Banorët e fshatrave të Likovës një dekadë të etur për ujë, projekti zvarritet me vite
Fshatrat në Komunën e Likovës edhe këtë vit mbeten të etur për ujë. Tubacionet dhe rezervuarët e ujit janë ndërtuar para 10 viteve. Ndonëse ka pasur disa projekte dhe premtime për rrjetin e ujësjellësit, i njëjti mbetet i papërfunduar në terren. Banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet sa më parë, pasi siç thonë, bëhet […]
Fshatrat në Komunën e Likovës edhe këtë vit mbeten të etur për ujë. Tubacionet dhe rezervuarët e ujit janë ndërtuar para 10 viteve. Ndonëse ka pasur disa projekte dhe premtime për rrjetin e ujësjellësit, i njëjti mbetet i papërfunduar në terren. Banorët kërkojnë që ky problem të zgjidhet sa më parë, pasi siç thonë, bëhet fjalë për nevojë njerëzore elementare që institucionet nuk kanë arritur t’ua zgjidhin. Komuna “shfajësohet”, ndërsa Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thotë se brenda tre javëve të ardhshme do të kryhet inspektim i sistemit të ujësjellësit, shkruan Portalb.mk.
Mungesa e ujit të pijshëm nëpër fshatrat e Komunës së Likovës është problem që i mundon ata ndër vite. Shkaqet e këtij problemi përfshijnë infrastrukturën e dobët të furnizimit me ujë dhe menaxhimin e dobët të resurseve të ujit. Banorët shpesh janë të detyruar të përdorin burime jo të sigurta për ujë të pijshëm. Një ndër fshatrat që aktualisht uji nuk është i pijshëm është fshati Llojan për arsye se toka është me minerale, për shkak të arsenit.
Për të zgjidhur këtë problem nga viti 2014 u premtua projekti kapital për ujësjellësin, konkretisht furnizimin me ujë të pijshëm për 11 fshatrat e kësaj komune. Megjithatë pas gati një dekade, ky projekt mbetet i papërfunduar në terren.
Banorët kërkojnë zgjidhje
Për të marrë një pasqyrë më të qartë rreth këtij problemi, Portalb.mk bisedoi me kryetarët e fshatrave të komunës së Likovës për realizimin e punës së ujësjellësit.
Kreu i fshatit Sllupçan, Selajdin Shahini tregoi se rrjeti nëpër fshat ende nuk është vendosur dhe se ende ka shumë punë. Ai thekson se është shumë larg realizimi i lidhjes së rrjetit nëpër ketë fshat, sipas tij kjo do të zgjasë një vit ose dy.
“Gypat kryesorë janë ndryshuar, rrjeti brenda nëpër fshatin Sllupçan ende jo, ndoshta ka projekt tjetër për pjesën e mbetur të punës. Rezervari është ndërtuar dhe është në përfundime të sipërme”, tha Shahini.
Nuri Salihu, kreu i fshtatit Ropalcë tregoi se ende nuk kanë filluar punimet me ujësjellësin, por vetëm i kanë marrë pikat nga vjen gypi kryesor dhe për momentin ende nuk është punuar asgjë.
“Banorët e këtij fshati nuk duan të paguajnë për kyçje të ujit, për arsye se është projekt të cilin e ka marrë përsipër komuna dhe duhet ta përfundojnë”, u shpreh Salihu.
Në fshatin Likovë ka mbetur vetëm faza e fundit e kyçjes së ujit nëpër shtëpia, kështu deklaroi i pari i fshatit Shaban Veseli.
“Arsyeja kryesore për mos realizimin përfundimtar të këtij projekti është se fshatarët ndihen të rrezikuar nga dy pendët e fshatit Likovë nga ku dhe buron uji prej Liqenit të Gllazhnjës. Të dy pendët janë mbushur me ujë dhe kërkojnë nga komuna që të lirohen nga pagesa 350 euro”, tha Veseli.
Kryetari i fshatit Vishticë Ismail Rushiti për Portalb.mk deklaroi: “jemi në fazën primare e cila është përfunduar, dhe rezervari i ujit është përfunduar, ndërsa faza sekondare shpërndarja e rrjetit nëpër rrugët e fshatit ende nuk është përfunduar”.
Punimet me ujësjellësin në fshatin Nikushtak kanë filluar në vitin 2020, kanë rifilluar në vitin 2022 dhe në vitin 2024 janë ndërruar gypat e ujësjellësit vetëm në rrugët kryesore. Kështu tha kreu i fshatit, Sadudin Rexhepi.
