BE planifikon ta vendosë çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut
Bashkimi Evropian ka thënë se rihapja e Urës së Ibrit është çështje e dialogut dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të këtij procesi. Një zëdhënës i BE-së ka thënë se diskutimet për hapjen e urës janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj […]
Bashkimi Evropian ka thënë se rihapja e Urës së Ibrit është çështje e dialogut dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në kuadër të këtij procesi.
Një zëdhënës i BE-së ka thënë se diskutimet për hapjen e urës janë duke vazhduar dhe BE-ja është duke u koordinuar ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë.
“Të gjitha marrëveshjet e dialogut, duke përfshirë edhe atë të urës, duhet të zbatohen plotësisht. BE-ja u kërkon të gjitha palëve të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.
“BE planifikon ta vendosë çështjen e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut. Çdo takim i dialogut do të njoftohet në kohën e duhur”, tha ky zëdhënës i BE-së për Klan Kosova.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë dje se çështja e hapjes së Urës së Ibrit është çështje e Kosovës, e cila sipas tij, është përmbyllur për sa i përket Brukselit në vitet 2016-17, dhe siç tha ai, ura duhet të hapet.
“Çështja e Urës së Ibrit është çështje e Kosovës, është çështje e cila është përmbyllur sa i përket Brukselit në vitet 2016-2017 dhe ura duhet të hapet. Ne dëshirojmë edhe lëvizje të lirë të qytetarëve, edhe sundim të ligjit, edhe paqe dhe siguri. Nga pikëpamja jonë ajo çfarë duhet të presim është raporti për qëndrueshmërinë e urës”.
“Nuk është çështje diskutimi është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur te gjitha diskutimet dhe është thëne se ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017. Jemi në gusht 2024”, ka thënë Kurti.
Ideja për hapjen e urës ka ngjallur reagime të ashpra nga faktori ndërkombëtar, gjegjësisht nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. ShBA, BE, Gjermania e shtetet tjera aleate të Kosovës kanë thënë se ura nuk duhet të hapet në këtë kohë.
Ata madje kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të mund të rrezikonte jetën e ushtarëve të KFOR-it.