Deficiti i shqiptarëve në Muzeun e Tetovës, HUTA kërkon përfaqësim të drejtë
Institucioni Nacional ‘Muzeu i Tetovës’ nuk bën asgjë për të përfaqësuar shqiptarët, madje ka mungesë të stafit profesionist nga shqiptarët. Kështu kanë deklaruar nga organizata HUTA, të cilët kërkojnë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në këtë institucion. Kryetari i Komunës Bilall Kasami tha se këtë çështje do ta ngrenë përmes zëvendësministrit të kulturës, shkruan Portalb.mk. […]
Institucioni Nacional ‘Muzeu i Tetovës’ nuk bën asgjë për të përfaqësuar shqiptarët, madje ka mungesë të stafit profesionist nga shqiptarët. Kështu kanë deklaruar nga organizata HUTA, të cilët kërkojnë përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në këtë institucion. Kryetari i Komunës Bilall Kasami tha se këtë çështje do ta ngrenë përmes zëvendësministrit të kulturës, shkruan Portalb.mk.
Për të shprehur pakënaqësitë e tyre, nga organizata HUTA në kuadër të së cilës funksionon Muzeu Virtual i Tetovës, sot para Muzeut të Tetovës kanë reaguar për përfaqësimin jo të drejtë të shqiptarëve në këtë institucion.
Ata thonë se Muzeu i Tetovës lëre që nuk bën asgjë për promovimin e kulturës shqiptare dhe për të pasqyruar realitetin, ky institucion ka edhe deficit të stafit të shqiptarëve.
“Qyteti i Tetovës është qytet me popullsi me shumicë shqiptare i cili gëzon histori dhe artefakte të ndryshme të cilat ne vazhdimisht i publikojmë në faqen tonë Muzeu Virtual i Tetovës. Mirëpo Muzeu i Tetovës këtë nuk e bën, aq më pak nuk është ndërmarrë deri tani asgjë për të pasqyruar realitetin e Tetovës. Gjithashtu në baza etnike Muzeu i Tetovës vazhdon të ketë deficit të profesionistëve shqiptarë si Historian, Etnolog dhe Arkeolog”, thanë nga HUTA.
Ata bënë thirrje deri te Ministria e Kulturës, Qeveria dhe te të gjithë përfaqësuesit politik shqiptarë që të angazhohen maksimalisht në përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë të shqiptarëve në Muzeun e Tetovës, si dhe në inkuadrimin e historisë dhe kulturës shqiptare në të.
Me këtë problem është i njoftuar edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai tha se kompetencat për këtë institucion i ka Ministria e Kulturës, por siç tha ai përmes zëvendësministrit që vjen nga partia e tij do e ngrenë si çështje.
“Si përcaktim i joni është që edhe aty të ketë reflektim edhe në promovimin e vlerave që i bën ai muze, edhe të punësuarve. Sigurisht që përmes ministrit, zëvendësministrit do kërkojmë që të ketë edhe arkeolog shqiptar apo struktura e të punësuarve të reflektojë realitetin multietnik në qytet. Është çështje të shohim se sa do të kemi arkeolog të cilët do të kenë shkollim adekuat për tu punësuar aty. Pa diskutim që do ta ngremë si çështje edhe do të kërkojmë që edhe jashtë personelit administrativ të ketë të punësuar edhe profesionistë të cilët do të merren me kërkime konform strukturës etnike të qytetit”, tha Kasami.
Lidhur me këtë çështje kërkuam sqarim edhe nga Ministria e Kulturës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk morëm përgjigje.
Kujtojmë që deri në vitin 2021 në pjesën kryesore dhe të përparme të objektit të Muzeut të Tetovës mbishkrimi “Muzeu i Tetovës” ishte i vendosur vetëm në gjuhën maqedonase edhe pse Ligji për gjuhët e parashikon që tabela të jetë edhe në shqip. Megjithatë, kjo u përmirësua më pas.
Vendi ku ndodhet Muzeu i Tetovës është ish Shtëpia e Armatës e cila për një kohë të gjatë ka funksionuar si restorant. Më herët Muzeu i Tetovës ka qenë në lagjen e Çarshisë së Epërme.