“Punimet për rikonstruktimin e rezervarit në fshatin Nikushtak janë drejtë përfundimit”, tha Rexhepi.
Gypat kryesorë janë ndërruar edhe nëpër rrugët kryesore të fshatit Orizare.
“Rezervari është gati, ka ngelur vetëm faza e tretë e cila ende nuk është kryer, varet tash edhe prej neve fshatarëve se duhet aplikuar deri në komunë, për kryerjen e pagesës dhe të bëhet realizimi i kyçjes nëpër shtëpia”, tha Xhevat Shabani, kreu i fshatit Orizare.
Shqipton Rexhepi nga komisioni për mbikqyrjen e punës së ujësjellësit nga fshati Llojan për Portalb.mk tregoi se punimet me ujësjellësin kanë filluar në vitin 2018, nga kompania Zhikolo e cila ka sjellur ujësjellësin prej te liqeni i Gllazhnjës, të fshatit Likovë deri në fshatin Llojan por lidhja me rezervarë ende nuk është përfunduar dhe hyrja e ujit në rezervarë akoma nuk është përfunduar vetëm është sjellë deri te rezervari.
“ Faza e dytë për rrjetin nëpër fshat ende nuk është përfunduar, vetëm te disa rrugë kryesore, duhet të ketë edhe një fazë për të përfunduar plotësisht fshatin dhe të përfshihet me rrjet, kjo nuk ka ndodh ende. Faza e tretë është për leshimin e ujit dhe lidhjen ujit nëpër shtëpia, as kjo ende nuk ka ndodhur, dhe aktualisht uji në fshatin Llojan nuk është i pijshëm për arsye se toka është me minerale, për shkak të arsenit“, tha Rexhepi.
Komuna e Likovës arsyetohet
Për këtë problem, Portalb.mk bisedoi me kryetarin e komunës së Likovës, Erkan Arifin. Ai tregoi se leja për kyçjen e ujit te Liqeni i Gllazhnjës, projekt i cili ka filluar në bazë të studimit të fizibilitetit është bërë për të gjithë vendbanimet e Komunës së Likovës.
Ai theksoi se për marrjen e lejes nga Ministria e Bujqësisë dhe nga Ministria e Ambientit dhe planifikimit jetësor për kyçje te Liqeni i Gllazhnjës është pritur dy vite.
“Pas kyçjes te Liqeni i Gllazhnjës është bërë përçuesi i ujit prej liqenit të Gllazhnjës deri mbi fshatin Likovë, është ndërtuar filter stacioni prej bankës evropiane investuese projekt i cili ka kushtuar mbi një milionë e 200 mijë euro, dhe më pas është ndërtuar objekti sentimental për pastrimin e ujit dhe tatuazheve projekte të cilët janë realizuar nga Ministria e Ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor”, deklaroi Arifi.
Ai thekson se përgjegjësia mbetet te Ministria e Ambientit jetësor që t’i procesojë këta projekte, t’i kryejnë procedurat e furnizimeve publike dhe sa më shpejtë të fillojnë me leje ndërtimin në vendbanime e fshatit Ropalcë dhe Opajë.
“Në vendbanimet e tjera po punohet intensivisht dhe besoj se shumë shpejtë do të kryhen, me marrjen e lejes nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për lëshimin e ujit në përdorim, të filter stacionit që do të fillojë nga fshati Likovë, liqeni i Gllazhnjës që ka për veprimtari ujësjellësin dhe filter stacionin që është mbi fshatin Likovë ende nuk e kemi marrë lejen e përdorimit nga Ministria e Transportit dhe lidhjeve, duhet të kemi parasysh se gjithçka nuk është e varur nga komuna e Likovës, për arsye se shumica e projekteve financohen nga pushteti qëndror, nga banka evropiane investuese dhe nga banka botërore”, tha Arifi.
Ai shtoi, se çdo qytetar është i obliguar të paguajë 18.200 denarë me 18% tvsh, (350 euro), poashtu këto harxhime, të rrjetit primar dhe rrjetit sekondar të cilët kanë përfunduar, dhe duhet të bëhet lëshimi i rrjetit tercial, dhe për ta furnizuar çdo banorë me ujë deri në shtëpitë e tyre, të gjithë ata që duan të kyçen në mënyrë legale, duhet të marrin leje nga komuna, ose si person fizik që dëshiron të kyçet paguan vetëm 3.000 denarë (50 euro), dhe punët tjera si shaktin, zorrët dhe punët tjera i kryen vet qytetari me mbikëqyrje nga inxhininierë të komunës.
