Arben Fetai: Misioni ynë, çlirimi i çdo komune nga keqqeverisja e BDI-së

Zv/kryeministri Arben Fetai në një postim në rrjetin social facebook ka përshkruar rrugëtimin e tij politik. Fetai thotë se qëllimi ishte për të sjellë ndryshimin tek shqiptarët dhe se kjo u arrit me ardhjen e VLEN-it në pushtet. Sipas tij, në VLEN ka patur gabime, mirëpo ajo ka qenë shpresë për shqiptarët. Fetai shkruan se […]

maj 8, 2025 - 03:00
 0  5
Arben Fetai: Misioni ynë, çlirimi i çdo komune nga keqqeverisja e BDI-së

Zv/kryeministri Arben Fetai në një postim në rrjetin social facebook ka përshkruar rrugëtimin e tij politik.

Fetai thotë se qëllimi ishte për të sjellë ndryshimin tek shqiptarët dhe se kjo u arrit me ardhjen e VLEN-it në pushtet. Sipas tij, në VLEN ka patur gabime, mirëpo ajo ka qenë shpresë për shqiptarët.

Fetai shkruan se duhet gjetur formula për të çliruar komunat shqiptare nga BDI-ja dhe se ky duhet të jetë misioni.

Ja dhe postimi i tij i plotë:

“Rrugëtimin tim politik e kam nisur në Vetëvendosje! – një lëvizje që më ka formësuar si individ, politikisht dhe kombëtarisht. Aty kam mësuar se politika është mision dhe se ajo nuk guxon të konceptohet si profesion. Nga viti 2017 e këtej, ia kam kushtuar tërë angazhimin tim Aleancës për Shqiptarët, sepse aty kam parë vazhdimin natyral të asaj rruge dhe mundësinë më të denjë për ta sjellë ndryshimin aty ku dhemb më se shumti: në vendlindjen time.

Ishte një rrugë jo e lehtë, me vite të tëra përballje me një strukturë të kalbur të quajtur BDI, e cila ka degraduar gjithçka që ka prekur. U përballëm me gëzime e me zhgënjime, por nuk u dorëzuam asnjëherë. Dhe pastaj ndodhi ajo që dukej e pamundur: bashkimi i forcave opozitare shqiptare në VLEN, një bashkim ku edhe unë pata fatin dhe nderin të jap një kontribut jo të vogël. Dhe me kërkesë të Kryetarit tim, Dr Arben Taravarit, vendosa të braktis një jetë komode në Belgjikë për të marrë përgjegjësi.

Pas dy dekadash pritjeje, shpresa për ndryshim u kthye në realitet.

A ishte VLEN i përkryer? Jo. Si çdo bashkim i ndërtuar mes dallimeve dhe historive të ndryshme, kishte nevojë për kohë, për testim, për maturim. Por ishte një fillim i domosdoshëm, një përpjekje e sinqertë për të shembur një sistem kriminal e për të ndërtuar një tjetër mbi vlera, dinjitet dhe drejtësi. Dhe për këtë arsye, përballë pati armiqësi të egër, nga ata që varen nga mbajtja gjallë e një rendi të kalbur.

Por a ishte VLEN shpresë? Po, pa më të voglin dyshim. Ishte një projekt i guximshëm kombëtar që na dëshmoi se po, shqiptarët mund të bashkohen kundër një të keqe të përbashkët.

Unë besoj ende. Besoj se Aleanca për Shqiptarët do të mbetet besnike ndaj rrugës së saj – rrugës së Arbrit, të dinjitetit dhe guximit. Dhe besoj se, me vullnet të ndërsjellë, mund ta gjejmë formulën për të çliruar çdo komunë shqiptare nga keqqeverisja e BDI-së. Ky është misioni ynë. Sulmet dhe goditjet nën brez nuk i kontribuojnë këtij misioni. Për këtë mision do të vazhdoj të luftoj, pa i sharë ata me të cilët e sollëm ndryshimin, pa u përkulur.