RMV, askush nuk mban përgjegjësi që me vite u shkilet e drejta themelore për arsim fëmijëve që kanë rënë ndesh me ligjin

Të miturve që kanë rënë ndesh me ligjin në Maqedoninë e Veriut, shteti ndër vite iu shkel të drejtën për arsim të garantuar me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Deri më tani, askush nuk mban përgjegjësi për këtë shkelje. Portalb-i vizitoi Qendrën Përmirësuese në fshatin Vollkovijë ku aktualisht qëndrojnë 26 fëmijë.Biseduam me të gjitha institucionet kompetente, […]

shkurt 16, 2025 - 09:00
 0  7
RMV, askush nuk mban përgjegjësi që me vite u shkilet e drejta themelore për arsim fëmijëve që kanë rënë ndesh me ligjin
Qendra Përmirësuese në Vollkovi, Bërvenicë

Të miturve që kanë rënë ndesh me ligjin në Maqedoninë e Veriut, shteti ndër vite iu shkel të drejtën për arsim të garantuar me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Deri më tani, askush nuk mban përgjegjësi për këtë shkelje. Portalb-i vizitoi Qendrën Përmirësuese në fshatin Vollkovijë ku aktualisht qëndrojnë 26 fëmijë.Biseduam me të gjitha institucionet kompetente, nuk e dinë se si dhe në çfarë forme, por shpresojnë se nga viti i ardhshëm shkollor edhe këta fëmijë do të mund të kyçen në procesin arsimor, shkruan Portalb.mk.

Të vogël në moshë, por dëmet që i kanë shkaktuar këta fëmijë kanë lënë pasoja të mëdha.

Pjesa më e madhe janë të dënuar për vjedhje, vjedhje të rënda dhe grabitje. Por ka edhe të dënuar për vepra më të rënda kriminale si; tentim vrasje dhe sulm gjinor.

Një pjesë e tyre vijnë prej familjeve disfunksionale, prandaj në këtë qendër përmirësuese iu është bë mirë. Familjarët kanë të drejtë t’i vizitojnë fëmijët e dënuar, por për disa vijnë shumë rrallë e për disa tjerë, asnjëherë.

Portalb-i bisedoi me një prej fëmijëve që vuajnë dënimin këtu. Ai tash dy vite e gjysmë ndohet në këtë qendër përmirësuese, thotë se përpos mungesës së prindërve, me kushtet në këtë institucion është i kënaqur.

Gazetari Ardit Ramadani duke intervistuar fëmijën që vuan dënimin në Qendrën Përmirësuese.
Gazetari Ardit Ramadani duke intervistuar fëmijën që vuan dënimin në Qendrën Përmirësuese.

“Isha tani te prindërit, ka një muaj që jam kthyer, isha në pushim vjetor dhjetë ditë, shumë bukur kalova, edhe ata ishin shumë të kënaqur me mua, me atë që kam qene dikur jashtë. Por sigurisht se më munguan, prind janë, por duhet të mësohemi, për gjithçka në jetë ka durim. Durimin e kam mësuar këtu, unë jashtë aspak nuk kam pasur durim, menjëherë kam dashur që disa punë të ndodhin në moment, por këtu e mësova se duhet pak që të presish që të ndodhë diçka” u përgjigj ai.

Ka një këshillë për bashkëmoshatarët e tij.

“Duke marrë shkak nga vetja, iu them që të tentojnë të arrijnë në jetë, mos të bëjnë gjëra të këqija. Të përfundojnë shkollimin, më pas Zoti do iu mundësojë edhe punët tjera. Të arrijnë vetë, të mos presin nga askush” tha ai.

Djaloshi duket i penduar për kryerjen e veprës penale, arsyetohet me atë se “familjarët nuk kanë pasë mundësi të më mundësojnë një jetë më të mirë, andaj devijova”.

Fëmijët këtu mund të qëndrojnë më së paku 6 muaj ndërsa më së shumti 5 vjet. Megjithatë, nëse tregojnë shenja të përmirësimit, mund të lirohen edhe më herët. Për këtë, biseduam me udhëheqësen e Sektorit të Resocializimit, Natasha Ristovska.

“Fëmijët shpërfaqin ndjenjë të fajit, të pendimit, e spjegojnë atë moment të përfshirjes në grupin e fëmijëve që i ka shtyrë të kryejnë veprën penale, flasin për papjekurinë e tyre. Atyre u jepet mundësi të punojnë me veten, ndërsa sa më shumë kanë përparim, aq më herët mund ta lëshojnë këtë institucion” tha Ristovska.

Shteti ua shkel të drejtat themelore fëmijëve në këtë qendër përmirësuese

Këtyre fëmijëve asnjëherë nuk u është mundësuar proces i rregullt arsimor, për këtë arsye pjesa më e madhe që janë atyre janë plotësisht analfabetë.

Përkundër dëshirës që të vazhdojnë shkollimin kur të dalin nga ky institucion, kjo me shumë gjasë do të jetë e vështirë, në mungesë të një vërtetimi për kryerje të shkollës fillore.

“Shumë do të doja të arsimohem, këtë e kam qëllim jetësor, fillimisht dua të përfundoj shkollën, fakultetin, pas kësaj të punoj dhe gjithçka tjetër. Shkollimin do ta vazhdoj edhe jashtë, nëse ndodh që të shkoj në Zvicër, pasi kështu planifikoj” tha djaloshi i intervistuar nga Portalb-i.

Me mos-mundësimin e shkollimit këtyre fëmijëve, shteti ka shkelë Ligjin për të Drejtat e Fëmijëve, Ligjin për Zbatimin e Sanksioneve dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e FëmijëveOKB-së.

