Biden zgjeroi sanksionet për Ballkanin Perëndimor, në shënjestër edhe ata që cenojnë marrëveshjet e Prespës dhe Ohrit
Me më pak se dy javë të mbetura deri në përfundimin zyrtar të mandatit të tij, presidenti amerikan Joe Biden miratoi një dekret për zgjerimin e kategorive të personave që i nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së për shkak të përpjekjeve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përpjekjeve për të minuar […]
Me më pak se dy javë të mbetura deri në përfundimin zyrtar të mandatit të tij, presidenti amerikan Joe Biden miratoi një dekret për zgjerimin e kategorive të personave që i nënshtrohen sanksioneve të SHBA-së për shkak të përpjekjeve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përpjekjeve për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm, transmeton Portalb.mk.
Ndër risitë e miratuara me dekret janë se sanksionet do të përfshijnë edhe bashkëshortët dhe fëmijët e rritur të personave të sanksionuar, liderët apo anëtarët – qeveritarë apo biznesorë – të subjekteve të sanksionuara, si dhe ata nën kontrollin e të cilëve janë personat apo subjektet e sanksionuara.
Arsyet për sanksione në të ardhmen do të jenë edhe përpjekjet për të kërcënuar paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo vendi nga Ballkani Perëndimor, përpjekjet për të keqpërdorur seriozisht të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor, përpjekjet për të marrë pjesë në korrupsion, si dhe përpjekjet për të marrë pjesë në veprime apo politika që minojnë institucionet demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në dekret thuhet gjithashtu se sanksionet do të zbatohen ndaj personave që në mënyrë direkte ose indirekte kanë marrë pjesë ose kanë tentuar të marrin pjesë në shkeljen, pengimin ose kërcënimin e zbatimit të sigurisë rajonale, marrëveshjeve të paqes ose marrëveshjeve të njohjes reciproke në Ballkanin Perëndimor.
“…Përfshirë Marrëveshjen e Prespës 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001; Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; Marrëveshja e Dejtonit; ose konkluzionet e Këshillit për Zbatimin e Paqes mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshillit për Zbatimin e Paqes ose Bordit të tij Drejtues; ose Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ose, në lidhje me ish-Jugosllavinë, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetur për Gjykatat Penale…” thuhet në urdhrin ekzekutiv të lëshuar nga presidenti amerikan.
Rregullorja e re mbulon gjithashtu personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, mallra ose shërbime për të mbështetur personat në listën e sanksioneve, pastaj ata që kontrollohen të veprojnë drejtpërdrejt ose indirekt për ose në emër të personave të sanksionuar.
Arsyeja për futjen e masave të përforcuara dhe të zgjeruara, siç përshkruhet nga Biden në fillim të dekretit, është për shkak të ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të rajonit, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, përfshirjen në korrupsion të konsiderueshëm që minon sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmang sanksionet e qeverisë amerikane.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden urdhër të njëjtë ekzekutiv nënshkroi në vitin 2021, që përfshinte ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Urdhri, si ai i vitit 2021, si ky i tanishmi, është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.