Arratisja nga pushtimi ushtarak i Ukrainës nuk e demoralizoi: Darija nga Khersoni gjeti jetën e saj të re në Maqedoni
Më 24 shkurt të vitit 2022 askush nuk mendonte se jeta e miliona njerëzve do të ndryshonte rrënjësisht, përgjithmonë. Filloi pushtimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë. Njerëzve, të cilët deri atëherë kishin jetuar jetën e tyre normale e të përditshme, papritur iu desh të paketonin gjërat më të nevojshme dhe të largoheshin nga shtëpitë e […]
Më 24 shkurt të vitit 2022 askush nuk mendonte se jeta e miliona njerëzve do të ndryshonte rrënjësisht, përgjithmonë. Filloi pushtimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë. Njerëzve, të cilët deri atëherë kishin jetuar jetën e tyre normale e të përditshme, papritur iu desh të paketonin gjërat më të nevojshme dhe të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke mos e ditur nëse do të mund të ktheheshin atje përsëri. Ata u larguan ku arritën dhe ku mundën, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Darija nga Khersoni i Ukrainës vjen në Maqedoni. Gruaja me një buzëqeshje të ngrohtë dhe të ndritshme nuk lejoi që ajo që i ndodhi t’i ndrydhte shpirtin e saj – ajo fillon të ndihmojë refugjatët e tjerë në Maqedoni që të gjejnë shpresë përmes arsimit. Pas mbërritjes në vend ajo fillon të japë mësime falas në gjuhën angleze për ata me të cilët ndan një të kaluar të ngjashme.
E takuam në një kafene në Shkup, afër shtëpisë së saj të re, ku jeton me të shoqin. Pimë kafe ndërsa ajo na tregoi për tre vitet e jetës së saj në Maqedoni. Ajo thotë se Shkupi i kujton vendlindjen dhe ndjehet sikur përket këtu. Ajo flet pothuajse shkëlqyer maqedonisht, edhe pse më së shumti i mungon të flasë gjuhën e saj të nënës.
“Unë flas shpesh me familjen time në telefon, por përsëri nuk është njësoj. Më mungon komunikimi në gjuhën time amtare”, thotë ajo, duke shtuar se familja e saj arriti të largohej nga Ukraina vite para konfliktit, kështu që ata shpesh komunikojnë online.
Pas mbërritjes në Maqedoni Kryqi i Kuq është angazhuar shumë për ta ndihmuar dhe lehtësuar procesin e hyrjes në vend. Kryqi i Kuq i ka siguruar gjithashtu ambientet dhe materialet për ligjeratat e saj, si dhe ka organizuar edhe pushime verore për nënat dhe fëmijët.
Darija, e cila ka qenë duke punuar për doktoraturën e saj në gjuhën angleze në Ukrainë, tani po fillon pa u lodhur të punojë në atë që ka në mendje – duke krijuar një grup prej rreth 30 personash nga Ukraina, të cilët kanë njohuri dhe interesa të ndryshme për gjuhën, për t’i mësuar ata të flasin anglisht.
“Më gëzonte të shihja që nxënësit po përpiqeshin, kishte njerëz të moshave të ndryshme dhe isha e lumtur të shihja dikë që mban shënime ose përpiqej të komunikonte në anglisht. Mësimi zgjaste nga 2 orë dhe kishim aktivitete të ndryshme, punonim me gjithçka, nga fjalori te gramatika e deri te dialogu. Shikonim shpesh pjesë filmash për të për të parë se sa kuptonin”, na tregon ajo.
Kur është fjala për komunitetin maqedonas ajo thotë se ndihet e pranuar, madje edhe më shumë se sa priste. Ajo thotë se në fillim gjatë aktiviteteve të përditshme si pazaret në market, punonjësit e pyesnin për jetën e saj, por tashmë e njohin, e pranojnë dhe janë mësuar me të.
Jeta në arrati dhe procedura të shumta byrokratike
Ndonëse është mësuar me Shkupin dhe jetën e saj të re, ajo jetë, siç na tha, filloi mjaft me turbulenca.
