Sundimi i ligjit në RMV më shumë në suaza të idesë, praktika mbetet me shumë sfida
Procesi i integrimit evropian për Maqedoninë e Veriut mbetet sfidues. Kritikat kryesore adresojnë dobësitë në sistemin gjyqësor, përfshirë mungesën e pavarësisë, korrupsionin dhe ndikimet politike. Raportet theksojnë mosrespektimin e ligjeve dhe transparencës në procedurat vendimmarrëse. Reformat prioritare përfshijnë fuqizimin e kapaciteteve institucionale, depolitizimin e drejtësisë dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile. Përshpejtimi i reformave […]
Procesi i integrimit evropian për Maqedoninë e Veriut mbetet sfidues. Kritikat kryesore adresojnë dobësitë në sistemin gjyqësor, përfshirë mungesën e pavarësisë, korrupsionin dhe ndikimet politike. Raportet theksojnë mosrespektimin e ligjeve dhe transparencës në procedurat vendimmarrëse. Reformat prioritare përfshijnë fuqizimin e kapaciteteve institucionale, depolitizimin e drejtësisë dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile. Përshpejtimi i reformave kërkon angazhim të sinqertë nga qeveria dhe bashkëpunim me BE-në, e cila ka paraqitur 40 masa konkrete për përmirësimin e strukturave gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit, thuhet në dokumentin e Konventës Nacionale me titull ‘Klasteri 1 “Vlerat themelore”: Sundimi i ligjit si ide dhe si praktikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut‘, një dokument përfundimtar analitik për temat që janë diskutuar gjatë vitit 2023, transmeton Portalb.mk.
Koncepti i sundimit të ligjit si ide dhe praktikë trajtohet si një shtyllë themelore për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për zhvillimin demokratik të vendit. Ja pikat kryesore:
Sundimi i ligjit si ide përshkruhet si një vlerë universale dhe një standard themelor i Bashkimit Evropian, duke përfshirë respektimin e ligjeve, barazinë përpara tyre dhe sigurimin e drejtësisë.
Në kontekstin e Maqedonisë së Veriut, sundimi i ligjit shihet si një komponent i domosdoshëm për përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE.
Në mënyrë ideale, ky koncept përfshin parime si: pavarësia e gjyqësorit, ndalimi i arbitraritetit të pushtetit ekzekutiv, dhe mbrojtja e të drejtave themelore.
Për sundimin e ligjit si praktikë dokumenti vëren se zbatimi praktik i sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut përballet me sfida serioze, si ndikimet politike në gjyqësor dhe korrupsionin.
Një nga kritikat kryesore është mungesa e zbatimit të ligjeve dhe transparencës në proceset institucionale. Përmendet edhe ndikimi negativ i polarizimit politik, që pengon funksionimin e institucioneve të sundimit të ligjit.
BE-ja ka vendosur sundimin e ligjit si një prioritet kryesor në Kapitullin 23, duke e cilësuar atë si “themelin” e procesit të anëtarësimit. Dokumenti thekson se procesi i skriningut ka evidentuar përmirësime në harmonizimin e ligjeve, por ka kritikuar ndjeshëm mungesën e përparimit në zbatimin e tyre.
Rekomandohet përforcimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore dhe zbatimi i masave për të luftuar korrupsionin. Digjitalizimi i gjyqësorit dhe rritja e transparencës në vendimmarrje konsiderohen si hapa të rëndësishëm për ta bërë sundimin e ligjit më efektiv në praktikë.
Një përpjekje më e madhe për të edukuar qytetarët mbi vlerat dhe rëndësinë e sundimit të ligjit është gjithashtu e nevojshme.
Përmbledhur më shkurt, sundimi i ligjit trajtohet në dokument si një përzierje mes një koncepti ideal dhe një sfide praktike, ku sukseset janë të kufizuara dhe sfidat kërkojnë angazhim të gjerë institucional dhe shoqëror.
Konteksti politik dhe ekonomik nga perspektiva e eurointegrimeve
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë prej kohësh në statusin e kandidatit, ku disa prej tyre, si Maqedonia e Veriut, kanë bërë kompromise të mëdha për të arritur stabilitet politik dhe përparim në negociata.
Procesi i skriningut ka theksuar nevojën për reforma të thella në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore për të përmbushur kërkesat e BE-së.
Vlerësimi i BE-së ka evidentuar pengesa në implementimin e ligjeve dhe një nivel të ulët të transparencës në vendimmarrje, duke sugjeruar reforma të ndjeshme.
