BDI për futjen e Grubit në Listën e zezë: Respektojmë vendimin e ShBA-ve, të përkushtuar për bashkëpunim

Pas njoftimit të mbrëmshëm për futjen në Listën e zezë amerikane të Artan Grubit, Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka dalë me një reagim tepër të shkurtën, ku thuhet se e respekton vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe se mbeten të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të […]

dhjetor 10, 2024 - 12:00
 0  6
BDI për futjen e Grubit në Listën e zezë: Respektojmë vendimin e ShBA-ve, të përkushtuar për bashkëpunim
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pas njoftimit të mbrëmshëm për futjen në Listën e zezë amerikane të Artan Grubit, Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka dalë me një reagim tepër të shkurtën, ku thuhet se e respekton vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe se mbeten të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës, raporton Portalb.mk.

“Bashkimi Demokratik për Integrim respekton vendimin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Si parti, mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës”, thuhet në reagimin e shkurtër të BDI-së.

Nga ana tjetër për ngjarjen, kanë reaguar edhe partitë politike edhe nga blloku shqiptar edhe nga ai maqedonas.

VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski e quajti përcaktimin Grubit dhe Bexhetit “një turp të madh për shtetin”. Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja thotë se ai mbante në sirtarë rastin e (ish-kreut të shërbimit sekret Sasho) Mijalkovit që dëshmon, sipas saj, partizimin e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në komunikatën e VMRO-së.

Arben Taravari, drejtues i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët dhe Ministër i Shëndetësisë në Facebook shkroi se “ka një lajm për ata të cilët po protestojnë nën çadra (para Gjykatës Kushtetuese lidhur me paralajmërimet për degradimin e gjuhës shqipe) se Artan Grubi sapo u shpall persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Ndërkohë, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëkohësisht kryetar i komunës së Tetovës shkroi poashtu në Facebook se “sot u vulos edhe nga partnerët tanë strategjik se shumë funksionarë të BDI-së janë të zhytur në korrupsion”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Artan Grubin persona non-grata. Kjo edhe një dëshmi që kemi thënë vazhdimisht se BDI-ja po bën shou për të shpëtuar veten e tyre në çdo rast, edhe së fundi me tendat ata po mundohen të mbulojnë korrupsionin dhe aspak nuk ju bëhet vonë për gjuhën shqipe!”, shkruan ai.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët në opozitë, krahu i Ziadin Selës thotë se në vazhdimësi ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë.

“Partia përshëndetë vendimin e fundit të SHBA-ve, partnerit më të rëndësishëm strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe popullit shqiptar. Lufta kundër korrupsionit shënon një hap të rëndsishëm në sendërtimin e shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë sonë. Ftojmë të apostrofuarit, të tërhiqen nga jeta institucionale dhe politike, e si qytetarë të lirë të përballen me akuzat.
Përgjegjësia individuale është gurthemeli i një shteti modern, i paanshëm dhe demokratik” thuhet në reagimin Selës.

Duket se krerët e BDI-së, lajmi për futjen e Grubit në Listën e zezë të SHBA-së i zuri në befasi. Ata morën lajmin nga mediat, teksa qëndronin në tendat para Gjykatës Kushtetuese.

Ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti u njoftuan dje se janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler informoi se e kanë zgjeruar Listën e Zezë, ndërsa po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjësinë për autorët e korrupsionit dhe abuzimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

“Emërimi i sotëm i Artan Grubit dhe Enver Bexhetit është dëshmi se ndërhyrjet politike në gjyqësor nuk mund – dhe nuk do të tolerohen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të emërojnë ata që përfshihen në korrupsion të konsiderueshëm që minon institucionet demokratike dhe gërryen besimin publik. Askush nuk është mbi ligjin dhe llogaridhënia është thelbësore për përparim” shkruan Ageler.

“Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, në listën e zezë amerikane më 20 qershor 2023 është futur edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merkon. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë. Së fundmi kësaj liste i bashkohet edhe kompania “Cytrox“.

Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor gjobiti gjyqtarin e apelit Enver Bexheti, duke i shkurtuar gjashtë muaj nga 20 përqind të pagës pasi anëtarët zbuluan se ai ka mbajtur për nëntë muaj në sirtar dosjen për përgjimet, Target-Fortesa, tashmë të vjetëruar sipas ndryshimeve në Kodin Penal. Edhe pse kjo është vendosur, megjithatë, vendimi nuk është ende në fuqi. Publiku nuk ia njeh as fytyrën këtij gjyqtari.

“Pas një kërkese për gjyqtar të Gjykatës së Apelit, ndaj tij është shqiptuar masë disiplinore, ulje rroge në masën 20% të pagës mujore të një gjyqtari për një periudhë 6 mujore”, thuhet në vendimin e Këshilli Gjyqësor. Ky këshill nuk arriti ta shkarkojë atë sepse nuk kishte vota të mjaftueshme nga anëtarët e këshillit.