Deputetët e RMV-së vitin e kaluar morën edhe nga 1.000 euro në muaj për shpenzime rrugore (Infografik)

  Edhe nga 1.000 euro në muaj kanë marrë deputetët e përbërjes aktuale parlamentare për shpenzime rrugore deri te vendbanimi i tyre. Vetëm vitin e kaluar, për shpenzime rrugore të deputetëve janë shpenzuar mbi 366 mijë euro (22.554.520 denarë), tregojnë të dhënat të cilat Meta.mk i mori duke përdorur Ligjin për qasje të lire deri […]

maj 16, 2024 - 14:01
 0  5
Deputetët e RMV-së vitin e kaluar morën edhe nga 1.000 euro në muaj për shpenzime rrugore (Infografik)
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Portalb.mk

 

Edhe nga 1.000 euro në muaj kanë marrë deputetët e përbërjes aktuale parlamentare për shpenzime rrugore deri te vendbanimi i tyre. Vetëm vitin e kaluar, për shpenzime rrugore të deputetëve janë shpenzuar mbi 366 mijë euro (22.554.520 denarë), tregojnë të dhënat të cilat Meta.mk i mori duke përdorur Ligjin për qasje të lire deri te informacionet me karakter publik, transmeton Portalb.mk.

Më së shumti para për karburant dhe për pika pagesore vitin e kaluar i janë paguar Jadranka Pockova-s, deputete nga Strumica e VMRO-DPMNE-së. Ajo ka marrë 751.777 denarë ose 12.200 euro, që domethënë se çdo muaj përveç rrogës që e ka marrë, në llogari i janë lëshuar edhe 1.000 euro më shumë. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Dajanço Eftimov nga Strumica, vitin e kaluar në llogari ka marrë 708.016 denarë ose 11.512 euro, ndërsa deputetja e LSDM-së Ljubica Spasova nga Strumica për karburant dhe për pikat pagesore ka marrë 696.712 denarë ose 11.328 euro. Nga ana tjetër, deputeti i LSDM-së Mile Talevski nga Prilepi për shpenzime rrugore ka marrë 10.637 euro, ndërsa Dragica Gjavoçanova e LSDM-së nga Prilepi – 9.663 euro.

Ndërkaq, në vitin 2022, Pockova-s për shpenzime rrugore i janë paguar mbi 14.000 euro, që është shuma më e madhe nga të gjithë deputetët. Kuotë të lartë mban edhe Zhaklina Llazarevska e LSDM-së nga Strumica, të cilës i janë paguar 13.500 euro, ndërsa Mirçe Axhioskit nga Struga, deputet nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, i janë paguar 14.400 euro.

Bashkangjitur është lista e të gjithë deputetëve të cilët kanë marrë shpenzime rrugore në vitin 2023 për karburant dhe për pikat pagesore për të shkuar në punë në Kuvend.

Premtimi i LSDM-së në programin e vitit 2020-2024 nuk u realizua. Në të, (në faqen 190) me vendosmëri ishte shënuar se do të hiqen shpenzimet e rrugës për deputetët e Kuvendit, për shkak të “mundësisë për keqpërdorime dhe si diçka që seriozisht e ul besimin e qytetarëve te përfaqësuesit e tyre”.

“Këtë duhet ta ndryshojmë dhe duket qartë se në këtë temë politika e ndryshimeve graduale nuk e dha rezultatin e duhur. Prandaj, sistemin do ta ndryshojmë rrënjesisht. Asnjë deputet nuk do të marrë shpenzime rrugore për udhëtimin prej Shkupit deri në shtëpi. Kuvendi do të sigurojë banesa rreth 50 m2 që çdo deputet të mund të qëndrojë në kryeqytet gjatë javës. Keqpërdorimet qytetarët i shihnin edhe tek përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor. Prandaj, për të gjithë do të vlejë rregulli që vetë të vijnë dhe të kthehen nga puna, pa përdorim të veturave zyrtare, Masa nuk do të rezultojë me kursime të mëdha, por do të ndihmojë në rritjen e besimit te personat e zgjedhur dhe vetëdijes se politika nuk mund të jetë mbi qytetarët”, qëndronte në programin e LSDM-së.

