Apeli la në fuqi dënimin me 1 vit burg për Ervin Salianjin, reagon opozita shqiptare pas vendimit

Gjykata e Apelit dhe Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin që e dënon me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokraike, Ervin Salianji. Pak pas këtij vendimi, kanë ardhur reagime të shumta nga opozita shqiptare. Deputetë të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë e kanë cilësuar këtë një vendim politik dhe një […]

shtator 26, 2024 - 21:00
 0  6
Apeli la në fuqi dënimin me 1 vit burg për Ervin Salianjin, reagon opozita shqiptare pas vendimit

Gjykata e Apelit dhe Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin që e dënon me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokraike, Ervin Salianji.

Pak pas këtij vendimi, kanë ardhur reagime të shumta nga opozita shqiptare.

Deputetë të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë e kanë cilësuar këtë një vendim politik dhe një sulm ndaj opozitarizmit.

Oerd Bylykbashi: Drejtësia si AK 47. Dënimi i sotëm i deputetit të opozitës Ervin Salianji është prova që Reforma në Drejtësi ishte instrumenti i Edi Ramës për të kapur Drejtësinë e për ta përdorur kundër Opozitës, pluralizmit, medias, biznesit e kujtdo që e denoncon sistemin e tij kriminal. Ervin Salianji denoncoi dhe për këtë po paguan. Të dënosh një deputet me dy dëshmitarë e prova të sajuara për një kallëzim që nuk e ka bërë kurrë, është treguesi më i qartë se kushdo, edhe një qytetar i thjeshtë, nuk ka më asnjë garanci në këtë vend. Vendimi i sotëm është shkop ballit për këdo që nanuritet ende në ëndrrën se reforma në drejtësi do të sjellë begatinë. Drejtësia është kthyer në armë kundër Opozitës dhe kundërshtarëve të Edi Ramës. Çdo reagim i munguar sot është një hap më shumë i kësaj të keqeje drejt pragut të çdo shqiptari.

Agron Gjekmarkaj: Pranga në duart e Opozitës! Dënimi i Nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Drejtuesit politik të Qarkut të Elbasanit, politikanit të spikatur, deputetit Ervin Salianji është akti i fundit politik i gatuar në kuzhinën e rilindjes dhe formalizuar nga gjykata sot. Dënimi, vjen në një kohë kur pushteti ka marrë revansh ndaj fjalës së lirë dhe frikës së humbjes së pushtetit. Kjo është një ditë e zezë për drejtësinë dhe për demokracinë! PD nuk do të dorëzohet përballë këtij vendimi absurd. Demokratët dhe qytetarët e këtij vendi duhet ta ndalin zhbërjen, ndalimin, asgjësimin e Opozitës! Pas politikanëve të Opozitës prangat tunden për ta. Duhet të bashkohemi fuqishëm, të ngrihemi fuqishëm, ti shtrijmë dorën njeri-tjetrit dhe ta ndalim revanshin e neodikaturës!

Dashnor Sula: Sot u rikthyen dënimet politike! Dënimi i deputetit Ervin Salianji është vendim politik. Ky është një mesazh për të vrarë kurajon/guximin e atyre që denoncojnë pushtetarët e inkriminuar. Është fakt që vëllai i ish-ministrit të brëndshëm u fut në burg në Itali pas denoncimit të Salianjit. Është fakt i njohur botërisht që derisa u bë denoncimi nga PD, vëllai i ish-ministrit lëvizte i lirë madje edhe duke bërë biznes në Shqipëri. Por gjykatat dënojnë deputetin e opozitës që denoncon. Kur kjo ndodh me një deputet që përfaqëson minimalisht 10 mijë qytetarë, e kuptoni çfarë ndodh me një qytetar të vetëm?! Vendimi politik i marrë ndaj deputetit demokrat, Drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit, Ervin Salianji është një kambanë alarmi për demokracinë në vend. Partia Demokratike dhe opozita nuk duhet të pranojnë të nënshtrohen nga vendimet politike. Qytetarët dhe opozitarët duhet të ngrihen përballë kësaj arrogance të qeverisë dhe të ndalojnë shkatërrimin e demokracisë në Shqipëri.

Tritan Shehu: Mbas burgosjes politike të Berishës, revanshi vazhdon. Ky regjim po kthen vitin 1946! Autokracia po kthehet ne diktature! Burgosja e izolimi i deputeteve, deshmi e kesaj! Mbas burgosjes politike te Berishes revanshi vazhdon. Sot Salianji…. Neser radha ecen, mund te jete e gjate. Askush tashme nuk eshte i perjashtuar, kudo ne Shqiperi. Deri kur keshtu?! Deri sa njerezit te vendosin te perballen me rregjimin!

Lefter Gështenja: Fabrikimi i dëshmitarëve dhe provave nga prokurorë të shkarkuar nga vettingu dhe më pas dënimi nga gjyqtarët të lidhur me eksponentë të Partisë Socialiste duke u premtuar karriere në sistemin e drejtësisë, është dëshmi e qartë se vendimi i sotëm ishte një vendimmarrje politike për të ndëshkuar kundërshtarët e Edi Ramës dhe PS-së. Nëse pranojmë të heshtim apo nënshtrohemi përballë drejtësisë politike të Edi Ramës, ne nuk e meritojmë të jemi përfaqësues të popullit opozitar në Parlament. Prandaj, me çdo kusht e me çdo mjet duhet të reagojmë ndaj këtij regjimi që po kërkon të instalojë Edi Rama në Shqipëri që mbron krimin e kriminelët, duke ndëshkuar përfaqësuesit e popullit opozitar.

Monika Kryemadhi: Absurdi po vendoset tashmë edhe me gjykatë, përmes vendimeve me logjikë politike dhe jashtë çdo norme proporcionaliteti. Jo vetëm fjala e lirë, jo vetëm denoncimi dhe hedhja dritë mbi të vërtetën, por çdo gjëje që prek stabilitetin kriminal mund t’i shpallet luftë duke përdorur mekanizmin shtetëror dhe ligjor. Burgosja për ushtrimin e detyrës në mbrojtje të interesit publik nuk ka vend në demokraci. Kjo vlen për deputetin e zgjedhur, zyrtarin publik, gazetarin e medias dhe këdo qytetar pa dallime.­­­­­­­­­

Erisa Xhixho: Me dënimin e kolegut Salianji, pushteti politik i Kryeministrit, përmes përdorimit si instrument të drejtësisë synon të frikësojë e t’i mbyllë gojën opozitës dhe mbarë qytetarëve. Ndaj, sot më shumë se kurrë, opozita dhe qytetarët duhet të bëhen bashkë, që në këtë vend të mos ketë askush guximin të shpërdorojë pushtetin për interesa korruptive e kriminale.