BDI akuzoi se Kasami ka nënshkruar marrëveshje sy në sy për transport të nxënësve me kompani e cila nuk ka leje, mohoi Kasami

Komuna e Tetovës duke pasur marrëveshje me një kompani transporti e cila veç se ka licencë dhe leje për transport të nxënësve, ka vendosur që këtë marrëveshje ta shkëpusë për t’ia dhënë tenderin prej rreth një milionë eurosh kompanisë Bashkim Turs e cila është e afërt me Bilall Kasamin dhe nuk posedon leje dhe orar […]

shtator 2, 2024 - 21:00
 0  5
BDI akuzoi se Kasami ka nënshkruar marrëveshje sy në sy për transport të nxënësve me kompani e cila nuk ka leje, mohoi Kasami
Protestë nga nxënësit, prindërit dhe drejtoria e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë për mospërfshirjen e nxënësve të shëndetësisë në bursat për paralelet duale. Foto: Fisnik Xhelili (26.10.2023)

Komuna e Tetovës duke pasur marrëveshje me një kompani transporti e cila veç se ka licencë dhe leje për transport të nxënësve, ka vendosur që këtë marrëveshje ta shkëpusë për t’ia dhënë tenderin prej rreth një milionë eurosh kompanisë Bashkim Turs e cila është e afërt me Bilall Kasamin dhe nuk posedon leje dhe orar pune të dhënë nga Komuna e Tetovës. Kështu kanë reaguar këshilltarët komunal të Tetovës nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Nga ana tjetër Bilall Kasami tha se nuk kanë bërë kalkulime të tilla, shkruan Portalb.mk.

Liridon Disha nga BDI tha se nuk është e rëndësishme se cila kompani fiton tenderë në komunë përderisa ata i plotësojnë kushtet.

“Arsyeja e reagimit tonë qëndron në faktin se kompania e cila ka marrë për detyrë bartjen e nxënësve nuk ka leje për këtë veprimtari dhe konform kësaj nuk ka as orar të përcaktuar me ligj. Kjo na çon të dyshojmë se Bilall Kasami ka bërë marrëveshje sy në sy, duke i anashkaluar të gjitha procedurat ligjore”, tha Disha.

Ai tha se hapja e shpalljes për marrjen e lejes u është sjellë në këshillin komunal më datë 26.08.2024 dhe ajo ende është e hapur.

“Kjo dëshmon se kompania e cila veç se ka nisur veprimtarinë e bartjes së nxënësve nuk posedon leje konform predispozitave ligjore. E gjithë kjo nënkupton se veprimtarinë e kryen pa pasur dokumentacionin e duhur”, tha Disha.

Ata kërkuan që Ministria e Arsimit dhe Ministria e Transportit t’i qasen kësaj problematike dhe të marrin masat e duhura.

I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se BDI ka luajtur me tenderë në të kaluarën dhe kjo është shenjë njohëse e saj.

“Ne në asnjë moment nuk kemi bërë kalkulime të tilla. Bëhet fjalë për një organizim të transportit publik që në dy vite e gjysmë të qeverisjes time në asnjë moment nuk ka pasur ngecje të transportit publik dhe do të vazhdojë me po të njëjtën dinamikë. E din opinioni që në mbledhjen e fundit të Këshillit u miratua ndryshimi i afatit të aplikimit për licencë të kompanive që merren me transport të nxënësve. Ne vetëm që kërkojmë të ketë liberalizim më të madh në mundësinë që ofrojnë kompanitë për transportin e nxënësve”, tha Kasami.

Ai shtoi se mundohen të përmirësojnë atë që BDI e ka krijuar si situatë monopole dhe situatë problematike që në momente të caktuara mos të ketë zgjidhje.

Nga BDI theksuan se Komuna duhet të jetë transparente edhe për borxhin e shkollës së mesme “Nikolla Shtenj” i cili është rreth 500 mijë denarë.

Ndryshe, sot filloi viti i ri shkollor 2024/2025 për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.