Apeli refuzoi ankesën, Kreshnik Bekteshi mbetet në paraburgim, BDI: Drejtësi e pastër selektive
Gjykata e Apelit në Shtip refuzoi ankesën e ish-ministrit Kreshnik Bekteshi, çka nënkupton se ai do të vazhdojë të mbetet në paraburgim. Apeli njoftoi se përfunduar proceduraz mbi ankesat e paraqitura kundër vendimeve për paraburgim në lidhje me rastin e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan. Nga gjithsej tetë raste, në shtatë raste ankesat u […]


Gjykata e Apelit në Shtip refuzoi ankesën e ish-ministrit Kreshnik Bekteshi, çka nënkupton se ai do të vazhdojë të mbetet në paraburgim. Apeli njoftoi se përfunduar proceduraz mbi ankesat e paraqitura kundër vendimeve për paraburgim në lidhje me rastin e zjarrit në diskotekën “Pulse” në Koçan. Nga gjithsej tetë raste, në shtatë raste ankesat u refuzuan si të pabaza, ndërsa vendimet e Gjykatës Themelore në Koçan u vërtetuan, transmeton Portalb.mk.
Vetëm në një rast, ankesa e të pandehurit E.M. u pranua, me vendimin e paraburgimit të shkallës së parë që u rrëzua dhe u zëvendësua me masë arresti shtëpiak, së bashku me masa shtesë paraprake.
“Ankesat e mbetura – të paraqitura nga K.B, N.I, R.Ç.D, M.S, B.H, M.G. dhe R.D. – refuzohen, ndërsa masat e paraburgimit ose arrestit shtëpiak mbeten në fuqi”, njoftuan nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Apelit në Shtip njoftoi dje se po vepron mbi 17 ankesa për masat e shqiptuara “paraburgim”, “arrest shtëpiak” dhe masa paraprake të paraqitura nga persona të përfshirë në hetimin për rastin e zjarrit. Tre ankesa u morën të premten dhe 14 ankesa dje.
Vazhdimi i paraburgimit për ish-ministrin Kreshnik Bekteshi, ndërkohë që të tjerët të përfshirë në të njëjtin rast – përfshirë edhe kryetarët e komunave të Koçanit – ndodhen në arrest shtëpiak, është shprehje e pastër e drejtësisë selektive, reaguan nga BDI.
“Ky nuk është vetëm një standard i dyfishtë ligjor – por një diskriminim i hapur politik, etnik dhe partiak, që përbën fyerje për çdo qytetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, edhe pse dëshmitarët dhe prindërit e viktimave kanë identifikuar qartë fajtorët, vetëm ish-ministri Bekteshi mbahet ende i izoluar për t’i mbajtur në liri fajtorët e vërtetë. Prokuroria transaksionale dhe pushteti aktual po vazhdojnë të shkelin në mënyrë brutale çdo parim ligjor, moral dhe njerëzor. Kryeministri, pasi kërcënoi prokurorin se do të nxjerrë njerëzit në rrugë kundër tij, tani e ka nënshtruar atë tërësisht dhe sillet njëkohësisht si prokuror dhe si gjykatës. Nese rruga qenka zgjidhja atëherë është koha që të gjithë qytetarët të bashkohen me familjet e viktimave të Koçanit dhe të kërkojnë drejtësi – në mënyrë paqësore, por të vendosur, në rrugë”, thanë nga BDI.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 68 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në Ministrinë e Brendshme, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 25 prill ngriti kallëzim penal kundër K.B., G.L. dhe A.T, të gjithë policë, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me tragjedinë e zjarrit në Koçan.