Përkundër këtij premtimi, pagesa e harxhimeve të rrugës për deputetët që jetojnë jashtë Shkupit ka filluar në gusht të vitit 2020, në kohën e krizës së COVID-19. Nga gushti deri në dhjetor 2020 janë shpenzuar 103,815 euro. Më së shumti para për harxhime rrug është shpenzuar në vitin 2022, gati gjysmë milioni euro. Ose në total, kjo përbërje parlamentare, deri në dhjetor 2023 ka shpenzuar për udhëtim 1.1 milionë euro.

Harxhimet rrugore të deputetëve të RMV-së (gusht 2020 - 2023)
Harxhimet rrugore të deputetëve të RMV-së (gusht 2020 – 2023)

Nga LSDM-ja nuk u përgjigjën në pyetjen për arsyet pse nuk u hoqën shpenzimet e udhëtimit për deputetët, siç ishte premtuar në programin e tyre të mëparshëm.

Ndërkaq, në programin e VMRO-DPMNE-së për vitin 2024-2028, aspak nuk është përmendur heqja e shpenzimeve të rrugës si premtim.

“VMRO-DPMNE-ja angazhohet për respektim të denjë të procedurave dhe rregullave të parapara. Deri tani problemi ynë kryesor ishte keqpërdorimi që bëhëj nga indivitë të papërgjegjëshëm. Angazhimi ynë do të jetë që të çrrënjoset kjo gjë nëpërmjet përforcimit të monitorimit dhe dhënies fund të keqpërdorimeve”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja për Meta.mk.

Deputetët që jetojnë jashtë Shkupit marrin shpenzime rrugore me çmimin e një litri karburant për pesë kilometra të kaluara që të marrin pjesë ne seancë. Më së shumti marrin ato që jetojnë më larg. Deputetët kanë të drejtë ligjore për këto shpenzime, të cilat përveç karburantit, janë edhe për mirëmbajtje dhe amortizim të automjetit privat që përdoret për nevoja zyrtare.

Në vitin 2018, Komisioni i kuvendit për çështjet e zgjedhjeve dhe emërimeve miratoi një mënyrë të re të mbulimit të shpenzimeve të deputetëve, me çka deputetët nga brendia e shtetit që nuk kanë vendqëndrim në Shkup, do të duhet të zgjedhin se a do të udhëtojnë çdo ditë në punë me veturën e tyre, për çka do të marrin kompenzim për pikat pagesore dhe për karburant në lartësi prej 10 përqind ose do të marrin një banesë me qira për të cilën Kuvendi do të ndajë mjete prej më se shumti 400 eurosh, ndërsa shpenzimet e karburantit do t’u mbulohen vetëm për gjatë fundjavave.

Lartësia e shpenzimeve rrugore më shumti vëmendje tërhoqi te publiku kur deputetja e atëhershme e VMRO-DPMNE-së Sillvana Boneva u ndoq penalisht se në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2015 ka dorëzuar te shërbimet e kuvendit llogari fiskale të rrejshme nga pikat pagesore, me çka i janë paguar mbi 10 mijë euro, edhepse ka pasur banesë në Shkup dhe nuk ka udhëtuar për të marrë pjesë ne seancat e Kuvendit.

Ndërkaq, ish-deputetja nuk i pranonte akuzat duke thënë se bëhet fjalë për akuzë të pavërtetë dhe paushalle.

Aktakuza për rastin “Drumarina” u parashtrua në shtator të vitit 2020 nga ana e Prokurorisë së atëhershme Speciale, ndërsa procesi gjyqësor filloi në dhjetor të vitit të njëjtë. Ndërkaq, në shkurt të këtij viti, asaj iu shqiptua aktgjykim lirues.

“Gjykata konstatoi se Prokurori Publik, jashtë dyshimit të bazuar, nuk e dëshmoi veprën me të cilën ngarkohet e akuzuara, ndërsa sa i përket kërkesës për dëmshpërblim ndaj RMV-së, e udhëzoi përfaqësuesin që të inicojë kontest civil”, njoftuan nga Gjykata Themelore Penale Shkup.

Ndryshe, Portalb.mk botoi veçmas edhe harxhimet rrugore e deputetëve shqiptar në Kuvendin e RMV-së për vitin 2023.