Cilit “Top Channel” t’i besosjmë, kur e lavdëronte Grubin apo tash kur ia këndoni “tallkinin” politik?
Shkruan: Fejzi Hajdari Me një, siç thuhet në gazetari, “hyrje të hershme” në këtë koment, me sinqeritetin më të madh, dua t’i pyes këta drejtuesit e emisionit dhe disa nga analistët pjesëmarrës në debatin e Grida Dumës në “Top Channell” (TCH), lidhur me përfshirjen e tij në Listën e zezë: Ku ishte deri dje TCH, […]
Shkruan: Fejzi Hajdari
Me një, siç thuhet në gazetari, “hyrje të hershme” në këtë koment, me sinqeritetin më të madh, dua t’i pyes këta drejtuesit e emisionit dhe disa nga analistët pjesëmarrës në debatin e Grida Dumës në “Top Channell” (TCH), lidhur me përfshirjen e tij në Listën e zezë: Ku ishte deri dje TCH, që s’e kishte ditur se Artan Grubi na paska qenë i tillë”, sic u ‘konstatua’ në emision? A mbajnë përgjegjësi për këtë për hapësirën, që vetë TCH, ia krijoi me vite Grubit, dhe jo vetëm…
Kur e kishte mirë (dhe drejtë) Top Channel, atëhere kur Grubi ua ‘caktonte agjendën’ debative dhe analistët nga Maqedonia e Veriut, apo tani kur e kritikoni Grubin, ndër të tjera edhe për “agjenda proRuse e proSerbe”?! Tema ishte shumë e qëlluar, por jo edhe përmbajtja e vlerësimet jokredibël…
Ta kritikosh dikë për të tilla agjenda, mendimi do të duhej të ishte kredibil (i besueshem). Një mendim ose vlerësim i tillë, mund të vijë nga njerëz me të kaluar të pastër e serioz në opinion, me CV pa njolla dhe qëndrime koherente. Nuk është kredibil një mendim i një analisti apo opinionbërësi, nëse ai në oponion njihet më shumë për aventura politike, sesa krijim opinion e politikbërje në shërbim të qytetarit, publikut… Me fjalë të tjera, nuk mund të jetë kredibile Grida Duma, e cila në Top Channel më shumë sillet si topmodele (!), sesa si profesioniste, ose më tepër paraqitet si politikane sesa si moderatore!
Ju kujtohet gafat me Kosovën në cilësinë e nënkryetaes së PD-së kur në një intervistë televizive në “News 24”, ndërsa ka folur për Kosovën dhe vizitën e kryeministrit Edi Rama atje, tha se “duhet të respektojë autonominë e Kosovës dhe se Kosova duhet të jetë shtet autonom”. Ndërkohë që Kosova është Republikë, e cila e ka shpallur pavarësinë që me 17 shkurt të vitit 2008…
Ju kujtohet gafa tjetër, kur Grida Duma në cilësinë e moderatores në Top Channel, i kishte dhënë të drejtë vetes që në mënyrë të habitshme, pra pa kurrfare baze argumenti, vrasjen e rojes së Top Channel-it ta krahasoj me fushatën e bombardimeve te NATO’s ndaj Serbisë, të cilës i kishin paraprirë masakrat, gjenocidi dhe vrasjet e përmasave titanike në Kosovë nga regjimi i diktatorit kasap, kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq…
Pastaj, si ka mundësi që një politikani të super dështuar me Aleancën Kuq e Zi, si Kreshnik Spahiu, t’i jepet hapësirë kaq e madhe për të shpalos një vlerësim jorelevant…
Për të gjitha këto “mëkate të Artan Grubit” dhe sidomos partisë së BDI-së, pak a shumë që po shpalosen në Top channel sot, gazeta Lajm dhe Lajm tv, kishte shkruar para shumë vitesh…atëherë kur ndaj Lajm-it, BDI-ja e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit kishin filluar luftë speciale, me anë të inspektorëve tatimorë, me anë të hyrjes brutale të bandave kriminale të BDIsë ne zyrat e “Lajm”-it etj., gjë për të cilën “Lajm” ishte pjesë e Raportit vjetor të Stej Departamentit Amerikan – Për fjalën e lirë…
Dmth kur “Lajm” fliste për agjendat e Artan Grubit, për të cilat sot iu është kujtuar Gridës dhe Kreshnik Spahiut të flasin, Top Channel i krijonte hapësirë Grubit në median e tyre, ku ky i “Listës së Zezë” amerikane ua caktonte agjendën dhe analistët. Rrjedhimisht, parashtrohet pyetja logjike: Kur e kishte drejtë e mirë “Top Channell”, atëherë kur i thurrte elozhe Grubit, apo tash kur e kritikon – “ia këndon “tallkinin” politik!?”.
Një fjalë nuk e kishte thënë Top Channel, për ne kolegët e “Lajmi”-it gjatë asaj periudhe kohore (përjashto një mini-intervistë tek Adi Krasta, që ishte e shumë e më hershme tek TCH) megjithëse kishim mbetur të vetmuar si media opozitare (neutral) në betejën titanike ndaj BDI-së, e cila po betononte diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Këto veprime të medias në Tiranë, por edhe në Prishtinë fatkeqësisht, më shumë të krijojnë përshtypjën e “mediave misionare” për të cilat disa herë është deklaruar edhe avokati i mirënjohur Spartak Ndjela, sesa mediave profesioniste që kanë për qëllim shpalosjen e së vërtetës dhe jo shtrembërimit të saj. Veprimet e deritanishme të një pjese të madhe të medias ne Tiranë dhe Prishtinë, kuptohet të ndikuara dhe në shërbim të politikave të caktuara, vazhdimisht e kanë shtrembëruar të vërtetën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Si ka mundësi që Gridat, Blendi Fevzitë, e disa të tillë në Prishtinë, trazohen sa herë që shqiptarëve të Maqedonisë, duhet tu krijojnë e shesin mjegull, për interesa të partisë së caktuar politike shqiptare. Të njëjtat media na i kanë ça tr.p.n, duken na bindur se “gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoni” dhe se “shqiptarët janë popull shtetëformues”!!! Vinin në Shkup për të na i inauguruar “kryeministrin e parë shqiptar si suksese të madh!!!”, duke shkelur edhe rregullat protokollare në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut…
Alooooo-aloooo…Tirana, Prishtina! I keni hipur pelës mbrapshtë.
Çfarë ju dukemi ne këtu? Vërtetë mendoni se ne aq lehtë e gëlltisim “prostitucionin” tuaj, të cilin e ushtroni në mënyrë perfekte, kur ju joshin me lekë, qoftë ai i ardhur edhe nga Rusia e Serbia? Jo jo, flm se s’kemi nevojë për “ndihmën tuaj”!
Një mesazh shumë të sinqertë dua t’ua dërgoj mediave kryesore në Tr dhe Pr:
Aman, ju lutem, mjaftë na ndihmuat! Mos u lodhni kaq shumë për neve… se vërtetë nganjëherë jam në dilemë të madh që ta përcaktojë saktë se nga na vjen dëmi më i madh: Nga Tirana, Prishtina apo Beogradi?