjuterike, të cilat Andonovski pret të funksionojnë në vitin 2025.
“Konsiderojmë se duhet të ketë dy lloje qendrash të tilla në vend, të cilat do të mbështeten reciprokisht. Njëra do të ishte përgjegjëse ndaj publikut, sektorit joqeveritar, institucioneve private, ndaj të gjitha palëve të interesuara dhe qytetarëve, dhe e dyta do të ishte një qendër reagimi e qeverisë për sulmet kibernetike që do të parandalonte të gjithë rrjetin qeveritar të institucioneve shtetërore dhe monitorimit”, tha Andonovski.
Më tej, Andonovski sqaroi se mbrojtja e të dhënave të qytetarëve është shumë e rëndësishme dhe përderisa nuk ka mbrojtje reale të pajisjeve, harduerit dhe softuerit, nuk mund të flasim për siguri kibernetike të llojit më të lartë.
“E dini, ka institucione që lëvizin në drejtimin “do të mbajmë gjithçka në letër, kështu që qytetarët të jenë të sigurt”, por çfarë ndodh kur kemi zjarre, e dimë se sa herë na ka ndodhur që të digjen institucione në Qytetin e Shkupit që ruajnë të dhënat e qytetarëve, vërshimet, ruajtje joadekuate e materialit arkivor. Zgjidhja nuk është në letër, zgjidhja është në mbrojtjen reale kibernetike të sistemeve elektronike që kemi dhe lidhja e tyre me serverë shtesë mbrojtës që do të shërbenin si rezervë për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve”, tha ministri Andonovski.
I pyetur nëse ueb-faqja e ministrisë, e cila është në ndërtim e sipër, si dhe faqet e institucioneve të tjera, do të jenë të sigurta nga sulmet kibernetike, ministri u përgjigj se kjo është diçka për të cilën ata kanë punuar që nga dita e parë e mandatit të tij.
“Unë do të propozoj informacion në qeveri që të krijojmë faqe të përbashkëta të institucioneve qeveritare, që do të thotë që ato të mbrohen përmes një sistemi, të pozicionohen në një vend dhe në atë mënyrë ne të mund të mbrojmë të gjitha faqet e qeverisë. Aktualisht çdo institucion krijon faqen e vet të internetit, deri më tani, ato janë të vështira për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe mbrojtja është shumë e vështirë sepse nëse një institucioni i mbaron licenca ose nuk mund ta rinovojë atë licencë, ai mbetet pa mbrojtje, dhe nga vetë fakti se ajo faqe interneti është e lidhur me disa ueb faqet e tjera qeveritare – sulm ndaj një institucioni do të nënkuptonte sulm ndaj të gjitha institucioneve qeveritare që janë të ndërlidhura”, tha ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski.
Ndryshe, planet ambicioze për forcimin e sigurisë kibernetike në vend, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, i paralajmëroi edhe në fund të gushtit, në punëtorinë dyditore në kuadër të projektit “Siguria kibernetike rajonale në Ballkanin Perëndimor – intervenimet për Republikën e Maqedonisë”.