BE: Diskriminimi i personave me aftësi të posaçme, situata me burgjet dhe kushtet e gazetarëve në RMV mbeten shqetësuese
Bashkimi Evropian, në Raporti e përditësuar vjetor 2023 mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë, publikuar më 30 maj, ka renditur ngecjet dhe përparimet e vendit në periudhën e fundit. Çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuara, situata me burgjet dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten disa prej […]
Bashkimi Evropian, në Raporti e përditësuar vjetor 2023 mbi të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Botë, publikuar më 30 maj, ka renditur ngecjet dhe përparimet e vendit në periudhën e fundit. Çështja e diskriminimit dhe margjinalizimit të personave me aftësi të kufizuara, situata me burgjet dhe kushtet e punës së gazetarëve mbeten disa prej çështjeve që kanë mbetur në vend numëro që prej vitesh. Këto janë në fakt, kërkesa që KE i bëri edhe në raportin vjetor të progresit për vendin. BE, në përgjithësi, e lavdëron kuadrin ligjor, i cili siç thuhet mbetet i favorshëm për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, nuk u arrit asnjë përparim në adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve të pazgjidhura të Zyrës së OSBE-së dhe Komisionit të Venecias, raporton Portalb.mk.
Në vijim po ua sjellim në detaje raportin mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Pasqyrë e situatës së të drejtave të njeriut dhe demokracisë
Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore është pjesërisht në përputhje me acquisin e BE-së dhe standardet evropiane. Vendi vazhdon të përmbushë detyrimet e tij të përgjithshme për të drejtat themelore, por legjislacioni duhet të zbatohet në mënyrë sistematike. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me diskriminim direkt dhe indirekt, përjashtim social dhe barriera.
Situata në burgje është ende e rëndë. Rekomandimet e bëra nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës për trajtimin e personave të ndaluar dhe të dënuar nuk janë adresuar. Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve duhet të sigurojë fonde të mjaftueshme për të promovuar më tej mbrojtjen e pakicave dhe zbatimin e strategjisë kombëtare Një Shoqëri për të Gjithë dhe Ndërkulturalizëm. Mekanizmi i mbikëqyrjes së jashtme për policinë, përfshirë policinë e burgjeve ende nuk është plotësisht funksional.
Konteksti i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e medias dhe lejon raportimin kritik të medias. Kodi Penal i ndryshuar dhe Ligji për përgjegjësinë civile për shpifje ngritën nivelin e përgjithshëm të mbrojtjes ligjore për gazetarët. Duhet transparencë më e madhe në lidhje me reklamimin në media nga institucionet shtetërore dhe partitë politike. Reforma e transmetuesit publik kërkohet për të forcuar pavarësinë, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare të tij.
Kushtet e punës së gazetarëve mbeten sfiduese. Ligji për shërbimet mediatike audio dhe audiovizuele është gjerësisht në përputhje me acquisin e BE-së, pas ndryshimeve legjislative të korrikut 2023. Maqedonia e Veriut vazhdoi përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë. Në përgjithësi, kuadri ligjor mbetet i favorshëm për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, nuk u arrit asnjë përparim në adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve të pazgjidhura të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisionit të Venecias. Puna e Parlamentit u dëmtua nga polarizimi politik, i cili u thellua më tej, duke vonuar miratimin e shumë ligjeve reformuese dhe emërime të rëndësishme.
Veprimi i BE-së – fushat kyçe të fokusit
BE-ja vazhdoi të monitorojë nga afër respektimin e të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE. Fushat kryesore të fokusit në 2023 përfshinin lirinë e tubimit dhe shoqërimit, lirinë e shprehjes, të drejtat e personave në situata të cenueshme, parandalimin e torturës dhe keqtrajtimit në sistemet e burgjeve, të drejtat e fëmijëve, personat me aftësi të kufizuara, si dhe barazinë gjinore. Vëmendje e veçantë iu kushtua promovimit të mosdiskriminimit, rritjes së efektivitetit në trajtimin e krimit të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes, forcimit të kapaciteteve dhe pavarësisë së institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave.