“Tash jemi duke ndërtuar rezervarin prej njëmijë kubikësh për tërë vendbanimet e Komunës së Likovës, poashtu është duke u ndërtuar objekti i pompimeve dhe bajpasit prej gypit kryesorë që i lidhë të gjitha fshatrat, për të pasur ujë të pastër për të gjithë qytetarët e komunës se Likovës. Ne jemi gati për lëshimin e ujit nëpër fshatrat Nikushtak,Vishticë, në fshatin Mateç, Likovë, Orizare në fshatin Sllupçan,Vaksincë dhe Llojan por e gjitha varet nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të marrjes së lejës së përdorimit të filter stacionit, dhe ende ato objekte nuk i kanë dorëzuar në komunë, përndryshe çelsat i kanë ato dhe është nën menaxhimin e tyre, ne jemi në fazën finale për lëshimin e ujit për pije shtoi”, përfundoi Arifi.
Ministria e Mjedisit vetëm me një raport, pa u sqaruar për punët e mbetura
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, edhe pse të pyetur për këtë projekt duke mos dhënë më tepër detaje, na dërguan vetëm një raport për realizimin e projekteve nga viti 2017 deri në vitin 2024, e cila është e qasshme në këtë LINK.
Ministria e Transportit thotë se problemi do të zgjidhet
Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve theksuan se projekti për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në komunën e Likovës ka filluar në vitin 2018 dhe ka përfunduar në vitin 2023, e cila ka marrë pjesë 77 milionë denarë ndërkaq Komuna e Likovës 18,5 milionë denarë.
“Gjatë ndërtimit kishte pengesa teknike, por të gjitha janë tejkaluar dhe në këtë moment edhe tre javët e ardhshme do të kryhet inspektim i sistemit të ujësjellësit për tu vërtetuar se gjithçka është në rregull, ministria do të dorëzojë pranim teknik për përdorim”, thanë nga Ministria e Transportit.
Portalb.mk ju sjell një kronologji të asaj se çfarë u premtua dhe çfarë (nuk ) u punua për ujin e pijshëm në Komunën e Likovës.
- 2014
Në shtator të vitit 2014, kryetari i atëhershëm i Komunës së Likovës Sadulla Duraku tregoi se ka filluar faza e tretë e ndërtimit të ujësjellësit në vendbanimet e fshatrave të kësaj komune, që arrin vlerën prej një milion euro, i cili synon ndërtimin e infrastrukturës së plotë të ujësjellësit, pritet të zgjidhet njëherë e mirë problemi i furnizimit me ujë të pijshëm.
- 2016
Ish kryetari i komunës së Likovës Sadulla Duraku, në fshatin Sllupçan promovoi projektin rajonal, “Rrjeti Rajonal i Ujësjellësit”, i cili parashikoi tre faza. Projekt i cili ka kushtuar 2.5 milionë euro. Ai shtoi se së shpejti do të rrumbullakohej realizimi i projektit dhe do të vazhdojë me fazën e parë dhe fazën e dytë.
- 2018
Në komunën e Likovës punimet e projektit të ujësjellësit kanë vazhduar për të gjitha vendbanimet e komunës, është bërë vendosja e gypave nëpër fshatra për ujë të pijshëm, në tre lokacione, prej fshatit Mateç, fshatit Vishticë dhe deri te fshati Nikushtak, ku përveç këtyre lokacioneve paralelisht kanë punuar edhe në lokacionin prej fshatit Sllupçan deri të fshati Opajë.
- 2021
Në vitin 2021, fshati Sllupçan ka pasur probleme serioze me ujin. Përshkak të bunareve që janë shterur nëpër shtëpitë e tyre, banorët e fshatit nuk kanë pasur ujë të pijshëm. Pas luftes së vitit 2001, ky fshat kishte vetem një kerkresë “ujë”.
- 2022
Zëvendës kryeministri Artan Grubi, së bashku me ministrin e Ambientit Naser Nuredinin dhe kryetarin e komunës së Likovës Erkan Arifin, nënshrkuan marveshjen e transferimit të mjeteve me vlerë 200 milionë denarë, të cilët i ka ndarë Qeveria nga buxheti i vitit 2022, për përfundimin e projektit të ujësjellësit në Komunën e Likovës.
- 2023
Kryetari i komunës së Likovës Erkan Arifi tregoj se një ndër projektet kapitale që do të realizohet në vitin 2024, është projekti i ujësjellësit dhe do të bëhet lëshimi i ujit në përdorim për banorët e kësaj komune, duke filluar nga fshati Likovë dalëngadalë edhe në fshatrat tjerë.