Debat në Komisionin për Çështje të Sigurisë, Musliu kundër raportit të AIP-së, reagon Sogojeva-Dermaku
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar raporton e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Musliu raportin e ka quajtur si raport vet lavdërues dhe jo substancial. “E kam marrë me kohë raportin në Kuvend, e kam analizuar mirë dhe jam përgatitur për këtë takim, sepse


Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar raporton e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Musliu raportin e ka quajtur si raport vet lavdërues dhe jo substancial.
“E kam marrë me kohë raportin në Kuvend, e kam analizuar mirë dhe jam përgatitur për këtë takim, sepse raporti në pamje të parë paraqitet si një dokument i pasur me numra dhe statistika. Megjithatë, një lexim kritik zbulon se ka disa dobësi serioze në përmbajtje, qasje dhe llogaridhënie. Unë e kam ndarë në tetë pika kritike analizën e këtij raporti dhe do të ndalem te secila:Mungesa e vetëkritikës reale: Mendoj se raporti është tërësisht vetëlavdërues. Flitet për arritje, angazhim dhe profesionalizëm, por mungon një analizë e sinqertë e dështimeve. Nuk dëgjova asnjë rast ku agjencia ka dështuar ta mbrojë qytetarin, ndërkohë që ka shumë njerëz që flasin për këtë. Numra pa kontekst: Janë paraqitur shumë statistika (1085 ankesa, 167 inspektime), por nuk dihet sa prej tyre kanë prodhuar efekt real. Nuk ka analizë mbi cilësinë e vendimeve dhe as krahasim me vitet paraprake. Numrat pa analizë janë më shumë propagandë sesa llogaridhënie. Ankesat e bartura: Ky është tregues i ngecjes. Shumë ankesa për qasje në dokumente publike dhe për mbrojtjen e të dhënave janë bartur nga viti 2024 në vitin 2025. Kjo tregon ose vonesë në trajtim, ose mungesë kapacitetesh, ose menaxhim joefikas.
Fokus në aktivitete dhe jo në rezultate: Janë përmendur mbi 100 pjesëmarrje në trajnime, por mungon përgjigjja: a është përmirësuar situata? A janë ulur shkeljet e privatësisë? Aktivitetet nuk janë rezultat në vete nëse nuk sjellin ndryshim. Inspektime pa pasoja të qarta: Janë raportuar 167 inspektime, por nuk dihet sa masa ndëshkuese konkrete janë marrë. Nuk ka të dhëna të qarta për gjobat apo sanksionet e konkretizuara.
Digjitalizimi – Pretendim vs. Efekt: Përmendet platforma digjitale, por më shumë duket si pretendim sesa si diçka që ka sjellë efekt real në lehtësimin e punës apo mbrojtjen e të dhënave. Mungesa e pavarësisë së dukshme: Analiza tregon se ka vend për dyshim mbi pavarësinë e plotë institucionale në raport me ndikimet e jashtme.
Mungesa e fokusit te qytetari: Raporti fokusohet shumë te procedurat e brendshme dhe pak te përfitimi i drejtpërdrejtë që ka pasur qytetari i Republikës së Kosovës nga puna e agjencisë”, tha Musliu.
Kritikave të Musliut, iu përgjigj komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, duke përmendur institucionet që janë gjobitur nga AIP-ja.
“Më vjen shumë keq, kërkoj shumë falje, por sinqerisht jam shumë keq për këtë mënyrë të qasjes tuaj personale, duke e ditur që njihemi edhe në raporte të tjera edhe njihemi shumë mirë edhe profesionalisht. E para po nis prej transparencës. Jam shumë keq nëse ka një vendim që ta ka paraqit edhe raporti, e sidomos prej anës tuaj si deputete e kahershme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ku e dini shumë mirë që kjo agjenci nuk ka funksionuar me vite të tëra. Pavarësia institucionale bash është pavarësi të cilën e kemi mbrojtur secili. Këtë mund ta sheh dikush që nuk ka sy kritik, por dikush që me të vërtetë ka thjesht tendenca personale, edhe këtë po ta them direkt, më fal….E para, cilat janë institucionet e rëndësishme? Prej Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, që bash askush s’ka guxuar me i prek, pikërisht për transparencën e kësaj agjencie, është gjobit agjencia. Janë gjobit Ministria e Jashtme, janë gjobit komunat, janë gjobit institucionet publike të gjitha ato që nuk kanë dhënë qasje. Janë gjobit kontrollues privatë, janë gjobit OJQ-të, është gjobit ujësjellësi. Krejt ato institucione të cilat kanë shkelje, Një s’kanë ofruar qasje Ose dy nuk i kanë mbrojtur të dhënat”, tha Krenare Sogojeva -Dermaku.
Kurse, sa i përket kritikave se në raport ka pasur vetëm lavdada, Sogojeva-Dërmaku tha se nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“E dyta, tha ‘kemi bërë lavdata ndaj vetvetes’, e nderuar deputete. Lavdata nuk ka në raport, ka realitet. Sepse me 34 persona, 6 në mbrojtje dhe 7 në qasje, me 1080 ankesa, me mbulu gjithë territorin e Kosovës, kontrollues publikë e privatë, është e pamundur me bë më shumë. Kam pasur buxhet nga projektet më shumë se buxheti që më ka ndarë Kuvendi i Kosovës; 400 mijë euro kam buxhet. Me 400 mijë euro është bërë punë që s’ta bën askush në mënyrën qysh e kemi bërë”, tha ajo./EO
