“Bllagoja Toskës” nuk i shihet fundi, dalja në Drenovec do të vonojë edhe disa muaj

Pjesa e mbetur pa asfalt e bulvardit “Bllagoja Toska” nga rrethrrotullimi mbi Kazermën e qytetit që del në lagjen “Drenovec” në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, nuk do të asfaltohet edhe për disa muaj për shkak të procedurave të papërfunduara të shpronësimit, shkruan Portalb.mk.  Pjesa më e madhe e kësaj rruge u asfaltua në gusht […]

shkurt 1, 2025 - 15:00
 0  8
“Bllagoja Toskës” nuk i shihet fundi, dalja në Drenovec do të vonojë edhe disa muaj
Rruga mbi Kazermën e Tetovës dhe nën stadiumin e vjetër që lidh Bulevardin "Bllagoja Toska" me rrugën rajonale Tetovë - Jazhincë në lagjen Drenovec. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pjesa e mbetur pa asfalt e bulvardit “Bllagoja Toska” nga rrethrrotullimi mbi Kazermën e qytetit që del në lagjen “Drenovec” në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, nuk do të asfaltohet edhe për disa muaj për shkak të procedurave të papërfunduara të shpronësimit, shkruan Portalb.mk. 

Pjesa më e madhe e kësaj rruge u asfaltua në gusht të vitit të kaluar, por ka mbetur edhe një pjesë prej disa metrash pa asfalt e të lidhet me rrugën rajonale. 

Problemi me shpronësimin e pronave e ka zvarritur këtë proces me muaj. 

Nga Komuna e Tetovës thonë se janë në fazën përfundimtare të shpronësimit, ku problemi është te një pronë dhe një qytetar që nuk është brenda shtetit ku presin të kthehet. 

“Ne veç jemi pajtuar me pronarët e pronave që duhet të shpronësohen, është çështje teknike, nuk duam të shkojmë me procedurën ligjore sepse zgjatë më shumë, por të nënshkruajmë marrëveshje për shpronësim dhe nga ai moment kur do të kemi marrëveshjet do i japim urdhëresë kompanisë t’i vazhdojë punimet”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. 

Sipas tij punimet pritet të vazhdojnë në pranverë me përmirësimin e kushteve atmosferike. 

gusht 2024 kur filloi asfaltimi i rrugës nga Komuna e Tetovës njoftuan se rruga nuk do të asfaltohet deri në fund pasi nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit.

Ndërsa në shkurt 2024 kur filluan punimet për këtë rrugë, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami premtoi se rruga do të asfaltohet deri në fund. Punimet duhej të përfundonin brenda tre muajve, por kjo nuk u bë brenda afatit të paraparë për shkak të problemeve të ndryshme, ndërsa Komuna e Tetovës pati paralajmëruar sanksione ndaj kompanisë punuese.

Komuna e Tetovës me 15 janar 2024 përzgjodhi Kompaninë “Anrra Centrum” nga Reçica e Vogël për ndërtimin e Bulevardit Bllagoja Toska nga Kazerma deri te rruga rajonale në gjatësi prej 450 metrave dhe përfundimi i trotuareve. Kontrata u nënshkrua me 8 shkurt 2024, ndërsa punimet në terren filluan më 19 shkurt 2024.

Kjo rrugë prej rreth 450 metrave ishte e lënë në gjendje kritike për shumë gjatë, pa asfalt, plotë gropa dhe baltë, sidomos gjendja më e keqe është kur ka reshje të shiut apo bores. Me asfaltimin e këtij segmenti rrugor pritet të lehtësohet komunikacioni për hyrje dhe dalje nga qyteti.

Banorët e kësaj lagjeje shumë herë janë ankuar për gjendjen e keqe e rrugës dhe kanë kërkuar asfaltimin e saj. Pavarësisht premtimeve nga autoritetet, në terren nuk u ndërmor asgjë me vite. Madje në fund të vitit 2022 banorët e kësaj lagjeje dolën edhe në protestë.