Arsovska – Mickoskit: Nëse nuk më lejoni t’i blej, porositni autobusët e rinj për në Shkup
Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska i ka dërguar sot një letër kryeministrit Hristijan Mickoski duke kërkuar që të ndalojë bllokadën dhe të blejë vetë autobusët e rinj nëse nuk dëshiron që të njëjtët të kalojnë përmes Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk. Reagimi i Arsovskës vjen pasi dje këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk votuan për blerjen e […]
Kryetarja e Shkupit Danella Arsovska i ka dërguar sot një letër kryeministrit Hristijan Mickoski duke kërkuar që të ndalojë bllokadën dhe të blejë vetë autobusët e rinj nëse nuk dëshiron që të njëjtët të kalojnë përmes Qytetit të Shkupit, transmeton Portalb.mk.
Reagimi i Arsovskës vjen pasi dje këshilltarët e VMRO-DPMNE-së nuk votuan për blerjen e autobusëve të rinj, për këtë arsye nuk pati shumicë dhe vendimi nuk kaloi.
Pro këtij vendimi votuan të gjitha grupet e tjera të këshilltarëve, por pa votat e VMRO-DPMNE-së nuk ka shumicë në Këshill.
“Si kryetar i Qeverisë dhe lider i VMRO-DPMNE-së në pushtet, ju thërras dhe ju kërkoj që të arsyetoni veprimet e këshilltarëve nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni juaj në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Është jashtëzakonisht e papërgjegjshme dhe e paarsyeshme që qytetarët e kryeqytetit të jenë viktima të 23 personave”, tha Arsovska.
Ajo theksoi se qytetarët nuk duhet të jenë viktima të ambicieve politike të individëve të Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Ajo i bën thirrje Mickoskit, nëse nuk mund t’i bindë këshilltarët në Qytetin e Shkupit që të votojnë për blerjen e autobusëve të rinj, këtë ta bëjë Qeveria.
“Porosisni autobusë për në kryeqytet. Nëse Qeveria nuk ka mjete për këtë qëllim, ne jemi të gatshëm me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit që mjetet e nevojshme t’i transferojmë në llogari të veçantë, kurse ju ta kryeni blerjen. Nëse kjo është e pranueshme, sugjeroj që të caktohet një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit të mërkurën, më 4 shtator, në të cilën bashkërisht do të vendosim për blerjen e 250 autobusëve të rinj ekologjikë ”, shtoi Arsovska.
Ndryshe, ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se nga pozita e liderit të VMRO-DPMNE-së do të kërkojë nga këshilltarët në Qytetin e Shkupit nga radhët e partisë së tij që t’i mbështesin programet, siç kërkoi kryetarja Danela Arsovska.
Ndryshe Shkupi është në kaos me transportin publik, ndërsa Qyteti i Shkupit dhe Qeveria vazhdimisht akuzojnë njëra-tjetrën.