Natasha Ristovska, udhëheqëse e Sektorit për Resocializim.
Natasha Ristovska, udhëheqëse e Sektorit për Resocializim.

Fëmijët e kësaj qendre përmirësuese në mungesë të shkollimit adekuat, sipas Natasha Ristovskës kanë ndjekur disa trajnime të ofruara nga UNDP.

“Problemi me arsimin në qendrën përmirësuese është i kahmotshëm, formë të organizuar të procesit arsimore nuk ka, megjithatë në këtë periudhë institucioni ynë është mundurar dhe ia ka dalë që procesin i cili na ka munguar ta mbulojë me aktivitete joformale, megjithatë edhe përmes aktiviteteve që realizohen nga vetë edukatorët, siç është puna në kompjuterë dhe mësimi i shkrim-leximit fëmijëve” tha Ristovska.  

Drejtori i këtij institucioni, Brane Stojçevski thotë se nga ana e tyre i kanë siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për mbajtje të procesit arsimor, por potencoi se nuk është në dorë të tyre se kur do të fillojë procesi.

Brane Stojçevski, drejtor i Qendrës Përmirësuese në Vollkovija.
Brane Stojçevski, drejtor i Qendrës Përmirësuese në Vollkovija.

“Nga ana jonë kushtet janë të siguruara, që të mund të realizohet arsimi, do të shihni më pas që kemi klasa mësimore për këtë me llaptopë, kështu që ne jemi të gatshëm kurrdo që të fillojë arsimi këtu, shpresojmë që në vitin akademik 2025/2026 do të organizohet edhe këtu arsimi” tha Stojçevski.

Megjithatë, sipas zëvendës Avokates së Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa, trajnimet e realizuara nga UNDP dhe vetë qendra nuk është e vlefshme, pasi me ato nuk ju ofrohet fëmijëve dokument zyrtar për përfundim të shkollimit.

Vaska Bajramovska Mustafa, zëvendës Avokate e Popullit.
Vaska Bajramovska Mustafa, zëvendës Avokate e Popullit.

“Kjo nuk është mbulim i asaj që kemi për obligim si shtet ta bëjmë, dhe ajo është të sigurojmë proces arsimor për këto fëmijë, shpresojmë që me ndryshimet ligjore që u sollën në fund të vitit për arsimin fillor, ku më në fund po veprohet në përputhje me kërkesën tonë dhe alarmin që e japim ndërvite që të formohet proces arsimor “ tha Vaska Bajramovska Mustafa.

Zgjidhja ligjore u gjet, ka ngelë vetëm zbatimi

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në fund të muajit dhjetor votoi ndryshimet në Ligjin për Arsim Fillor. Sipas dispozitave ligjore në fuqi, shkolla për të rritur ‘Makarenko’ shndërrohet në institucion që do të jep shërbime arsimore për qendrat përmirësuese.

Neni 51, Ligji për Arsim Fillor.

“Shkolla fillore për të rritur “Anton Semjonoviç Makarenko” – Shkup, vazhdon punën si shkollë fillore për arsimin e të rriturve dhe fëmijëve në institucionet edukativo-korrektuese, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe ka statusin e shkollës fillore shtetërore”

“Më mirë diçka, se asgjë” u përgjigj drejtori i Qendrës Përmirësuese në Vollkovija, Brane Stojçevski kur e pyeti gazetari i Portalb-it nëse i duket i realizueshëm ky plan i Ministrisë së Arsimit për arsimin e fëmijëve në këtë qendër.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska nga ana tjetër është e bindur se nga viti i ardhshëm shkollor këta fëmijë do të mund të përfshihen në procesin e rregullt arsimor.

“Aktualisht po përgatiten të gjitha dokumentet të cilat janë të nevojshme që shkolla të bëhet funksionale dhe konsideroj që deri në fillimin e vitit të ardhshëm gjithçka do të jetë në rregull dhe shkolla do të mund të fillojë me procesin arsimor edhe me këto nxënës pa marrë parasysh të moshës apo shkallës së shkollimit të tyre” tha Janevska.

Ajo megjithatë nuk është e sigurt se në çfar forme do të realizohet kjo.

“Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si mund të mbahet mësimi, thellësisht jam e bindur që do të jetë e realizueshme, shkolla ka kuadër që do ta realizojë mësimin te nxënësit. Format e arsimit, nëse do të jetë me prezencë fizikë, apo do të jetë online, varet nga ajo se si janë masat e qendrave ndëshkuese ose përmirësuese por edhe nga mundësitë që ose fëmijët me përcjellje të shkojnë në shkollë ose mësuesit të shkojnë në qendrat përmirësuese” tha Janevska.

Përgjegjësi duhet të ketë

Ministrja Janevska tha se dikush duhet patjetër të mbajë përgjegjësi për faktin që këtyre fëmijëve ndërvite ju shkilet një e drejtë themelore, por sipas saj, kjo është punë për institucionet tjera.

“Përgjegjësi për shumë gjëra, jo vetëm për këtë duhet të mbajnë institucione përkatëse dhe persona, ky është qëndrimi im personal, dhe e shihni që kjo qeveri po lufton që të vendosë rend. Por, për mua në këtë moment është më e rëndësishme që fëmijët të fillojnë me mësimin dhe të zhvillojnë ndonjë lloj të aftësive nëse jo dijes dhe do të fokusohem në këtë. Institucionet tjera gjithashtu do ta kryejnë punën e tyre ndërsa unë jam thellësisht e bindur për këtë” tha Janevska.

Në pjesën e dytë të kësaj storje do të lexoni më shumë në lidhje me shkeljet që i bën shteti kundrejt vajzave të mitura që kanë rënë ndesh me ligjin. Ata aktualisht ndodhen në një repart të veçantë në Burgun e Idrizovës.