“Më dukej se kur erdhëm në Maqedoni institucionet nuk dinin çfarë të bënin me ne. Vetëm më vonë filluan të krijojnë letërnjoftimet për qëndrim të përkohshëm, por më parë kur shkoja në televizion (e ashtuquajtura RTVM, ndërtesa ku lëshohen dokumentet e identitetit nga MPB-ja), nuk e dinin për çfarë po flisja. Procesi byrokratik ishte veçanërisht i ngadaltë. Kishim dëgjuar se si shkonte procesi në Gjermani, Poloni dhe vende të tjera, por këtu nuk ishte ashtu”, thotë Darija.
Darija na përsëriti disa herë se gjendja e saj është më e mirë se e të tjerëve dhe se ndihet më e sigurt sepse nuk është e vetme, por i din vështirësitë e të tjerëve që u arratisën nga lufta dhe gjetën shpëtimin në Maqedoni.
“Pothuajse të gjithë ukrainasit këtu kanë qëndrim për arsye humanitare dhe që nga dhjetori i kaluar kanë qëndrim të përkohshëm. Megjithatë, nga dhjetori deri në prill të vitit 2024 ukrainasit këtu prisnin konfirmimin e qëndrimit të përkohshëm. Dhe siç e dimë pa letërnjoftim nuk mund të bëjmë gjërat elementare si pagesa në bankë, na duhen dokumente për të paguar faturat etj”, thotë Darija.
Edhe pas marrjes së dokumenteve, thotë ajo, bankat nuk kanë qenë të informuara për një mundësi të tillë.
“Na pyesinn se çfarë është kjo. Nuk e njohim këtë dokument?”, thotë ajo.
Ngjashëm ka ndodhur edhe nëpër spitale kur kanë pasur nevojë për kontroll shëndetësor. Ata i kanë pyetur nëse kanë dokumente maqedonase, edhe pse leja e përkohshme e qëndrimit është lëshuar nga Maqedonia. Ka qenë veçanërisht e vështirë për të fituar të drejtën e sigurimit shëndetësor.
Ka aplikuar në maj për letërnjoftim të ri dhe nga maji deri në gusht iu është drejtuar disa herë përgjegjësve për t’u kujtuar se dokumenti duhej të punohej. Ajo thotë se kështu është edhe për ukrainasit në qytetet e tjera të Maqedonisë.
“Byrokracia nuk është askund e lehtë, por këtu njerëzit kishin më shumë probleme sesa pritej”, thekson ajo.
Edhe pse Darija e gjen veten në komunitetin maqedonas, ajo përsëri thotë se i mungon vendi i saj. Thotë se jo shumë njerëz mund të kuptojnë se çfarë po përjetojnë ukrainasit, ndërsa ajo qëndron e informuar për të gjitha ngjarjet në vendin e saj.
“Kur bëhet fjalë për vendlindjen, është normale të jesh i informuar se çfarë po ndodh. Vihen re dezinformata të ndryshme, por kjo është e pritshme. Nuk e di se si jetojnë njerëzit në Ukrainë tani, vazhdimisht shoh paralajmërime sigurie në rrjetet sociale dhe pjesa më e madhe e botës nuk e kupton se si funksionojmë. Por kur bëhet fjalë për familjen dhe vendin tuaj, duhet të jeni të informuar. Kur bëhet fjalë për ju, duhet të dini se çfarë po ndodh. Këtu ndihem pothuajse si në shtëpinë time, macja ime është me mua, edhe familja ime ka ikur, por unë jam e shqetësuar për shtëpinë time. Por tani jam e sigurt dhe kjo ka rëndësi. Unë vetëm dua që lufta të përfundojë”, thotë Darija.
Lufta në Ukrainë filloi gati katër vjet më parë dhe sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara që atëkohë kanë emigruar 4 milionë ukrainas. Sipas statistikave të MPB-së deri në gusht të këtij viti tek ne janë regjistruar 408 ukrainas me qëndrim të përkohshëm. Darija është vetëm një shembull i qindra atyre që filluan një kapitull të ri të jetës së tyre këtu dhe historia e saj tregon vetëm një pjesë të problemeve me të cilat përballen njerëzit me qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut.