Transportuesit privatë u kthyen në normalitet, ata arritën marrëveshje me NTP Shkup për të paguar 80 përqind të borxhit

Është arritur marrëveshja me NTP “Shkupi” dhe disa nga kolegët tashmë vozisin në linjat në kryeqytet, tha pasditen e sotme Oliver Petrushevski, transportues privat nga grupi i autobusëve që lëvizën sot në mënyrë të reduktuar. Pas takimit që kanë pasur pasditen e djeshme në drejtorinë e NTP “Shkup” në Autokomandë, transportuesit privatë kanë bërë të […]

shtator 2, 2024 - 21:00
 0  7
Transportuesit privatë u kthyen në normalitet, ata arritën marrëveshje me NTP Shkup për të paguar 80 përqind të borxhit
Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Është arritur marrëveshja me NTP “Shkupi” dhe disa nga kolegët tashmë vozisin në linjat në kryeqytet, tha pasditen e sotme Oliver Petrushevski, transportues privat nga grupi i autobusëve që lëvizën sot në mënyrë të reduktuar. Pas takimit që kanë pasur pasditen e djeshme në drejtorinë e NTP “Shkup” në Autokomandë, transportuesit privatë kanë bërë të ditur se janë marrë vesh me kompaninë që t’ua paguajë 80 përqind të borxhit, pra, siç thanë ata, u janë transferuar mjete në vlerë prej 40 milionë denarë, raporton Portalb.mk.

“Autobusët nga dy pakot, pakoja 1 dhe pakoja 3, të cilët sot në mëngjes kanë bërë vetëm një udhëtim, tani po aktivizohen nga garazhet për të filluar lëvizjen dhe për të filluar shërbimin e qytetarëve të qytetit të Shkupit. Të gjitha linjat nga pakoja 1 dhe pakoja 3 po kthehen në normalitet siç ishin më parë”, tha transportuesi privat Oliver Petrushevski.

Ai shtoi se aktualisht janë duke vazhduar negociatat për çmimin për kilometër të kaluar, gjë që përveç borxhit nga NTP “Shkupi”, ka qenë arsyeja për reduktimin e trafikut privat sot.

“Presim që në seancën e parë të Qytetit të Shkupit kjo të vihet si pikë e rendit të ditës në mënyrë që këshilltarët të vendosin nëse do t’i pranojnë kërkesat tona që kilometri të jetë fitimprurës për ne që të mund të ta rinovojmë parkun e automjeteve në të ardhmen dhe të mund t’i paguajmë shoferët me një rrogë më të mirë që të mos na ikin”, shtoi Petrushevski.

Ai mohon që protesta e transportuesve privatë të ketë prapavijë politike.

Qyteti i Shkupit më herët gjatë ditës së sotme me anë të një komunikate me shkrim njoftoi se transporti publik në kryeqytet funksionon normalisht, si dhe funksionojnë edhe autobusët e NTP “Shkupi” dhe transportuesit privatë. Nga aty shtuan se Qyteti dhe NTP nuk kanë asnjë detyrim të papaguar ndaj individëve.

Ndryshe, që nga mëngjesi i sotëm, rreth 150 autobusë, transportues privatë të paketave 1 dhe 3, pra pakot që përfshijnë linjat me numrat 23, 45, 61, 63, 73, 19, 20, 22, 52 dhe 54 kanë lëvizur sipas një orari të reduktuar.

Përmes kësaj ata shprehën revoltën e tyre pasi Ndërmarrja e Transportit Publik nuk e ka shlyer borxhin që ka ndaj tyre.

Megjithatë, ata ishin të revoltuar gjithashtu edhe për shumën që marrin për kilometër e cila nuk ka ndryshuar që nga viti 20217.

Problem tjetër mbetet se Ndërmarrja e Transportit nuk ka autobusë të mjaftueshëm për të mbuluar orarin dimëror i cili fillon pikërisht sot.

NTP-ja ka thënë se nuk kanë autobusë të mjaftueshëm për orarin veror e jo më atë dimëror.

Më 29 gusht në Seancën e Qytetit të Shkupit, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së sërish nuk lejuan blerjen e autobusëve të rinj për NTP “Shkup”. Në seancën e Këshillit të qytetit, të gjitha grupet e tjera këshilltare votuan “për”, vetëm këshilltarët nga VMRO-DPMNE nuk votuan pro vendimit dhe kështu nuk pati shumicë për të filluar procedurën për prokurimin e autobusëve ekologjik.

Pas kësaj, kryetarja e Shkupit Danella Arsovksa i dërgoi letër të hapur Qeverisë ku kërkoi që të bëjë prokurimin e autobusëve të rinj, dhe nëse nuk kanë mjete për këtë qëllim, me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit do tu transferohen mjetet e nevojshme.

Por nga Qeveria reaguan duke thënë se shkupjanët kanë nevojë për një zgjidhje të shpejtë për të dalë nga situata, dhe ajo që kërkon Arsovska është një proces i blerjes së autobusëve që zgjat një vit deri në një vit e gjysmë.

Kjo nuk është hera e parë që në rrugët e Shkupit nuk funksionojnë transportuesit privatë. Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 300 autobusë të parkuar në kryqëzimet kryesore bllokuan kryeqytetin.