Politikat e reja si Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor synojnë të ndihmojnë këto vende të përfitojnë ekonomikisht edhe para anëtarësimit të plotë.
Politika e polarizimit dhe pasojat e saj
Maqedonia e Veriut përballet me poliarizim të thellë politik, ku mungesa e dialogut ndërmjet partive ka sjellë vonesa në reformat thelbësore. Ndryshimet e shpeshta në koalicione qeveritare kanë rezultuar në shpërndarje të burimeve për interesa partiake, duke dëmtuar interesat e qytetarëve.
Qytetarët shprehin pakënaqësi për shkak të korrupsionit të lartë, mungesës së transparencës dhe rritjes së varfërisë, duke ulur besimin në institucione. Lufta në Ukrainë ka shtuar presionet ekonomike dhe sociale, duke përkeqësuar inflacionin dhe krizat energjetike.
BE-ja bazohet në vlera universale si respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia, sundimi i ligjit dhe solidariteti midis shteteve anëtare. Në vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut, këto vlera shpesh perceptohen si abstrakte dhe larg realitetit të qytetarëve.
Dokumenti thekson rëndësinë e zbatimit të parimit “së pari themelet” (Fundamentals First) në procesin e negociatave. Kritikat adresohen ndaj kapaciteteve të pamjaftueshme institucionale dhe mungesës së pavarësisë së sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet evropiane.
Problemet kryesore të gjyqësorit
Vlerësimet tregojnë se reforma e drejtësisë është penguar nga mungesa e përgjegjshmërisë dhe mosfunksionimi i organeve përgjegjëse. Vetëm 52% e masave të përcaktuara në planin e mëparshëm janë zbatuar plotësisht, duke treguar dobësi në koordinimin institucional dhe financimin e pamjaftueshëm. Dokumenti sugjeron përmirësimin e proceseve të rekrutimit dhe promovimit të gjyqtarëve për të forcuar integritetin e tyre. Kritikohet pasiviteti i gjyqtarëve në kundërshtimin e vendimeve të padrejta të qeverisë.
Këshilli Gjyqësor është identifikuar si një pikë e dobët, me mungesë transparence dhe ndikime politike të forta në vendimet e tij. Rekomandohen reforma si ndryshimi i mandatit të anëtarëve, përfshirja e shoqërisë civile në mbikëqyrje dhe forcimi i pavarësisë financiare.
BE-ja ka hartuar një listë prej 40 masash për të adresuar dobësitë, përfshirë transparencën në zgjedhjen dhe shkarkimin e kryetarit të këshillit. Anketime të fundit tregojnë se shumica e gjyqtarëve kanë humbur besimin në aftësinë e Këshillit për të mbrojtur pavarësinë e sistemit.
Kujtojmë se gjyqësori në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut ishte në gjendje shumë të keqe dhe të zhytur në humnerë. Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve janë në prag të kolapsit dhe partizimit, funksionarët më shumë dënohen nga ndërkombëtarët se sa gjykatat e vendit ndërsa ndërrimi i qeverisë sikur iu ‘dha zemër’ prokurorëve t’i nxjerrin nga sirtaret disa lëndë për ish-funksionarët e BDI-së dhe LSDM-së.
RMV-ja arriti të ‘ruajë’ statustin e regjimit hibrid edhe në raportin e fundit të Freedom House. Përpos që ka rënie të ndjeshme në çdo sektor, në këtë raport thuhet se RMV-ja i është dorëzuar korrupsionit të lartë’.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian gjithashtu pati kritika të ashpra për Maqedoninë në sferën e gjyqësorit. Aty mes tjerash thuhet se pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për ta mbrojtur atë nga ndikimi i padrejtë mbeten shqetësim serioz.
Niveli i pavarësisë së perceptuar të gjyqësorit është shumë i ulët, thekson raporti. Shqetësime mbeten edhe për funksionimin dhe pavarësinë e Këshillit Gjyqësor, ndërkohë që janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Vendimet për emërimin e prokurorëve publikë dhe gjyqtarëve janë kritikuar nga shoqëria civile se nuk janë të motivuara në mënyrë gjithëpërfshirëse apo të bazuara në kritere objektive.
Sipas hulumtimeve të fundit mbi opinionit publik, besimi në gjyqësor është ulur në 2 për qind, që është në nivelin më të ulët që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.