Angazhimi politik dypalësh i BE-së
Dialogu i rregullt politik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së vazhdon kryesisht në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Këshilli i Stabilizim-Asociimit BE – Maqedonia e Veriut mbajti takimin e gjashtëmbëdhjetë më 17 mars, për herë të parë në Shkup. Këto takime dhanë një mundësi për të vlerësuar progresin që ka bërë Maqedonia e Veriut në përgatitjet për anëtarësim në BE, me fokus në aspektet e sundimit të ligjit, duke përfshirë të drejtat themelore. Të drejtat e njeriut dhe demokracia mbetën një element i rëndësishëm i dialogut politik me autoritetet. Komisioni Evropian vazhdoi procesin e skriningut dhe publikoi Raportin e skriningut për Klasterin 1 – Bazat, që përfshin funksionimin e institucioneve demokratike dhe të drejtat themelore.
Angazhimi financiar i BE-së
Faza e tretë e programit të Ndihmës Horizontale BE-Këshilli i Evropës (CoE/HF III) është nisur për një periudhë katërvjeçare për të mbështetur reformat në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, duke përfshirë zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Evropës. Programi HF III është zbatuar që nga janari 2023 përmes gjashtë aksioneve përfituese të vetme për Maqedoninë e Veriut për një total prej 4,765 milionë euro.
Shtatë projekte të financuara nga BE (1.5 milionë euro) në kuadër të Programit Tematik për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë, vazhduan të ofrojnë mbështetje për rritjen e të drejtave të fëmijëve, luftimin e diskriminimit, sigurimin e kushteve të mira pune për gratë, monitorimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e mekanizmave kombëtarë mbrojtës kundër gjuhës së urrejtjes.
BE-ja kontraktoi 22 projekte në vitin 2023 për një shumë prej 3.3 milionë euro në kuadër të Mjetit të Shoqërisë Civile për të ndihmuar OJQ-të që të forcojnë demokracinë pjesëmarrëse, integrimin në BE dhe demokratizimin e shoqërisë duke fuqizuar gratë, të rinjtë dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Sipas Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit, Veprimi i BE-së për Sundimin e Ligjit 2020, me një buxhet prej 10 milionë euro, vazhdoi të mbështesë shumë institucione, duke përfshirë Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Zyrën e Avokatit të Popullit. Gjithashtu, IPA 2020 (400,000 euro) vazhdoi të mbështesë iniciativat për lirinë e shprehjes, duke përfshirë rritjen e mbështetjes për gazetarët, të drejtat sociale dhe ekonomike, duke mbështetur cilësinë e gazetarisë lokale. Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës mori 300,000 euro mbështetje për përafrimin e legjislacionit për mediat audio-vizuale me acquisin e BE-së. Ndihma e binjakëzimit të BE-së në shumën prej 788,000 euro u nis për të mbështetur rregullatorin e medias në zbatimin e Direktivës së Medias, si dhe transmetuesin publik për të zgjeruar shtrirjen e audiencës përmes përdorimit të përmirësuar të internetit dhe mediave sociale.
Konteksti shumëpalësh
Maqedonia e Veriut vazhdoi bashkëpunimin aktiv me organizatat ndërkombëtare. Prioritetet e saj në OKB janë në përputhje me prioritetet e rëndësishme të BE-së. Në janar 2023, vendi mori pozicionin e kryetarit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Ajo ka promovuar në mënyrë aktive standardet dhe vlerat evropiane dhe ka kërkuar të përballet me kërcënimet që dalin nga lufta agresioni e Rusisë kundër Ukrainës.
Kur jemi te gjendja e burgjeve, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës në raportin e fundit vëren mungesën e zbatimit të disa rekomandimeve në fushën e reformës së burgjeve dhe, në veçanti, në lidhje me situatën në Burgun e Idrizovës. KPT u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që t’i zbatojnë këto rekomandime dhe të shmangin nevojën që Komiteti të lëshojë deklaratë publike. Raporti thekson nevojën e një vlerësimi për përdorimin e forcës ndaj të burgosurve. Komiteti vëren se fenomeni i mbipopullimit të burgjeve mund të trajtohet efektivisht nga një politikë e modulimit të numrit të personave të dërguar në burg dhe jo nëpërmjet një amnistie tjetër. Gjithashtu përmenden kushtet e këqija higjienike për të burgosurat femra dhe të miturit në paraburgim.